5-vjetori i ndarjes nga jeta/ Shoqja mesazh të ndjerë për Dorianën: Kjo s'është drejtësia që studionim e besonim

5-vjetori i ndarjes nga jeta/ Shoqja mesazh të ndjerë për Dorianën: Kjo s'është drejtësia që studionim e besonim

17:03, 19/11/2019
A+ Aa A-

Sot shënohet 5-vjetori i ndarjes nga jeta të Dorianës, bashkëshortes së portierit të Partizanit dhe Kombëtares, Alban Hoxha.

Pavarësisht akuzave të familjarëve, mjekët përgjegjës u dënua me vetëm 400 mijë lekë gjobë.

Lidhur me këtë reagon edhe shoqja e Dorianës në Fakultetin Juridik, Marinela Ziu.

“Sot, në 5 vjetorin e humbjes tënde, Drejtësia, ajo për të cilën ne studionim e diskutonim pafund, e që na lidhi më shumë bashkë, dënoi ata që të morën jetën për një hollues gjaku, në ditën tënde më të bukur, si nënë për herë të parë, me 400 mijë lekë...

Ky sistem drejtësie, dhe jo vetëm, nuk është ajo që ne ëndëronim, po unë besoj fort në Zot, dhe Ai, ligësinë dhe arrogancën, nuk e dënon me 400 mijë lekë...

Zoti të pastë afër Dor!”, shkruan Ziu në postimin e saj.

Si humbi jetën Doriana?

Në Dhjetor të vitit 2014, në maternitetin “Koço Gliozheni”, Doriana Haka lindi një djalë përmes operacionit. Por fatkeqësisht, 24 orë më pas gjendja e saj rëndohet. Doriana ndërroi jetë pas 15 ditësh në pavionin e neurologjisë në QSUT.

Një muaj para lindjes, kardiologia Sonila Bele konstatoi një problem me zemrën e vajzës, pas të cilit, ajo duhet të merrte hollues gjaku. Por para momentit të lindjes kontrollet nuk iu bënë, për të vendosur që edhe kardiologia të merrte pjesë në ndërhyrje për të mbajtur nën kontroll gjendjen e Dorianës.

Pas humbjes së jetës, u regjistrua vepra penale për dy mjekët e maternitetit, anestezisten Elona Burba dhe mjekun Petrit Rexhepi. Dy akt-ekspertimet konstatojnë se moskryerja e analizave para operacionit, ishte shkaku i vdekjes së të resë.

Ekspertët mjekoligjorë Arben Lloja dhe Elmaz Shaqiri kanë konstatuar ndër të tjera se konsulta mjekësore e ekipit kirurgjikal dhe anestezist nuk është kryer. Mjekët e konsultës dhe anestezistja nuk janë njohur me problemet e zemrës që kishte Doriana. Nuk janë zbatuar procedurat mjekësore të regjimit spitalor në rastin e shtrimit të planifikuar dhe përgatitjes për operacion të të ndjerës. Shkak i përkeqësimit të gjendjes së pacientes ka qenë tromboza totale e sinuseve kavernoze të trurit në anën e tij të majtë…rezulton që me shumë gjasa shkaku i vdekjes së pacientes Doriana Haka mund të ketë qenë arresti kardiak.

Edhe në akt ekspertimin e dytë, mjeku ligjor Sabri Hoxha ka konstatuar të njëjtat mangësi si dy kolegët e tij në akt ekspertimin e parë.

Një tjetër pikë që ia vlen për t’u diskutuar dhe që është një ndër pikat më të errëta në çështjen e vdekjes së 25-vjeçares është edhe mungesa e autopsisë. Asaj kohe autoritetet përkatëse kanë neglizhuar dhe të ndjerës nuk i është bërë autopsia për të kuptuar shkaqet e vdekjes.

Image

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco