Shkaba me transmetues satelitor ndalet në malin e Dajtit, shpresë për rikthim

Shkaba me transmetues satelitor ndalet në malin e Dajtit, shpresë për rikthim

08:44, 07/05/2020
A+ Aa A-

Vetëm pak orë më parë një individ i shkabës apo gjypit (Gyps fulvus) me origjinë nga kolonia e Messolonghisë në vendin fqinj të Greqisë, kaloi shumë pranë qytetit të Tiranës dhe bëri një qëndrim të shkurtër në Parkun Kombëtar të Dajtit. Ky informacion u shpërnda në faqen “Balkan Vultures” (Shkabat e Ballkanit). Individi në fjalë është i pajisur me transmetues satelitor dhe kësisoj gjurmimi mund të kryhet në kohë reale.

Ky nuk është rasti i vetëm që individë të këtij lloji shihen në Malin e Dajtit. Specialistët e AdZM Tiranë të kontaktuar nga PPNEA për rastin në fjalë, konfirmuan se vetëm 2 ditë më herët 1 tjetër individ i këtij lloji ishte vërejtur sërish në Parkun Kombëtar të Dajtit, si dhe në datën 5 dhjetor të vitit të kaluar punonjësia e AdZM Tiranë znj.Dea Zyruku, raportoi fotografitë e 2 individeve të këtij lloji sërish në Parkun Kombëtar të Dajtit. Këto vrojtime të njëpasnjëshme, janë një shenjë e mirë dhe japin shpresë për rifolezimin e këtij lloji në vendin tonë.

Ky lloj ka qenë folezues relativisht i zakonshëm në vendin tonë. Koloni të këtij lloji në të kaluarën janë raportuar në veri të vendit, në zonën e Kelmendit, Kukësit, Dibrës etj. Gjithashtu nga puna gati 10 vjecare e PPNEA-së për ruajtjen dhe studimin e shkabave, janë gjeneruar informacione të rëndësishme për folezimin e këtij lloji edhe në jug të vendit, si për shembull në krahinën e Kurveleshit etj.

Ndër shkaqet kryesore të zhdukjes së këtij lloji kanë qenë: shqetësimi, vrasja e drejtëprëdrejtë si dhe helmimi. Duke qenë se në disa koloni të ndodhura në vendet afër vendit tonë, numëri i shpendëve është në rritje, si në rastin e asaj të Uvacit në Serbi, shpresa për rifillimin e folezimit të këtij lloji edhe në vendin tonë, sa vjen dhe forcohet.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco