Përpjekjet për rimëkëmbje pas tërmetit/ PNUD ndihmon Shqipërinë, me ekspertë ndërkombëtarë

Përpjekjet për rimëkëmbje pas tërmetit/ PNUD ndihmon Shqipërinë, me ekspertë ndërkombëtarë

21:51, 11/12/2019
A+ Aa A-

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ PNUD dërgoi një ekip ekspertësh ndërkombëtarë për të ndihmuar Shqipërinë, në përpjekjet e para për rimëkëmbje pas tërmetit të 26 nëntorit.

Në bashkëpunim me Qeverinë shqiptare, Njësinë e Mbrojtjes Civile të BE-së dhe Institutin e Statistikave (INSTAT), PNUD aplikoi metodologjinë e Vlerësimit të Banesave dhe Ndërtesave të Dëmtuara (HBDA), e cila është përdorur më parë në vende të tjera të botës pas situatave të ngjashme, sipas atsh.

Metodologjia përfshin një proces të mbledhjes dhe të vizualizimit të të dhënave për të konstatuar dëmet në ndërtesat në shtatë bashkitë më të prekura. Pas testimit të suksesshëm të kësaj metodologjie në terren, autoritetet shqiptare janë duke e aplikuar atë për të kryer vlerësimin e dëmeve.

PNUD është gjithashtu duke ndihmuar në vlerësimin e nevojave të qytetarëve të strehuar përkohësisht në hotele dhe çadra. PNUD po bashkëpunon me INSTAT për kryerjen e një miniankete mbi bazën e metodologjisë SILC (Analizë të të Ardhurave dhe Kushteve të Jetesës) me qëllim vlerësimin e impaktit të tërmetit dhe krijimin e një platforme të vizualizimit të të dhënave e cila do të ndihmojë në përshpejtimin e vendimmarrjes së qeverisë për ndihmën prioritare.

Gjithashtu, PNUD është duke bashkëpunuar me institucione shtetërore për të gjeneruar të dhëna mbi pasojat e tërmetit te familjet në bashkitë e prekura, në mënyrë që të nxirren të dhëna të sakta për Vlerësimin e ardhshëm të Nevojave pas Fatkeqësisë (PDNA) nën udhëheqjen e qeverisë, i cili do të kryhet me mbështetjen e Bashkimit Europian, Bankës Botërore dhe sistemit të OKB-së, duke përfshirë edhe mbështetjen teknike, ekspertizën ndërkombëtare dhe kombëtare dhe eksperiencën mbarëbotërore të PNUD

Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD në Shqipëri, Limya Eltayeb, u shpreh se, “pas kësaj fatkeqësie, qeveria shqiptare duhet të kryejë një vlerësim sa më të shpejtë të ndërtesave të dëmtuara dhe të sigurojë rikthimin e qytetarëve në shtëpitë e tyre, të nisë vlerësimin PDNA dhe të zhvillojë një kuadër të rimëkëmbjes pas fatkeqësisë. PDNA bën vlerësimin e dëmeve dhe humbjeve dhe qëndron në themel të një programi gjithëpërfshirës të rimëkëmbjes, i cili promovon barazinë dhe përfshirjen. Në mënyrë specifike, PDNA vlerëson shtrirjen e plotë të pasojave të një fatkeqësie, përcakton nevojat për rimëkëmbje dhe shërben si bazë për hartimin e një strategjie rimëkëmbjeje me qëllim koordinimin e financimit nga donatorët. Komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë edhe PNUD, solidarizohet me popullin shqiptar në këto momente të vështira”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco