Ç'duhet bërë kur me Green Card, ju ndalojnë në kufirin e SHBA

Ç'duhet bërë kur me Green Card, ju ndalojnë në kufirin e SHBA

08:16, 14/01/2020
A+ Aa A-

Për çështje të emigracionit në SHBA, sqaron avokati Kieran Both:

Në përgjithësi, të gjithë ata që mbërrijnë në kufirin amerikan apo në një pikë kufitare çfarëdo të SHBA-së gëzojnë një numër të drejtash themelore, kurse rezidentët e përhershëm (LPR-ët), të njohur ndryshe si persona me green card, kur kthehen në Shtetet e Bashkuara pas një udhëtimi jashtë shteti, gëzojnë shumë më tepër të drejta se jo-emigrantët. Si të gjithë udhëtarët e huaj, edhe ata që kanë green card, me të mbërritur në aeroport apo në një pikë hyrëse tokësore, inspektohen nga U.S. Customs and Border Protection (CBP), [agjencia federale amerikane që merret me mbrojtjen dhe sigurinë e kufirit]. Duke qenë se jeni LPR, oficerët e kësaj agjencije do t’ju marrë në pyetje për të vendosur nëse jeni një “rezident që po kthehet” apo një “i huaj i porsaardhur”.

Nëse ngrihen pyetje të caktuara dhe CBP-ja nuk mund t’ju lejojë të hyni menjëherë në SHBA, atëherë mund t’ju çojnë në një zonë të lënë apostafat për atë që quhet “inspektim dytësor”.  Vendimi për t’ju dërguar për një inspektim të dytë, nuk përbën në vetvete një veprim me pasoja negative, por përgatituni që mund t’ju mbajnë nga disa minuta deri në disa orë nëse del ndonjë problem. Gjatë këtij inspektimi dytësor, CBP-ja do t’ju bëjë pyetje dhe mund t’ju marrë të dhënat biometrike dhe ato biografike, do të kontrollojë dosjen tuaj për të vendosur nëse duhet ose jo të lejoheni të hyni në Shtetet e Bashkuara. Nëse CBP-ja ju ndalon për një inspektim të dytë, kini parasysh që gëzoni të drejtat si më poshtë:

Keni të drejtë të kontaktoni konsullatën për të kërkuar ndihmë. Konsullata mund t’ju ndihmojë që të kontaktoni një avokat apo familjen tuaj.
Nëse keni një avokat, duhet t’i kërkoni CBP-së leje për ta kontaktuar avokatin. Keni kujdes, sepse pavarësisht nga kjo, CBP-ja mund t’ju thotë që nuk keni të drejtë të flisni me një avokat.
Keni të drejtë të rishikoni të gjitha deklaratat me shkrim që janë përgatitur për ju, në gjuhën që e kuptoni mirë. Nëse nuk bini dakort me përmbajtjen e dokumentave që ju kanë paraqitur, mund të refuzoni t’i nënshkruani.
Nuk keni të drejtën e privacy-së kur bëhet fjalë për celularin, kompjuterin, kompjuterin tablet apo çfarëdolloj pajisjeje elektronike tuajën. Gjatë proçesit të inspektimit, CBP-ja mund t’i kontrollojë këto pajisje, të futet tek e-mail-at tuaj, si dhe të kontrollojë aktivitetin tuaj në mediumet sociale. Telefoni, laptop-i apo pajisja tjetër dixhitale që këni me vete mund t’ju mbahet dhe t’ju kthehet më vonë.

Nëse CBP-ja vendos që jeni një “rezident që po kthehet”, atëherë proçedura mbaron shpejt dhe ju lejohet të futeni në SHBA. Por, CBP-ja do t’ju trajtojë si “të huaj të porsaardhur”, në rast se ajo arrin në konkluzionin që:

Keni braktisur Apo hequr dorë nga statusi i rezidentit të përhershëm;
Nuk keni qenë fizikisht në Shtetet e Bashkuara për një periudhë pa ndërprerje prej 180 ditësh;
Jeni marrë me veprimtari të paligjshme pas largimit nga SHBA-ja;
Jeni larguar nga SHBA-ja, gjatë kohës që ishit në proçes dëbimi apo ekstradimi;
Keni kryer vepra të caktuar penale, me përjashtim të rasteve kur shërbimi i emigracionit ju ka aprovuar një kërkesë për falje; ose
Nëse po përpiqeni të futeni në SHBA pa iu nënshtruar inspektimit.

E drejta për të dalë përpara një gjykatësi emigracioni.

Një rezident i përhershëm që shpallet “alien i porsaardhur”, mund të akuzohet si i deportueshëm nga SHBA-ja. LPR-ët e akuzuar si të deportueshëm kanë të drejtën të dalin përpara gjykatësit të emigracionit.

Braktisja e statusit të rezidentit të përhershëm.

CBP-ja mund t’ju bindë që e keni braktisur statusin e rezidentit të përhershëm për shkak të mungesës nga SHBA-ja, dhe t’ju nxisë të firmosni formularin I-407, Abandonment of Lawful Permanent Resident Status. Gjithsesi është e rëndësishme të dini që nuk mund ta humbisni statusin e rezidentit të përhershëm vetëm sepse keni kaluar kohë jashtë vendit. Një LPR mbetet i tillë sa kohë që qeveria nuk ka dhënë prova të qarta, të pakundërshtueshme dhe bindëse si dhe një gjykatës emigracioni nuk ka lëshuar një urdhër dëbimi i cili është bërë i formës së prerë. Formulari I-407 duhet firmosur në mënyrë të vullnetshme. Mund të refuzoni ta firmosni këtë formular dhe nëse veproni kështu kjo nuk do të ketë pasoja negative. Nëse CBP-ja beson që e keni braktisur rezidencën e përhershme dhe në të njëjtën kohë ju refuzoni të firmosni formularin, atëherë CBP-ja do të lëshojë një Notice to Appear (NTA), që është një njoftim për të dalë përpara një gjykatësi të emigracionit i cili më pas do të vendosë nëse e keni braktisur ose jo statusin e rezidentit të përhershëm. CBP-ja vetë nuk mund të marrë një vendim të tillë.  Edhe nëse CBP-ja beson që ju e keni braktisur statusin e rezidentit të përhershëm dhe ju e firmosni formularin I-407, përsëri keni të drejtë për të dalë përpara një gjykatësi emigracioni. Nëse CBP-ja jua merr green card-ën, ju keni gjithsesi të drejtën të mbani një dëshmi tjetër të statusit të LPR-it, si p.sh. vulën në pashaportë.

Udhëtimet e ardhshme 

Në të ardhmen, për të shmangur vonesat në pikat hyrëse kufitare apo probleme të tjera të natyrës ligjore, është mirë që përpara se të ndërmerrni udhëtimin, të konsultoheni me një avokat emigracioni në rast se:

Keni një dosje penale (dënime penale ose padi penale që janë ende pezull)
Keni pezull ndonjë aplikim paraqitur Shërbimit të Emigracionit (USCIS) ose zyrës ekzekutive që mbikqyr gjykatat e emigracionit (EOIR).
Keni diçka në historikun tuaj të emigracionit të cilin e keni mbajtur të fshehtë gjatë proçesit të emigracionit ose që është e tillë që ta bëjë zyrtarin e qeverisë t’ju pyesë për arsyen e udhëtimit ose për historikun tuaj të emigracionit.

Nëse keni ndërmend të udhëtoni dhe nuk jeni të sigurt nëse këto ligje vlejnë për rastin tuaj konkret, atëherë është mirë që këto çështje t’i diskutoni personalisht dhe në kushte konfidencialiteti me një avokat emigracioni me përvojë. Ligji mund t’ju bëjë konfuz dhe pasojat në rastin kur dikush ndërmerr një udhëtim në një situatë të gabuar, mund të jenë drastike. Ju lutemi që të keni parasysh që përmbajtja e këtij shkrimi nuk përbën këshillë ligjore. Ky informacion paraqitet nga Shoqata e Avokatëve Amerikanë të Emigracionit (AILA) për t’u vënë në shërbim të publikut./Gazeta Illyria

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco