Denoncimi i fortë i mjekut: Jemi shërbëtorë të pacientëve, jo të oligarkëve!

Denoncimi i fortë i mjekut: Jemi shërbëtorë të pacientëve, jo të oligarkëve!

10:53, 22/01/2020
A+ Aa A-

Ish-kryeministri Sali Berisha publikoi një denoncim të një mjeku për atë që e quajti ‘mashtrimi dhe vjedhja klamoroze e supermafiozes Vilma Nushi me check-up e Edvin Kristaq Hajdutit!’ “Qindra mijëra falsifikime duke përdorur nga listat e të vdekurve të denoncuara më parë te karta identiteti të emigrantëve që nuk jetojnë në Shipëri. Këto jane mashtrimet e monstër Nushit, që ndërton lumturinë dhe pasurinë e saj mbi sëmundjet, dhimbjet, vdekjet e shqiptarëve! Këtu më poshtë keni shkrimin e dr. Ilir Allkja,” shkruan Berisha.

Nga Ilir Allkja

I gjithë sistemi i kujdesit shëndetësor parësor prej 5 vjetësh është në shërbim të konçensionit Check-Up, në shërbim të parave të Vilma Nushit.

Në nenin 1 të kontratës 2019 të mjekut të familjes me drejtoritë rajonale të fondit të sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në të cilin shkruhet qartë se:

- Objekti i kësaj Kontrate është financimi nga skema e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor i QSH për dhënien e shërbimeve shëndetësore të paketës bazë të shërbimeve të kujdesit parësor, si dhe kontrolli mjekësor bazë për shtetasit e grupmoshës 35-70 vjeç, që ofrojnë QSH për banorët që mbulojnë.

Kontrolli mjekësor bazë për shtetasit e grupmoshës 35-70 vjeç, ndryshe Check-Up i financuar nga buxheti i shtetit, nëpërmjet një kontrate korruptive pa garë duhet të jetë objekt urgjent i punës së SPAK!

Përse do të thoni ju?

Së pari, ky koncension, ashtu si dhe shumë të tjerë, është dhënë pa garë, në shkelje të hapur me ligjet e administrimit të parasë publike të taksave tona, pa prokurim publik.

Së dyti, ky aktivitet kryhet në ambjentet e Qendrave Shëndetësore Shtetërore, pajisjet e Check-Up mbahen në punë me me rrymën që paguhet nga shteti në ambientet shtetërore, pa asnje pagesë prej kompanisë koncensionare.

Së treti, mjekët dhe infermierët e familjes janë të detyruar të punojnë çdo ditë falas për koncensionarin e Check-Up, madje të detyruar nga shteti!

Madje në nenin nr. 6 të kontratës, thuhet se “QSH është përgjegjëse për mirëmbajtjen e pajisjeve dhe aparaturave në kabinetet e kontrollit mjekësor bazë, (Check-Up) zbatimin e kërkesave të Udhëzuesit të MSHMS për kontrollin mjekësor bazë për shtetasit e grupmoshës 35-70 vjeç” dhe kjo pa asnjë detyrim të koncensionarit ndaj institucioneve të kujdesit shëndetësor e madje as stafit mjekësor, i cili në këtë rast është i tëri në shërbim të koncensionarit falas.

Po të lexosh nenin 8, vëren se është i tëri vetëm për Check-Up:

Për shërbimin e kontrollit mjekësor bazë për grupmoshat 35-70 vjeç, çdo Qendër Shëndetësore ka për detyrë:

1. Të evidentojë shtetasit 35-70 vjeç, me banim të përhershëm, në territorin që mbulohet nga QSH.

Kjo punë nga mjekët e familjes kryhet falas, dhe duke uzurpuar planin normal të tyre pa asnjë shpërblim.

2. Të identifikojë mjedisin (dhomën), që do të shërbejë për kryerjen e ekzaminimeve sipas programit të kontrollit mjekësor bazë 35-70 vjeç.

Dhoma, mjedisi ofrohet falas për koncensionarin, pa asnjë pagesë si për ambjentin ashtu edhe për energjinë apo ujin, që do të thotë se ne paguajmë dy here me taksat tona për Vilma Nushin.

3. Të mbajë të plotësuar mjedisin (dhomën), që do të shërbejë për kryerjen e ekzaminimeve me setin e pajisjeve standarde, setin e materialeve të konsumit, setin e pyetësorëve.

4. Të hartojë grafikun e dorëzimit të monstrave të laboratorit, tek operatori i përzgjedhur për transportin e mostrave drejt laboratorit të përcaktuar.

5. Të plotësojë modulet e sistemit të informacionit, të programit të kontrollit mjekësor bazë.

6. Të bëjë vlerësimin dhe komunikimin e riskut për personat e grup moshës 35 - 70 vjeç, që kanë kryer kontrollin mjekësor bazë, dhe kjo punë pa asnjë shpërblim nga koncensionari.

Kryesorja, a është i nevojshëm një konçension Check-Up, i cili për ironi të taksapaguesve më të varfër në Europe quhet falas, por që ju kushton shqiptarëve miliona euro çdo vit?

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 55 shprehet:

1. Shtetasit gëzojnë në mënyrë të barabartë të drejtën për kujdes shëndetësor nga shteti.

2. Kushdo ka të drejtë për sigurim shëndetësor sipas procedurës së caktuar me ligj, që do të thotë se çdo shtetas shqiptar nga të porsalindurit e deri sa të kenë jetën kanë të drejtë të paraqiten në çdo institucion shëndetësor shtetëror e të marrin falas shërbimin shëndetësor!

Në qoftë se bisedon nga afër me mjekët e familjes kupton shumë më tepër, të gjithë punojnë nën presion nga shefat e drejtorët e fondit për të rritur me çdo mënyrë numrin e kontrolleve mjekësore baze, madje nqs nuk arrihet targeti ka penalitete!

Çarja e madhe e marrëdhënies mjek pacient ka ardhur pikërisht prej përdorimit të jashtëligjshëm që qeveritë në përgjithësi, e sidomos kjo e rilindjes në veçanti, po ju bëjnë mjekëve duke i vënë në shërbim të konçensioneve korruptive, duke i detyruar deri aty sa t’ju bëjnë presion pacientëve për dhënien e shërbimit, nqs nuk kryejnë Check-Up për llogari të Vilma Nushit!

Zotërinj pushtetarë, profesioni fisnik i mjekut është shumë larg bizneseve e milionave tuaj korruptive!

Na lini të punojmë si shërbëtorë të pacientëve, jo të oligarkëve!

Unë por dhe shumë kolegë të mij kemi mbledhur e po ruajmë do prove që provon presionin tuaj ndaj bluzave të bardha e ndaj profesionit të mjekut !

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco