Shërbimi Social braktis sërish në rrugët e Lezhës tre motrat e abuzuara

Shërbimi Social braktis sërish në rrugët e Lezhës tre motrat e abuzuara

17:57, 31/01/2020
A+ Aa A-

Tre motra me probleme mendore, të abuzuara seksualisht për vite me rradhë në qytetin e Lezhës, i janë rikthyer situatës së rrugës që prej dhjetorit të vitit të kaluar, duke rrezikuar të bëhen sërish pre e abuzimeve.

Ato u strehuan në prill 2019 nga Shërbimi Social, pas presionit publik në rritje mbi faktin se ato ishin abuzuar seksualisht për vite me radhë në sytë e institucioneve shtetërore në Lezhë, të cilat kryesisht fajësonin njëra-tjetrën për mos marrjen e masave për mbrojtjen e tyre. Por 8 muaj pasi ishte marrë përsipër strehimi në Elbasan dhe në Vlorë nga Shërbimi Social Shtetëror pranë Ministrisë së Shëndetësisë, ato u kthyen sërish në rrugët e Lezhës të ekspozuara ndaj rrezikut për abuzime të reja.

Drejtori i Shërbimit Social Shtetëtor në Lezhë, Keler Sufja tha se me çështjen e akomodimit të tyre në këto qendra është marrë vetë Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale dhe se ata prisnin përgjigje prej saj për të ditur se çfarë do të bëhej më tej. Ndërkohë, punonjës të Shërbimit Social pranë bashkisë thanë se nuk ishin informuar nga qendrat ku vajzat ishin strehuar më herët, ndërsa e kishin mësuar situatën pasi i kishin parë ato në rrugët e qytetit.

BIRN pyeti Shërbimin Social Shtetëror dhe Ministrinë e Shëndetësisë, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.

Tre motrat janë rikthyer në Lezhë në dhjetor të vitit që shkoi.  Qendrën në Elbasan e ka lënë e para  vajza që ishte shtatzanë, e cila pak ditë më pas solli në jetë fëmijen e dytë në maternitetin e Lezhës. Pas lindjes, fëmija është dërguar në Elbasan, ndërsa nëna e foshnjes nuk u rikthye më në atë qendër. Pak javë më vonë, edhe dy motrat e tjera u larguan nga qendra sociale në Vlorë në rrethana ende të paqarta.

Lëvizja e tyre në rrugët e qytetit i ka befasuar edhe drejtuesit e institucioneve të Shërbimit Social në bashkinë e Lezhës, pasi thonë se nuk ishin njoftuar nga askush se ato do të lënë qendrat.

“Në fakt jemi befasuar kur i kemi parë sërish nëpër rrugët e Lezhës. Askush s’na ka njoftuar me ndonjë shkresë apo telefonuar se ato do të lënë qendrat ku kanë qenë të akomoduara,” tha një zyrtare e Shërbimit Social në Bashkinë e Lezhës, që kërkoi të mos i përmendej emri.

Shërbimi Social në Bashkinë e Lezhës tha se po i mbate nën monitorim motrat dhe nënën e tyre dhe për këtë është kërkuar edhe mbështetja e Policisë së Shtetit. “Sapo kemi konstatuar se ato janë rikthyer në Lezhë jemi vënë në lëvizje. Po i mbajmë nën monitorim së bashku me policinë për të parë veprimet e tyre. Deri diku duken se janë rehabilituar, por që rikthimi sërish në situatë rruge nuk është zgjidhje, pasi në këto kushte i rikthehen situatës së mëparshme. Ne do të bëjmë një raport dhe do t’ja përcjellim ministrisë,” tha zyrtarja e Shërbimit Social në Bashkinë Lezhë.

Një version të ngjashëm të ngjarjeve pohoi edhe drejtuesi i ShSSh-së së Lezhës, Keler Sufja.  “Strehimi i tyre në qendra është bërë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ne thjesht kemi bashkëpunuar për të përshpejtuar procedurat. Normalisht që në këto kushte ato janë sërish në situatë rruge dhe të pambrojtura. Ja kemi përcjellë situatën ministrisë dhe presim përgjigje se çfarë do të bëhet,” thotë Sufja.

Rasti i tre motrave me probleme të shëndetit u investigua nga BIRN në vitin 2018 ndërsa u gjet se ato ishin abuzuar prej vitesh seksualisht në rrugët e qytetit. Gjykata e Lezhës gjeti fajtor dhe dënoi një të moshuar për abuzimin me një prej motrave, por abuzime të tjera mbetën të pandëshkuara, ndërsa vajzat kanë lindur tre fëmijë të cilët më pas janë marrë në kujdestari nga shteti.

Xhaxhai i tre grave që vuajnë nga probleme mendore kishte shpresuar se problemi ishte zgjidhur, por me rikthimin e tyre në rrugë duket se gjithçka ka filluar nga e para.

“Ato po sillen rrugëve si më parë dhe që normalisht në këtë situatë, është e vështirë për t’i kontrolluar dhe detyrimisht bien pre e abuzimeve,” tha xhaxhai, i cili bëri sërish apel për një zgjidhje afatgjatë dhe strehim të motrave dhe të nënës së tyre në një qendër të specializuar. /Reporter.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco