Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Kirurgu i njohur: Stafi shëndetësor duhet të testohet, MSH detyrim t'i sigurojë të gjitha pajisjet

Kirurgu i njohur: Stafi shëndetësor duhet të testohet, MSH detyrim t'i sigurojë të gjitha pajisjet

19:59, 20/03/2020
A+ Aa A-

Ish-Ministri i Shëndetësisë dhe kirurgu i njohur Arben Beqiri në një lidhje në Skype në studion e ABC News me gazetaren Mirela Milori foli për mënyrën se si duhet përballuar Koronavirusi në Shqipëri.

Dr. Beqiri tha se vetëizolimi i qytetarëve është për të frenuar përhapjen e sëmundjes dhe për të ruajtur sistemin shëndetësor nga mbingarkesa.

Ai u shpreh gjithashtu se është thelbësore që të kontrollohet i gjithë personeli shëndetësor me teste ndaj infeksionit.

Më tej Dr. Beqiri shtoi se urgjencat kirurgjikale vazhdojnë si normalisht dhe se çdo sallë kirurgjikale është e pajisur me protokollin e vet se si duhet të sillen mjekët në ndonjë rast të mundshëm me Covid.

Dr. Beqiri i mëshoi fort faktit të kontrollit dhe pajisjeve mjekësore që ekipit shëndetësor duhet ti sigurohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe qeverisë për ti shërbyer pacientëve në mënyrë të sigurt.

Biseda:

Arben Beqiri: Njerëzit të vetëpërmbahen në mënyrë maksimale për të kuptuar influencën që ne si shoqëri mund të kemi në kontrollin ne përhapjes së këtij infeksioni. Ne nuk kemi mjete luksoze, nuk jemi një shoqëri e pasur, nuk kemi një mjekësi super të zhvilluar, kemi mjaft të meta dhe dobësi por ne kemi mundësi qe të koordinohemi fort të gjitha masat që çojnë në një vetëizolim në këto dy javë të mund të prodhojnë një rënie të përhapjes së kësaj epidemie duke ruajtur sistemin shëndetësor nga mbingarkesa. Është esenciale që të kontrollohet me teste i gjithë personeli shëndetësor, kjo është thelbësore.
 

Mirela Milori: Ju jeni mjek kirurg, vazhdojnë operacionet?
Arben Beqiri: Është ndërprerë dhe është bërë shumë mirë, kjo është bërë për ti hapur rrugë çdo të sëmuri me Covid që ka nevojë për trajtim spitalor, kjo për rastet e planifikuara. Për rastet urgjente janë funksionale si për çdo urgjencë tjetër. Ajo që është me interes është se si procedohet nëse në sallat tona të urgjencës vjen një pacient me Covid. Dua të theksoj që është shumë e rëndësishme për të siguruar personelin shëndetësor por edhe pacientët në spital, sadopak të dyshohet që mund të kenë shenja të Covid-it duhet të testohen për Covid. Ne aktualisht kemi protokollet tona në sallat e operacionit se si duhet të sillemi me një pacient që vjen me Covid.

Mirela Milori: Doktor ka njerëz që janë të sëmurë kronikë, çfarë ndodh me këta njerëz tani?
Arben Beqiri: Sigurisht çdo gjë vazhdon si më përpara me respektin dhe përkushtimin maksimal të mjekëve, ata vazhdojnë punë njëlloj si më parë. Ajo që ne themi në këtë situatë është që të rrisim mbrojtjen ndaj këtyre mjekëve, dhe të rrisim kujdesin e pacientëve te veçantë që mund të kenë të shoqëruar sëmundjen me Covid. Është thënë nga përfaqësues të task-forcës që mundësia për tu infektuar është 60-70 % e njerëzve.

Mirela Milori: Deri ku mban armata e mjekëve dhe sistemi shëndetësor shqiptar duke futur brenda edhe heroizmin edhe vullnetarizmin dhe sakrificën e pafund?
Arben Beqiri: Jam i sigurt që mjekët do bëjnë maksimumin për të shërbyer në çfarëdo rrethane por nga ana tjetër që është detyrimi ligjor i qeverisë dhe ministrisë së shëndetësisë të bëjë të mundur pajisjet e këtyre mjekëve me të gjithë pajisjet, për të bërë të mundur ushtrimin e detyrës në mënyrë të sigurt, nga ana tjetër pjesë të organizimit të vet trupave mjekësore, të ndarjes së ekipeve, në ekipe shumë më të vogla, që për çdo rrethanë, të mund të zëvendësohen, për të siguruar në vazhdimësi shërbimin, edhe për një kohë të gjatë ndoshta disa mujore, kjo i përket organizimit të brendshëm të spitaleve dhe të Ministrisë Së shëndetësisë. Ajo që dua të them me dhimbje është se nuk zbatohen rregullat dhe masat që janë marrë, për izolimin dhe qëndrimin në shtëpi. Nuk duhet të ketë të rinj që mendojnë se nuk i kap sëmundja sepse kjo nuk është e vërtetë, i kap edhe të rinjtë njësoj. Madje ka me dhjetëra të shtruar në terapi intensive në Itali në këto mosha po kështu edhe në SHBA. Duhet të kihet parasysh dhe duhet të harrohet ideja që nuk më kap se  jam i ri apo diçka tjetër. Për të bërë detyrën time si mjek do të përsëris gjithmonë rregullat që duhet të kenë parasysh qytetarët. Lani duart, vetëizolohuni, ruani higjienën, kështu nuk i lëmë mundësi virusit të përhapet./abcnews.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco