E dhimbshme/ Nëna e 10 fëmijëve varroset e vetme, familja: Nuk mundëm të vinim për shkak të koronavirusit

E dhimbshme/ Nëna e 10 fëmijëve varroset e vetme, familja: Nuk mundëm të vinim për shkak të koronavirusit

14:10, 10/04/2020
A+ Aa A-

Një histori e dhimbshme në këtë kohë që po kalojmë ka ardhur sot në emisionin “Me zemër të hapur” të gazetares Evis Ahmeti në News24. Pandemia covid-19 nuk ka shkaktuar vetëm humbje njerëzore, por izolimi ka detyruar shumë shqiptarë që të jetojnë larg të dashurve. Disa prej tyre kanë vdekur pa praninë e më të afërmve. Kjo është një tjetër dramë njerëzore që ka lënë gjurmë në jetën e një familje, e cila prej 30 vitesh jeton në shtetin grek. Nëna e tyre, Sanija ka ndërruar jetë e vetme dhe është varrosur pothuajse e vetme, pa praninë e 10 fëmijëve të saj.

“Ne emigruam për një copë bukë, jo për të braktisur familjen”, shprehet i lënduar në shpirt kryefamiljari. Në një rrëfim të pazakontë, dhëndrri Pano së bashku me bashkëshorten do të ndajnë momente prekëse për humbjen njeriut të dashur. Dy ditë më parë, nëna e 10 fëmijëve, e cila jetonte e vetme në Kamëz të Tiranës u përcoll në banesën e fundit, në ditën e ditëlindjes. Në ditët e fundit të jetës, ajo nuk kishte pranë askënd, përveç mbesës së saj dhe komshinjve.

Aleksandra, mbesa e të ndjerës tregon problemet e gjyshes së saj dhe kur nisi të përkeqësohej shëndeti.

“Kemi 30 vite që jetojmë në Greqi. Unë jetoj me prindërit, jam e martuar dhe kam 3 fëmijë. Jetojmë në Kallamata të Greqisë. Ne e dinim që nëna ishte e sëmurë, por gjendja u përkeqësua ditët fundit. Ajo ishte 81 vjeçe, vuante nga mushkëritë dhe probleme të tjera të moshës. Gjyshja jetonte në Kamëz të Tiranës e vetme. Afër saj me shtëpi banonin nipi dhe mbesa nga babai. Gjyshja jetonte vetëm 500 metra më tutje. Në ditët normale ka qenë në gjendje të  mirë shëndetësore, por gjendja e saj u përkeqësua në 10 ditëshin e fundit të jetës saj. Ne e dinim që ishte sëmurë, por nuk e dinim që ishte në gjendje kritike për jetën. Komunikonim përditë me të. E dinim që do vinte një ditë që ajo do ndërronte jetë. Sëmundja e saj nuk kishte lidhje me pandeminë Covid-19. Doktoresha i vinte në shtëpi për ta vizituar. Ajo ishte nënë e 10 fëmijëve dhe nuk ishte në gjendje të keqe ekonomike. Jetonte jetë normale. Njeriu më i afërt i gjyshes ishte mbesa e saj. Në këto ditë lufte ajo i ka qëndruar pranë. Ka qenë nënë dhe baba për të. Ne jemi të brengosur sepse asnjë pjesëtar i familjes nuk ka mundur të jetë pranë saj në ditët e fundit të jetës. Nuk arritëm objektivin tonë. Atë e kanë varrosur vetëm nipi në Shqipëri dhe komshia. E kanë varrosur dje. Ne dolëm nëpër kufij për një copë bukë, jo për të braktisur prindërit. Kjo ishte një tërmet 12 ballësh që na mori përpara dhe nuk na lejuan të shikojmë asgjë.

Kur kuptuam që gjyshja ishte në gjendje kritike për jetën, ne filluam që me datë 4 prill të bëjmë kërkesa ambasadës shqiptare në Greqi. Kemi biseduar me zyrën e emigracionit. Dhe përgjigja ka ardhur vetëm ditën e djeshme, me datë 8 prill rreth orës 11:30 të drekës. Ndërkohë që gjyshja kishte vdekur në orën 10:00. I dërgova e-mail ambasadës, më kërkuan pasaportën e nënës time, më thanë: nëse vini, do karantinoheni 14 ditë. Për ne nuk kishte asnjë sens kërkesa dhe e refuzuam. Përgjigja e fundit ka qenë nga zyra e ambasadës, me konsull Adelina Zhehu”, deklaroi mbesa e të ndjerës.

Panos, dhëndri mes lotëve rrëfeu se kjo që ndodhi ishte shumë e dhimbshme për të gjithë familjes.

“Nuk e realizova një gjë që doja. Unë e kam dashur vjehrrën si nënën. Kam punuar gjithë jetën dhe nuk kam parë asgjë në dritë. Kam qenë thjesht punëtor. Të bësh një lagje me fëmijë, sa një skuadër futbolli dhe të vdesësh vetëm. Të mos bëhet asnjë tolerim, kjo është e dhimbshme”, tha ai.

Pano tregoi për gjendjen e familjes dhe se ishin përpjekur të ktheheshin nga Greqia por se iu kishin thënë se duhet të qëndronin 14 ditë në karantinë.

“Këto janë punë të Zotit, por kush vdes një ditë duhet të ketë pranë njerëzit e vet, që kjo dhimbje të mposhtet së bashku. Nipërit dhe mbesat si dhe fëmijët e saj duhet të ishin pranë në momentet e fundit. Vdekja e saj nuk ka qenë nga koronavirusi, ajo vuante në mënyrë të përhershme. Unë dhe familja ime kemi 30 vite në Greqi, të gjithë jemi në një rrjet të përbashkët larg vendit tonë. Nuk ishte në gjendje nëna ta kuptonte se nuk ishim pranë, por si çdo pleqëri ajo e vuante largesën tone, ajo ishte dakord për largimin tonë. Ne ikëm për shkaqe ekonomike, nëna vinte çdo 3 muaj te ne, por 6 vitet e fundit nuk ishte më ajo që ishte më përpara. Asaj nuk i mungonte asgjë as nga ana shëndetësore, as nga ana ekonomike. Nënë Sanija ishte një burrneshë, një nënë shume e sjellshme, shume gojëmbël, me nipër e mbesa, me miq e me krushqi. Ajo ka punuar në institut në qytetin Studenti rreth 28 vjet. Nuk i braktisi kurrë fëmijët edhe pse kaloi shumë vështirësi në jetë. Goja e saj nuk nxori kurrë një fjalë të keqe, nuk u implikua kurrë me asgjë. Më vjen keq që iku nga kjo jetë dhe shpreh këto fjalë për të sepse i rriti dhe i edukoi fëmijët e saj me dashuri dhe pozitivitet. Ne duhet të ishim në krahë të saj që ta çonim në banesën e fundit për ta respektuar ashtu siç e meritonte. Ne nuk mundëm, kjo situatë ishte shumë e vështirë. Biseda e fundit ka qenë dita e diel, na pyeti si jeni, si e keni shëndetin, fliste nëpër dhëmbë, duke na pyetur gjithmonë se kur do vini se nëna nuk është mirë. Që nga ai moment na hipi një siklet i madh dhe menduam se do të merrnim leje në shtet për t’u kthyer. Bëmë kërkesën në mënyrë ligjore, por na përcollën ne lloj-lloj dikasteresh. Kjo situatë e vështirë nuk na dha dorë t’i ndodheshim pranë. Ditën e djeshme ajo është çuar në banesën e fundit, ditën e ditëlindjes së saj, është përcjellë nga mbesa dhe një komshi. Nipi dhe mbesa që i kanë qëndruar pranë e kanë pasur shumë të vështirë. Ajo na la një këshillë, të jemi të bashkuar dhe dhimbjen ta ndajmë të gjithë bashkë sepse do vijë një moment që nuk do ta gjejmë afërsinë. E kisha nënë edhe pse ishte vjehrra ime, e kisha njësoj si nënën time”, deklaroi dhëndri.

Fatmir Gjoci, përfaqësues i të drejtave të emigranteve në Greqi, tha se Ministria e shëndetësisë dhe ministria e Brendshme kanë nxjerre urdhër që në këtë situatë nuk lejohen emigrantët të kthehen në Shqipëri. Por rastet që janë emergjente për vdekje, për raste urgjente familjare ata duhet të japin leje.

Edhe vajza Ana tha se ka bërë analizat dhe ka dalë negative për COVID-19, duke kërkuar arsyet e moslejimit të saj për t’u kthyer në atdhe.

“Ditën që u nisa, bëra edhe analizat dhe më dolën të pastra. Shteti shqiptar i kishte këto analiza. Pse duhet të ikte mamaja ime pa asnjë nga ne por me një komshie dhe mbesën. I kam bërë përsëri analizat pas 14 ditësh, pse nuk duhet te shkoja unë të nena ime”, pyet ajo.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco