Fajtorët për vrasjet nga tërmetet ishin të zakonshmit

Fajtorët për vrasjet nga tërmetet ishin të zakonshmit

14:02, 06/01/2020
A+ Aa A-

Nga Lori Dengler

Profesoreshë emeritus në gjeologji në universitetin Humboldt. Eksperte në fushën e tërmeteve dhe cunamit

E kam mbajtur frymën. Tashmë mund të marr frymë çlirisht dhe mund të them se viti 2019 ishte një vit i qetë përsa i përket tërmeteve. Si numri i tërmeteve të mëdha, ashtu edhe viktimat nga tërmetet ishin nën mesataren.

Tërmeti më i madh ishte ai me magnitudë 8.0 në Peru më 26 maj. U ndje në të gjithë vendin dhe në Ekuadorin fqinj, në Brazil dhe Kolumbi. Por edhe pse Shërbimi Gjeologjik Amerikan përllogarit se 1.6 milionë njerëz ndjenë dridhje të forta, ndikimi ishte modest për një tërmet të kësaj madhësie. Ai dëmtoi rreth 1 mijë struktura dhe zhvendosi mbi 1 mijë familje, por shkaktoi vetëm dy viktima. Thellësia e tërmetit, 76 milje, dhe vendndodhja larg zonave të banuara i lehtësuan efektet.

Një mënyrë e mirë për të parë veprimtarinë sizmike është lëshimi i energjisë nga të gjitha tërmetet, sesa fokusimi tek një ngjarje e vetme. Tërmetet lëshojnë një sasi të madhe energjie. Bomba më e madhe atomike e testuar ndonjëherë (Bomba Car, e shpërthyer në atmosferë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1961) kishte një fuqi prej 50 megatonësh TNT. Kjo është pak a shumë sa energjia e lëshuar nga një tërmet i vetëm me madhësi 8.4. Sigurisht që ekziston një ndryshim i rëndësishëm në mënyrën se si lëshohet kjo energji. Për fat të mirë për ne, shumica e energjisë së tërmetit shkon në tokë. Vetëm një fraksion i vogël shkon te valët sizmike që shkaktojnë dëme.

Energjia e çliruar nga tërmetet ndryshon në mënyrë të konsiderueshme nga viti në vit. Mesatarja gjatë dy dekadave të fundit ka qenë afërsisht e barabartë me tre Bomba Car. 2011-a qëndron në krye, pasi u çliruan më shumë se 14 Bomba Car energji. Viti 2019 është në fund të listës me rreth 75 përqind të një bombe të vetme Car.

Arsyeja se përse u çlirua më pak energji lidhet me faktin se ka pasur më pak tërmete të shkallës 7. Dallimi në madhësi mes një tërmeti 6 dhe një 7 mund të mos duket shumë, por shkalla e madhësisë është logaritmike, dhe çdo njësi në madhësi korrespondon me një rritje prej më shumë se 30 herë në energji. Numri mesatar vjetor i tërmeteve me këtë shkallë është 15, kurse viti 2019 prodhoi vetëm 9 tërmete të tillë, edhe ata kryesisht në shkallën e fundit të diapazonit.

Çfarë do të thotë kjo? Jo shumë sa i përket asaj që presim sivjet. Në dritaren tonë të shkurtër të regjistrimeve instrumentale, kemi parë dekada kur aktiviteti sizmik ishte i ulët dhe të tjera kur ishte shumë i lartë. Dhjetë vitet mes 1955 dhe 1965 prodhuan dy tërmetet më të mëdhenj në planet (në Kili në vitin 1960, i shkallës 9.5 dhe në Alaska në vitin 1964, i shkallës 9.4). Vitet ’70 dhe ’80 ishin më të qeta, me tërmete jo më të mëdha se 8.3.

Por nuk është e nevojshme të ndodhin tërmete të mëdhenj për të shkaktuar dëme të mëdha. Sipas statistikave, 98 përqind e vdekjeve nga tërmetet shkaktohen nga tërmete me madhësi më pak se 8. Viti më vdekjeprurës i dy dekadave të fundit ishte 2010. Ai prodhoi një numër tërmetesh të mëdha, duke përfshirë edhe atë 8.8 në Kili. Por ishte tërmeti relativisht modest i shkallës 7 në Haiti, që shkaktoi pothuajse të gjithë 320 mijë viktimat e atij viti.

44 tërmete shkaktuan viktima në vitin 2019- një rritje nga mesatarja vjetore prej 24 e dy dekadave të fundit. Por vetëm tre shkaktuan më shumë se 40 viktima. Më i keqi, ai i nëntorit në Shqipëri, i shkallës 6.4, vrau 52 njerëz. Në total, me 288 viktima, ky është viti i dytë me numrin më të ulët në dy dekadat e fundit, dhe i katërti që prej viti 1970. Fajtorët këtë vit ishin të zakonshmit- shembja e strukturave të ndërtuara dobët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco