Karantina e Koronavirusit në Kavajë, shqetësim te banorët

Karantina e Koronavirusit në Kavajë, shqetësim te banorët

21:12, 24/02/2020
A+ Aa A-

Megjithësë autoritet e kanë mohuar se spitali i Kavajës mund të kthehet në një qendër karantine për pacientët e prekur nga Koronavirusi, banorët e qytetit të vogël luten që lajmi mos të jetë i vërtetë.

Bashkim Tafa, ish-murator me profesion, ka ndërtuar disa shtëpi në lagjen nr.3 të Kavajës, e cila u popullua gjatë viteve’ 90 me banorë të ardhur kryesisht nga fshati Kryevidh.

“Ky nuk është ndonjë spital me ajër të freskët, por është në mes të ish-Kënetës,” ankohet pensionisti 65-vjeçar. “Këtu më shumë ka pisllëk se sa ka pastërti”, shtoi ai.

Spitali bashkiak u ndërtua në këtë lagje të qytetit në vitin 2010-të, por që prej ditës së dielë ai është në qendër të debateve politike të kryeqytetit dhe ato të kafeneve në Kavajë.

Në një deklaratë për mediat  Sekretari i Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi deklaroi se qeveria po krijon një qendër karantine në këtë spital – veçanërisht në repartet e patologjisë dhe urgjencës, për pacientë të prekur nga Koronavirusi.

Deklarata e Bardhit, i cili është me origjinë nga Kavaja, ka shpërndarë një vorbull shqetësimi dhe spekulimesh në qytet. Pasi nga Italia fqinje u njoftua viktima e 7 nga Koronavirusi, Natasha Çullhaj u end dyerve të farmacive për gjetjen e një maske.

Prej 7 vitesh ajo e siguron jetesën si shitëse ambulante pranë spitalit dhe është trembur se mund të preket nga virusi vdekjeprurës.

“Thonë se do e hapin katin e dytë si karantinë”, tregon Natasha, duke theksuar se janë thashethemet që qarkullojnë. “Insh’Allah nuk hapet, unë dua që të mos hapet karantina këtu,” shton ajo me ton lutës.

Drejtuesja e Departamentit të Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, mohoi dje në një deklaratë për mediat se karantina e ngritur të ishte brenda Spitalit të Kavajës, teksa shtoi se “…është e përcaktuar në momentin që flasim dhe është një strukturë spitalore”.

Drejtori i spitalit të Kavajës, Përparim Daiu, shpjegon se aty nuk ka pavijon për sëmundjet infektive dhe spitali në total numëron 86 shtretër.

“Deri tani ne nuk kemi një shkresë zyrtare nga ministria,” tha ai.  “Edhe kur vijnë shkresat, janë masat që janë për të gjitha spitalet. Nuk është specifikisht për Kavajën”, shtoi Daiu./ Birn

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco