Për ata që nuk e dinë, kur ikin e vijnë në Shqipëri/ Ja sa para lejohen me vete

Për ata që nuk e dinë, kur ikin e vijnë në Shqipëri/ Ja sa para lejohen me vete

12:39, 28/01/2020
A+ Aa A-

Mjaft qytetarë shqiptarë që lëvizin për jashtë vendit nuk janë të informuar për shumën e parave, valutës apo sendeve me vlerë të cila lejohen nga autoritet që të mbahet me vete, pa dokumentacionin e origjinës. Por çfarë parashikon ligji dhe sa para mund të kalohen në kufi pa pasur nevojën e deklarimit?

Sipas ligjit të ndryshuar vitit 2008, Administrata Doganore njofton të gjithë personat të cilët hyjnë në/ose largohen nga territori i Republikës së Shqipërisë, se janë të detyruar të deklarojnë shumat në të holla, çdo lloj instrumenti të negociueshëm të mbajtësit, metalet ose gurët e çmuar, sendet me vlerë dhe objektet antike, duke filluar nga shuma 10 mijë euro ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera, qëllimin e mbajtjes së tyre, si dhe të paraqesë dokumente justifikuese përkatëse.

Deklarimi kryhet pranë zyrave të Administratës Doganore, në Pikën e Kalimit Kufitar, hyrje apo dalje. Gjithashtu kryhet nëpërmjet formularit për raportimin e transportit të vlerave në kufi (RTVK) i cili plotësohet online pranë zyrave doganore në Pikat e Kalimit Kufitar.

Deklarimi i rremë apo i pasaktë apo mos deklarimi, bazuar në ligjin e mësipërm, neni 17/1, Administrata Doganore ka të drejtën e vendosjes së gjobës.

Kur konstatohet mosdeklarimi ose deklarimi i rremë, paralelisht me vendosjen e gjobës nga Administrata Doganore, trajtimi i rastit bëhet sipas dispozitave të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.

Gjobat për mosdeklarim apo deklarim të rremë janë:

a) për shumat nga 10 000 – 19 999 euro ose kundërvlerën e tyre në monedha të tjera të huaja, gjoba është në shumën 20 000 (njëzet mijë) lekë për herën e parë, 10 % të vlerës së padeklaruar për herën e dytë, si dhe 30 % të vlerës së padeklaruar për rastet e tjera;

b) për shumat nga 20 000 – 49 999 euro ose kundërvlerën e tyre në monedha të tjera të huaja, gjoba është në shumën 40 000(dyzet mijë) lekë për herën e parë, 20 % të vlerës së padeklaruar për herën e dytë, si dhe 40 % të vlerës së padeklaruar për rastet e tjera;

c) për shumat mbi 50 000 euro ose kundërvlera e tyre në monedha të tjera të huaja, gjoba është në shumën 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë për herën e parë, 30 % të vlerës së padeklaruar për herën e dytë, si dhe 50 % të vlerës së padeklaruar për rastet e tjera.

KUJDES! Paraqituni pranë Autoriteve Doganore për të plotësuar formularin për raportimin e transportit të vlerave në kufi (RTVK) duke paraqitur dokumente plotësuese që justifikojnë burimin e të ardhurave që deklaroni.

Udhëtarët duhet të kenë parasysh se deklarimi kryhet:

-Përpara kontrollit të pasaportës nga autoritetet e Policisë dhe Autoritetet e Sigurisë. Nuk ka rëndësi mënyra e udhëtimit tuaj (me avion, anije, makinë, motor, biçikletë, këmbë).

-Nuk ka rëndësi ku ju i mbani vlerat monetare: në çantën e dorës, në bagazhe, në mjetin që udhëtoni.

-Edhe nëse mjetet monetare nuk janë në pronësinë tuaj.

Në faqen zyrtare të doganave shqiptare evidentohet se nuk paguhet taksë për plotësimin formularit të deklarimit të vlerave monetare (RTVK). Gjithsesi, rruga më e këshillueshme për të transferuar para drejt Shqipërisë mbeten kanalet zyrtare; sistemi bankar apo institucionet financiare të tjera të licencuara për këtë shërbim.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco