'Dua të martohem në SHBA, ç'duhet të bëj kur të aplikoj për vizë?' Sqaron avokati amerikan

'Dua të martohem në SHBA, ç'duhet të bëj kur të aplikoj për vizë?' Sqaron avokati amerikan

09:23, 11/02/2020
A+ Aa A-

Për çështje të emigracionit, sqaron avokati amerikan Kieran Both

Pyetje nga lexuesi:

Përshëndetje!  Nëse është e mundur, do të dëshiroja t’ju pyesja lidhur me situatën time konkrete me një nënshtetase amerikane. Kemi vendosur të martohemi dhe do të donim të bënim gjithshka sa më shpejt që të jetë e mundur. Më duhet ndihma juaj. Cilat janë hapat e nevojshëm dhe nga duhet t’ia fillojmë?

OT

Shqipëri

Së pari urime për vendimin për t’u martuar. Ka dy mënyra për të filluar procedurën e aplikimit për vizë me bazë martesën. E para është kërkesë për vizë që paraqitet përpara se të martoheni, pra si të fejuar, kurse e dyta është kërkesë për bashkim familjar që paraqitet pasi të jeni martuar. Në universin e procedurave të emigracionit, kohëzgjatja e procesit ndryshon vazhdimisht dhe nuk është e mundur të llogarisësh me saktësi se sa do t’ju duhet të prisni. Ajo që mund t’ju ofrojmë, është një llogaritje me përafërsi bazuar në përvojën që kemi dhe në udhëzimet e dhëna nga qeveria e Shteteve të Bashkuara lidhur me procedurat përkatëse.

 

Vizat K-1 për të fejuarit:

Koha e përafërt për këtë lloj aplikimi, formulari I-129F (Petition for Alien Fiancé/e), të paraqitur pranë filialit përkatës të Shërbimit të Emigracionit dhe të Nënshtetësisë së Shteteve të Bashkuara (USCIS) varion përafërsisht nga 5 deri në 16 muaj që nga dita që aplikimi është marrë nga ai filial. Zakonisht, USCIS-i i shqyrton këto kërkesa sipas radhës së marrjes dhe përditëson çdo muaj faqen e internetit ku tregohet në mënyrë të përafërt koha kur parashikohet të përfundojë procesi.

Ky informacion mund të gjendet në adresën:  www.egov.uscis.gov/processing-times/.  Nëse data kur është marrë aplikimi juaj nga filiali përkatës i USCIS-it është më e hershme se data (Receipt date) e paraqitur nga Emigracioni që shënon kohën kur mund të filloni të hetoni për rastin tuaj konkret, atëherë mund të paraqisni një kërkesë nëpërmjet internetit për ato raste që dalin jashtë suazës së kohëzgjatjes normale të shqyrtimit të çështjes (outside normal processing time).

Pasi USCIS-i e shqyrton çështjen, dosja i kalon Qendrës Kombëtare të Vizave (NVC) për vazhdimin e procesit. Me të përfunduar procesi, duhet të shkoni në konsullatën amerikane për të marrë vizën. Aty do të intervistoheni lidhur me marrëdhënien tuaj dhe synimin për t’u martuar me të fejuarën tuaj. Kjo intervistë është shumë e rëndësishme, prandaj është mirë të bisedoni paraprakisht për historinë tuaj së bashku, për të rikujtuar datat më të rëndësishme të lidhjes suaj që të siguroheni që i keni gjërat të qarta përpara intervistës.

Këto data mund të përfshijnë datën kur u takuat për herë të parë; vendin ku u takuat; personin apo personat që ju prezantuan me njëri-tjetrin; vendet e preferuara ku takoheshit, etj. Oficeri konsullor mund t’ju bëjë shumë pyetje, ndaj duhet të përgatiteni mirë. Nëse i thoni që po të detyrojnë prindërit të martohesh me të fejuarën në fjalë, viza mund të mos ju aprovohet.

Diçka e tillë mund ta bëjë oficerin të besojë që martesa është sajuar për para. Plani për t’u martuar duhet të jetë synimi i juaj dhe i askujt tjetër. Nëse kërkesa për vizë aprovohet, atëherë do t’ju lejohet të hyni në SHBA me vizë K-1.

Duhet të martoheni në mënyrë të ligjshme brenda 90 ditëve që nga dita kur u futët në SHBA. Nëse nuk martoheni brenda këtyre 90 ditëve ose martoheni me dikë tjetër, atëherë do t’ju kërkohet të largoheni nga SHBA. Nëse keni ndërmend të jetoni dhe të punoni përgjithmonë në SHBA, atëherë me t’u martuar mund të filloni menjëherë të bëni kërkesë për t’u bërë rezident i përhershëm dmth për të marrë green card. Formulari që duhet të plotësoni për këtë qëllim është I-485 (Application to Adjust Status).

Formulari I-130 për bashkëshortin/en:

Nëse e fejuara juaj shkon në Shqipëri dhe martoheni, ajo mund të nisë procesin e bashkimit familjar duke paraqitur formularin I-130 (Petition for Alien Relative). Ky formular vendos lidhjen familjare që egziston mes jush dhe bashkëshortes suaj. Aktualisht USCIS parashikon që kohëzgjatja e procesit të bashkimit familjar I-130 të marrë 6 deri në 15 muaj. Kur kërkesa për bashkim familjar aprovohet, ju futeni në kategorinë e të afërmit të drejtpërdrejtë, që do të thotë që për ju ka menjëherë një vizë. Pas aprovimit të I-130-ës, procesi i kalon NVC-së. Është NVC-ja ajo që i cakton një numër kërkesës suaj. NVC-ja si fillim ju dërgon ju dhe bashkëshortes suaj udhëzimet lidhur me dërgimin e tarifave përkatëse.

NVC-ja do t’i kërkojë aplikantit që të paraqesë dokumentat e nevojshme për vizë emigruese, ku përfshihet dhe formulari i garancisë financiare (Affidavit of Support). Cilido person që ka bërë kërkesë për të emigruar me bazë bashkimin familjar duhet të ketë një sponsor që të bëhet garant për të financiarisht. Bashkëshortja juaj mund të bjerë dakort të bëhet garant duke paraqitur formularin I-864. Të ardhurat e saj duhet të jenë ose të barabarta ose më shumë se 125 përqind e kufirit të varfërisë në rang federal që i korrespondon një familjeje me një numër të caktuar anëtarësh, ku përfshihen ata që ka në varësi, cilido emigrant tjetër për të cilin është bërë garant financiarisht si dhe ju. Nëse ajo nuk ka persona të tjerë në varësi dhe nuk është bërë garant për njeri tjetër, atëherë familja juaj konsiderohet familje prej dy (2) anëtarësh.

Në këtë numër përfshiheni ju dhe bashkëshortja juaj. Minimumi i të ardhurave në këtë rast (125 përqind i kufirit të varfërisë) për një familje prej dy vetash është $21.137.00 (shiko Udhëzimet e 2019-ës, formulari I-864P). Nëse të ardhurat e saj nuk janë të mjaftueshme pra nuk e kapin minimumin në fjalë, ajo mund të jetë në gjendje ta përmbushë këtë kërkesë duke treguar që ka pasuri të tjera.

Që të mund të kualifikohet bazuar në pasuritë e tjera që ka, vlera e tyre duhet të jetë të paktën 5 herë diferenca mes të ardhurave aktuale të sponsorit dhe kufirit aktual të varfërisë në shkallë federale që i korrespondon familjes me atë numër anëtarësh, siç parashikohet në udhëzuesin përkatës. Nëse edhe kështu nuk përmbushen kriteret për sponsorizim, atëherë mund të bëhet garant i përbashkët dikush tjetër i cili duhet të paraqesë formularin përkatës shtesë për këtë qëllim.

Personat e tjerë që mund të bëhen sponsorë të përbashkët duhet të jenë rezidentë të përhershëm, ose nënshtetas amerikanë, të kenë mbushur moshën 18 vjeç si dhe të jetojnë në SHBA. Nuk është e thënë që sponsori të ketë lidhje gjaku me ju ose bashkëshorten tuaj.

Ju dhe bashkëshortja juaj duhet të paraqisni gjithashtu formularë, dokumente nga zyra e gjendjes civile, policia etj. Këto dokumenta janë të ngjashëm me ato të paraqitura në rastin e kërkesës për vizë K-1. Nëse NVC-ja vendos që dosja është e plotë, atëherë ajo ju cakton datën e intervistës për vizë në konsullatë dhe ia kalon dosjen tuaj kësaj të fundit. Ju dhe bashkëshortja do të merrni një e-mail ose letër, nëse nuk keni dhënë adresë e-mail-i, lidhur me takimin, ku do të gjeni datën dhe orën e intervistës për vizë si dhe udhëzimet përkatëse, përfshirë dhe udhëzimet për kontrollin shëndetësor dhe marrjen e dokumentave lidhur me të.

Një oficer konsullor do t’ju intervistojë dhe do të vendosë nëse kualifikoheni ose jo për vizë emigruese në përputhje me dispozitat e ligjeve të emigracionit. Nëse kërkesa për vizë ju aprovohet, oficeri konsullor do t’jua rikthejë pashaportën ku tashmë është viza si dhe një pako të mbyllur ku gjenden dokumentat që patët paraqitur kur aplikuat. Duhet të hyni në SHBA përpara datës së skadimit të vizës. Gjithashtu, përpara se të udhëtoni për në SHBA, duhet të paguani tarifën përkatëse për vizë emigruese të parashikuar nga USCIS. USCIS nuk do t’ju japë green card-ën pa paguar më parë tarifën e vizës.

Një alternativë tjetër është dhe viza jo-emigruese K-3. Kjo kategori vize ka si qëllim të shkurtojë kohën e ndarjes fizike mes qytetarit të huaj dhe bashkëshortes/it që është nënshtetase/s amerikane/n duke u ofruar atyre alternativën që të marrin një vizë jo emigruese K-3 jashtë SHBA-së dhe të të hyjnë me të në SHBA ku dhe do të presin aprovimin e peticionit I-130. Kjo alternativë nuk para shfrytëzohet pasi nënkupton tarifa shtesë si dhe kohë pritjeje. Gjithsesi, mund të jetë një alternativë praktike në të ardhmen nëse koha e shqyrtimit të aplikimeve I-130 vazhdon të zgjatet.

Mund të gjeni informacione të mëtejshme në faqen e internetit të USCIS-it në adresën www.uscis.gov ose në atë të Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara (DOS) në adresën www.travel.state.gov/Marre nga Gazeta illyria

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco