Si do kontrollohen pallatet dhe shtëpitë e ndërtuara para viteve ’70/ Paralajmërimi për shembje e sekuestrim

Si do kontrollohen pallatet dhe shtëpitë e ndërtuara para viteve ’70/ Paralajmërimi për shembje e sekuestrim

16:10, 31/01/2020
A+ Aa A-

Ligji, i depozituar në Kuvend pas dëmeve të mëdha që pësuan ndërtimet në tërmetin e 26 nëntorit dhe konstatimit të shumë shkeljeve në projekte, synon që të vërë rregull në një fushë, ku, siç Kryeministri Edi Rama deklaroi, abuzimet kanë qenë shumë të mëdha.

Në ligj theksohet se do të ketë një proces auditimi teknik për të gjitha ndërtimet që kanë më shumë se 50 vite. “Të gjitha objektet, të cilat kanë mbi 50 vjet që janë ndërtuar, i nënshtrohen procesit të auditimit teknik. Rregullat për mënyrën sesi do të zbatohet auditimi dhe cilat do të jenë subjektet që do ta kryejnë atë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në nenin 2 të këtij ligji.

Një pikë tjetër shumë e rëndësishme e këtij ligji të ri për ndërtimet, ka të bëjë edhe më procesin mbikëqyrës. Sipas këtij ligji, kompetencat për oponencën teknike të ndërtimeve publike, por edhe ato private me vlerë më shumë se 100 milionë lekë, do të bëhet nga organet shtetërore.

“Oponenca teknike për projektet e ndërtimit të objekteve do të kryhet nga institutet shtetërore ose ente të tjera, të përcaktuara nga ministria që mbulon veprimtarinë e ndërtimeve, për të gjitha: a) ndërtimet publike; b) ndërtimet jopublike, me vlerë të preventuar, së paku, 100 milionë lekë; c) objektet me akses publik”, thuhet në nenin 3 të ligjit që u miratua dje në Kuvend me 84 vota.

Ndërsa Kryeministri Rama, në fjalën e tij, theksoi se zbatimi i këtij ligji duhet të jetë më i ashpër dhe paralajmëroi deri edhe sekuestrim të ndërtesave në rastet kur shkelet leja e ose nuk zbatohet projekti.

“Nuk mund të ketë ndërtesa që janë gjysmë të ligjshme, gjysmë të paligjshme. Në momentin kur ke marrë leje për të bërë 5 kate dhe bën 6, ndërtesa është e gjitha e paligjshme. Nuk mund të jetë që të prishet kati i gjashtë. Jo, nuk prishet kati i gjashtë, se të prishësh katin e gjashtë do të thotë të hysh në një histori që nga pikëpamja ekonomike, nga pikëpamja inxhinierike, nga pikëpamja e kohës, e stërmundon shtetin, ndërkohë që ndërtuesit nuk i hyn asnjë gjemb në këmbë.

Prandaj, ajo çka duhet bërë taksative është që çdo volum i ndërtuar për qëllim fitimi, pra, flasim për banesa, për godina me shumë njësi, nuk flasim për shtëpitë e njerëzve në fshat, duhet ose shembur, ose sekuestruar për qëllime sociale. Nuk mund të jetë më pronë e atyre që e kanë ndërtuar. Vetëm mbyllja e këtij cikli do të bëjë që më në fund edhe në Shqipëri të kemi ndërtime që janë në përputhje me ligjin”, u shpreh Kryeministri.

Neni 2

Pas nenit 4 shtohet neni 4/1, si më poshtë vijon: “Neni 4/1, Të gjitha objektet, të cilat kanë mbi 50 vjet që janë ndërtuar, i nënshtrohen procesit të auditimit teknik. Rregullat për mënyrën sesi do të zbatohet auditimi dhe cilat do të jenë subjektet që do ta kryejnë atë, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”.

Neni 3

Neni 6 riformulohet si më poshtë vijon: “Neni 6, Oponenca teknike për projektet e ndërtimit të objekteve do të kryhet nga institutet shtetërore ose ente të tjera, të përcaktuara nga ministria që mbulon veprimtarinë e ndërtimeve, për të gjitha: a) ndërtimet publike; b) ndërtimet jopublike, me vlerë të preventuar, së paku, 100 milionë lekë; c) objektet me akses publik. /PANORAMA

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco