6500 mësues në garë për 1400 vende/ Sot, afati i fundit për aplikimet

6500 mësues në garë për 1400 vende/ Sot, afati i fundit për aplikimet

16:46, 21/02/2020
A+ Aa A-

Kur ka mbetur vetëm një ditë nga përfundimi i fazës së parë, portali që bën ndërmjetësimin për punësimin e mësuesve numëron gati 6500 aplikime.

E parë në raport me vend, punësimet e pritshme që hapen çdo vit, raporti është gati 1 me 5. Çka nënkupton se një në pesë mësues që konkurrojnë për t’u renditur në krye të listës së punësimeve, ka mundësi të rekrutohet vitin e ardhshëm shkollor.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, çdo vit ka rreth 1300-1400 vende pune provizore apo definitive në mësuesi, që krijohen pas daljeve në pension, lejeve të lindjes apo ato shëndetësore. Ky është i gjashti vit i rekrutimit të mësuesve përmes portalit “Mësues për Shqipërinë” dhe numërohen mijëra të punësuar në bazë të meritës.

KUSH KONKURRON

Janë katër kategori mësuesish që futen në portal, edhe nëse kanë aplikuar ose jo më herët. Së pari, të sapolicencuarit. Ata duhet të ngarkojnë në portal dosjen profesionale bashkëngjitur formatit të aplikimit. Kategoria e dytë janë ata që konkurruan vitin e kaluar dhe dëshirojnë të ruajnë pikët që kanë për të garuar me të njëjtat. Edhe pse nuk ndryshon asgjë për ta, aplikimi duhet bërë në sistemin ku checkohet ruajtja e pikëve të testit dhe dosjes profesionale.

Dy kategori të tjera janë ata që dëshirojnë të ndryshojnë një nga treguesit e vlerësimit: dosje apo test. Ata që kërkojnë të renditen më lart duke rritur pikët e testimit, do të duhet të ritestohen duke mbajtur formatin e dosjes së vitit të kaluar. Ndërsa të tjerë që kanë një dokument shtesë që iu rrit pikë në vlerësimin final, zgjedhin të ruajnë pikët e testimit, ndërsa ridërgojnë dosjen me dokumentin shtesë.

SI VAZHDON GARA

Pas mbylljes së aplikimeve online, dorëzimi i dosjes pranë zyrave arsimore, sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, mund të bëhet deri tri ditë më vonë, në datën 24 shkurt. Me këtë mbyllet vetëm faza e parë, e cila ka vetëm 20% të pikëve të konkurrimit. Vlerësimi më i madh që merr edhe vëmendjen e mësuesve vjen nga testimi i informatizuar, i cili ka 80% të pikëve. Renditja e mësuesve sipas profileve në çdo zonë arsimore bëhet pas mbledhjes së këtyre dy treguesve.

Ndryshe nga sa ka funksionuar më herët, ky është i dyti vit që, pas shkrirjes së drejtorive arsimore, rekrutimet e mësuesve i janë lënë në dorë tërësisht portalit. Zonat Arsimore Vendore janë të detyruara të raportojnë në portal vendet e lira. Automatikisht, oferta i bëhet me email personit të parë në renditje (ai që ka më shumë pikë).

Atij i lihen jo më shumë se 48 orë për të kthyer përgjigje, duke u paraqitur pranë drejtorisë së shkollës. Mosparaqitja e tij, në të kundërt, merret si refuzim dhe njoftimi i shkon të dytit në listë e me radhë. Një tjetër risi është që më i miri ka mundësi të refuzojë më shumë se tri herë, derisa të gjejë vendin që kërkon. /PANORAMA

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco