FOTO/ Dy të huajt që zbuluan një shekull më parë, folenë e pelikanit në Shqipëri

FOTO/ Dy të huajt që zbuluan një shekull më parë, folenë e pelikanit në Shqipëri

10:24, 11/02/2020
A+ Aa A-

Edhe pse dimri ende nuk ka kaluar, disa shpendë kanë filluar sezonin e folezimit. Një ndër këto lloje është edhe pelikani kaçurrel, i cili është i pari ndër shpendët e ujit që fillon folezimin në vendin tonë. Dita sot, për disa të dhëna historike interesante për këtë lloj në vendin tonë.

Këto janë fotot e para të pelikanit kaçurrel të shkrepura në Shqipëri në vitin 1906 nga gjahtari dhe natyralisti anglez R. B. Lodge dhe shoqëruesi i tij Baron Bornemisza, pikërisht në koloninë e Karavastasë, aty ky lloj folezon ende sot e kësaj dite.

    Gjetja e kolonisë së pelikanit kaçurrel, u kthye në një prej qëllimeve kryesore të vizitës së Lodge në vendin tonë. Kërkimin e tij e filloi në Lagunën e Durrësit, e cila përsa i përket peizazhit dukej e përshtatshme për folezimin e këtij lloji. Laguna e Durrësit, ka patur një numër të pasur ishujsh, ku fillimisht Lodge dyshoi se mund të folezonte pelikani kaçurrel, por gjatë kërkimeve të tij në këtë zonë, krijoi bindjen që ky mjedis përdorej vetëm si hapësirë ushqimi për këtë lloj. Mjedis të cilin pelikani kacurrel e humbi njëherë e përgjithmonë pas bonifikimit të saj në vitet e para të pas Luftës së Dytë Botërore.

    Më tej, Lodge vijoi kërkimet më në jug të vendit, ku arriti në ish kënetën e Tërbufit, në të cilën, sikurse e përshkruan në librin e tij “Gjueti në Evropën e Egër”, nuk gjeti asnjë shenjë folezimi të këtij lloji. Megjithatë, aty takoi njerëz të cilët e dinin se ku folezonte ky lloj. Dy peshkatarët që shfaqen edhe në njërën prej fotove të tij, janë njerëzit që i treguan dhe e shoqëruan Lodge drejt ishujve të pelikanit, njofton shoqata "Shprendët e Shqipërisë'.

    Lodge kishte dëgjuar se peshkatarët nuk linin rast pa i prishur dhe dëmtuar foletë këtij lloji, pasi e shihnin si konkurent në punën e tyre. Megjithatë, nga biseda që bëri me peshkatarët, ai mësoi këta të fundit ishin tejet miqësorë me pelikanin, madje përshkruan se ndiheshin keq, nëse i drejtoje armën këtij lloji. Si konkurent, peshkatarët e kësaj zone nuk shihnin pelikanin, por pulëbardhën këmbëverdhë, të cilën e konsideronin si djallëzore dhe që u shkaktonte dëm në peshkim.

    Në atë kohë, Lodge raportoi një numër prej 250 fole me vezë, ku në një pjesë të tyre kishte zogj të sapo çelur. Që prej asaj kohe, raportimet e mëtejshme për popullatën e këtij lloji në Lagunën e Karavastasë, kanë treguar një numër në rënie të çifteve folezuese, duke arritur pikën më kritike në fillim të viteve 2000, me më pak se 20 çifte folezuese, dhe që prej asaj kohe, falë masave të marra për ruajtjen e llojit, popullata filloi të ketë një rritje graduale deri në mbi 50 cifte gjate viteve të fundit, sikurse është raportuar.

    Shpresojmë që këtë vit, numri i cifteve folezuese të jetë edhe më i madh ashtu sikurse edhe suksesi i riprodhimit. Mirënjohje për të gjithë ata që janë angazhuar aktivisht për ruajtjen e këtij lloji.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco