Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Bizneset e mjeteve shkollore 'në sulm', shkolla e shtrenjtë për shqiptarët

Bizneset e mjeteve shkollore 'në sulm', shkolla e shtrenjtë për shqiptarët

08:14, 14/09/2019
A+ Aa A-

Shitja e gamës së gjerë të mjeteve shkollore është pothuajse aq e qëndrueshme sa ushqimi, sepse njerëzit vazhdimisht do t’i blejnë këto sende. Në kushtet e rënies së numrit të nxënësve dhe të rritjes së bizneseve të kësaj fushe, vëzhgimet tregojnë se çmimet e mjeteve shkollore rriten vazhdimisht, pasi tregtuesit po marrin më pak produkte me çmime më të shtrenjta…

Ndërsa na ndan një javë nga nisja e vitit të ri shkollor, të gjithë prindërit po bëjnë përgatitjet e fundit për të nisur fëmijët e tyre në shkollë. Por një nga ankesat e përvitshme të tyre janë çmimet e larta të artikujve shkollorë, të cilat prindërit janë të detyruar t’i blejnë. Bizneset e fushës shprehen se aktiviteti i tyre është tkurrur, duke e argumentuar me uljen e numrit të fëmijëve dhe rritjen e bizneseve që tregtojnë mjete shkollore. Në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, mjetet shkollore gjenden në çdo kancelari, librari, markete, si dhe dyqane për fëmijë.

Në anën tjetër, në qendrat tregtare krijohet një kënd i veçantë për rikthimin në shkollë dhe që në ditët e para të shtatorit nisin fushatat “Back to School”. Torta e shpenzimeve për këtë ditë, e cila nis që për fëmijët e ciklit parashkollor dhe në kopsht, ndahet jo vetëm në dyqanet e vogla të formës kancelari, por edhe në një “luftë titanësh” mes qendrave tregtare. Dyqanet e vogla shprehen se shitjet kanë rënë ndjeshëm ndërsa qendrat tregtare raportojnë që ky vit ka qenë i mirë në lidhje me tregtimin e e artikujve shkollorë.

Ani Xhetani, menaxher marketingu pranë “Jumbo Albania”, pohon për “Monitor” se fushata “Back to school” këtë vit ka pasur një rritje me rreth 16% të numrit të vizitorëve, krahasuar me një vit më parë. “Lidhur me fushatën ‘Back to School’, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kemi 16% më shumë vizitorë në 5 dyqanet tona në TEG, QTU, Durrës, Shkodër dhe Fier. Produktet më të shitura janë kryesisht: çanta, portofola, fletore, dosje, lapsa.

Preferohen më tepër produktet që janë me një personazh të dashur për nxënësit. Kemi vënë re rritje të performancës së dyqaneve në rrethe, pra Durrës, Shkodër dhe Fier këtë vit”, – thotë z. Xhetani. Edhe në qendrën tregtare “Ring Center”, fushata ka përfshirë të gjithë dyqanet që “përfitojnë” fillimi i shkollës: nga mjetet shkollore deri në veshje e këpucë.

Burime pranë “Shtëpia e Lodrave”, biznes i cili ka mbi 10 vite në tregun shqiptar, thonë për “Monitor” se ka pasur interes të lartë për çantat shkollore. Këtë vit, pohojnë nga departamenti i shitjes, janë zgjedhur çanta me çmime të larta, mbi 5000 lekë, edhe për fëmijët e kopshteve.
Iva, e cila prej 5 vitesh punon pranë kancelarisë “Infiniti Office” në Tiranën e Re, thotë se shitjet kanë rënë ndjeshëm këtë vit. “Vëmë re reduktim të numrit të fëmijëve në shkolla dhe që u drejtohen kancelarive tona. Ne kemi disa pika në Tiranë dhe këtë vit ndihet një rënie e ndjeshme e shitjeve. Jemi fokusuar dy vitet e fundit në përmirësimin e gamës së produkteve që ofrojnë, duke sjellë kështu mjete më cilësore”, -pohon ajo.

Nga kancelaria “Euro Office” në sheshin “Wilson” pohojnë se kanë vënë re, jo vetëm një numër më të ulët të fëmijëve në klasat fillore por edhe një rënie të numrit të fëmijëve. Sipas tyre, prindërit shqiptarë kanë më pak fëmijë se më parë dhe kjo i ‘penalizon’ automatikisht ato me shkurtimin e klientëve të ardhshëm.

“Megjithatë, prindërit nuk kursejnë për fëmijët, zgjedhin produktet më cilësorë. Prej vitesh të gjitha furnizimet tona përfshijnë një gamë cilësore produktesh, që të kenë jetëgjatësi më të madhe për nxënësit. Nuk sjellim më fletore apo stilolapsa të një vlere të ulët, pasi prindërit kërkojnë më cilësoret”, – pohojnë nga “Euro Office Kancelari”.

Sa kushton “dita e parë e shkollës”?

Një nga gjërat thelbësore që prindërit duhet të blejnë për fëmijët janë librat, të cilët variojnë me çmime deri në 5000 lekë. Bëhet fjalë për klasat e gjashta e në vijim të ciklit 9-vjeçar, pasi cikli fillor dhe për herë të parë, klasa e pestë, librat i merr falas. Por vetëm me libra nuk mund të thuash se e ke kompletuar pjesën e artikujve shkollorë të një fëmije. Lapsat, fletoret, bojërat dhe letrat me ngjyra, janë pjesa tjetër e domosdoshme për t’u blerë dhe që u nevojiten. Mesatarisht, kostoja e gjithë këtyre produkteve në tregje shkon në 2500 lekë për çdo fëmijë. Çantat janë një tjetër mjet i domosdoshëm për çdo nxënës.

Çmimi i tyre varion nga 1,500-4,500 lekë. Por nëse gjithë këtyre shpenzimeve do t’u shtojmë edhe përparëset që kushtojnë rreth 1000 lekë, kostot rriten edhe më tej. Çmimet e rrobave dhe të këpucëve kushtojnë edhe këtë vit më shumë, në varësi të markave ku blihen. Nëse bëjmë një mbledhje në total të të gjitha çmimeve për artikujt shkollorë rezulton se prindërit duhet të shpenzojë mesatarisht 7000 lekë për të çuar një fëmijë në shkollë, pa librat dhe me hamendësimin se produktet janë blerë në tregje dhe jo në dyqane më cilësore.

Edhe kopshtet

Por nuk janë vetëm fëmijët e shkollave të cilët trokasin në dyert e kancelarive apo librarive, për t’u pajisur me mjete në nisje të vitit shkollor. Edhe fëmijët e ciklit parashkollor, që nis me kopshtin, në moshën 3 vjeç deri në 6 vjeç, kanë një listë të tërë të mjeteve që u kërkohen nga kopshtet publike.

Për kopshtet publike prindërit paguajnë:

160 lekë në ditë ose rreth 3 200 lekë të reja në muaj për ushqim;
Rreth 1 000 lekë, që kërkohen si dhurim “vullnetar”, për të paguar rojën e “turnit të tretë”, si dhe shpenzime të tjera administrative;
500-1000 lekë paketa e kancelarisë, paguhet në kopsht ose prindi e sjell vetë.
Çdo muaj, prindërit duhet të çojnë në kopsht letra të lagura, letra të thata dhe sapun që do të përdoren nga ose për fëmijën e tij, paketa e higjienës që shkon në 500-800 lekë në muaj.
Bashkia kërkon në nisje të kopshtit një pagesë paraprake prej 5 000 lekë si garanci që prindërit do të përmbushin detyrimet e tyre deri në përfundim të vitit. Kjo pagesë duhet t’u kthehet në fund të vitit, por prindërit raportojnë raste që nuk u është kthyer.
200-500 lekë për aktivitete (shuma ndryshon në varësi të kopshteve apo aktiviteteve). Çmimet janë disi më të larta për fëmijët e kopshteve private, duke marrë në konsideratë një shifër më të lartë të tarifës mujore të tyre, ashtu sikurse edhe mjetet shkollore që kërkohen janë më të larmishme.

Shpenzimet bazë të shkollës 9-vjeçare dhe shkollës së mesme:

2 600—5 000 lekë për librat e shkollës për ciklin 9-vjeçar, pasi nga klasa e parë deri në të pestën, librat janë falas.
Deri në 6 500 lekë për shkollat e mesme
3 000 – 6 000 lekë për çantën e shkollës;
3 000 lekë për mjetet shkollore që kërkohen në fillim të vitit shkollor;
rreth 2 000 lekë për uniformën për shkollat 9-vjeçare e gjimnazet që e zbatojnë;
2 000 – 3 500 lekë për uniformën e detyrueshme të fizkulturës, sipas ciklit të studimeve
1 000 lekë kontribut për shkollën në fillim të shkollës (pagesë kryesisht për rojën)
Deri në 1000 lekë për produkte kancelarie në muaj;
Pagesa të tjera për vërtetime të ndryshme apo aktivitete

Rënia e numrit të nxënësve

Numri i nxënësve dhe studentëve që ndjekin sistemet arsimore në vend është duke pësuar rënie të ndjeshme nga viti në vit, si pasojë e emigracionit të lartë dhe rënies së numrit të lindjeve. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin shkollor 2018-2019, u regjistruan në të gjithë nivelet e arsimit zyrtar, 641.161 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 1,8%, krahasuar me të regjistruarit e vitit 2017, ose 11,500 persona më pak. Rënia më e madhe e numrit të nxënësve u vu re në arsimin 9-vjeçar, ku rezultojnë të regjistruar 13,141 nxënës më pak se në vitin shkollor 2017, me një rënie 4.1%.

Numri i fëmijëve të regjistruar në kopshte ishte 78,942 ose 2.6% më i ulët se në vitin 2017. Rënie u evidentua edhe në arsimin e mesëm. Në 2018 rezultojnë gjithsej të regjistruar 116,646 nxënës me një rënie 2.8% në raport me vitin e mëparshëm.

Në fillim të vitit shkollor 2018-2019, pjesëmarrja në të gjithë nivelet e arsimit, në krahasim me popullsinë e moshës shkollore ose GER (Raporti i Regjistrimeve Bruto), ishte 84,4%. Megjithatë, raporti i regjistrimit bruto është i ndryshëm në nivele të ndryshme arsimore.
Për vitin shkollor 2018-2019, GER në arsimin 9-vjeçar ishte 99,7%, me një ulje 1 pikë përqindje nga viti paraardhës. Raporti tregon për pjesëmarrje të lartë të popullsisë në këtë nivel arsimor, që ka të bëjë edhe me faktin se arsimi 9-vjeçar është i detyruar.

Në vitin 2018 morën pjesë në arsimin 9-vjeçar 95,6% nxënës të grup moshës 6-14 vjeç në krahasim me popullsinë përkatëse, përkundrejt 96,5% të tyre, në vitin 2017. Në arsimin e mesëm, pjesëmarrja ishte, 77,4% përkundrejt 76,7% në vitin 2017. Sektori i arsimit është reduktuar më shumë se 30% që nga viti 1990 si në numrin e nxënësve, mësuesve dhe shkollave.

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, numri i nxënësve që ndjekin arsimin e 9-vjeçar dhe të mesëm ra në 43 mijë e 700 nxënës në vitin 2018, nga 68 mijë e 600 nxënës në vitin 1991, ose 35% nxënës më pak. Rënia më e madhe ishte në arsimin 9-vjeçar, ku këtë vit janë ulur në bankat e shkollës 260 mijë nxënës më pak nxënës se në vitin 1991. Vetëm në dy vitet e fundit, në bankat e shkollës u ulën 46 mijë fëmijë më pak.

Rënia e numrit të nxënësve është shoqëruar edhe me reduktim të trupës arsimore. Në vitin 1991, numëroheshin 43700 mësues në të gjithë vendin, ndërsa në fillim të këtij viti, numri i tyre ishte 29000, me tkurrje 33% që nga viti i parë i tranzicionit.
Gjithashtu, numri i shkollave u ul me 35% që nga viti 1991. Shqipëria hyri në periudhën e tranzicionit me 2200 shkolla të arsimit 8-vjeçar dhe të mesëm, këtë vit dhe me 1134 shkolla. Afërisht, 150 shkolla u mbyllën vetëm këtë vit, për shkak se numri i nxënësve po bie në mënyrë të frikshme në disa qarqe të vendit.

INSTAT, arsimi më i shtrenjtë

Ky vit akademik është bërë më i shtrenjtë për të gjitha nivelet e studimit. Librat dhe mjetet shkollore kanë kushtuar më shumë që nga shtatori 2018. Edhe shërbimet arsimore gjatë 2018 kanë shënuar rritje krahasuar me vite më parë. Ndikimin më të madh në këtë rritje e patën mjetet shkollore dhe librat në ciklin 9-vjeçar nga klasa e 5-të deri tek e 9-a. Nga të dhënat e INSTAT, shihet se volumet e tregtisë me pakicë të librave dhe artikujve shkollorë janë rritur në 2019. Volumet e tregtimit të artikujve shkollorë u rritën 7.6% në korrik, ndërsa në muajt prill-qershor raportohet 7.5%. Gjatë vitit, më të larta kanë qenë në muajt shkurt-mars, që njihet në shkollë si nisje e semestrit të dytë dhe të rritjes së aktiviteteve në shkolla.
Edhe çmimi i shërbimeve arsimore janë rritur në vitin 2018 dhe krahasuar me 2014, rritja ka qenë me rreth 15%.

Shqiptarët, me shpenzimet më të larta për arsimin në Europë

Të dhënat e INSTAT, për matjen e nivelit të jetesës, treguan se pesha e shpenzimeve për arsim arriti në një nivel rekord, prej 4.4% të totalit të konsumit në 2017, nga 1.7% që ishte një dekadë më parë. Të dhënat krahasuese nga anketat e buxhetit të familjeve të vendeve të rajonit dhe Eurostat, të përpunuara nga “Monitor” në fund të vitit 2017, tregojnë se familjet shqiptare kanë peshën më të lartë të shpenzimeve për arsim nga vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Europian.

Mesatarja e Bashkimit Europian është 2.1%, ndërsa një familjeje në rajon i kushton shumë më pak (në termin relativ ndaj shpenzimeve totale) që të shkollojë fëmijën. Serbia, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina e kanë këtë raport midis 0.6-0.7%, ndërsa në Kroaci arrin në 1.1%. Instituti i Statistikave të Kosovës raporton në anketën e fundit të buxhetit të familjeve për vitin 2016, se pesha e shpenzimeve për arsim në totalin e buxhetit është zero. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin shkollor 2016/2017, numri i nxënësve dhe studentëve të regjistruar në arsim në Shqipëri ishte 596 mijë, nga të cilët 24% ndiqnin arsimin e lartë.

Tregu global

Tregu global i furnizimeve të mjeteve shkollore pritet të shënojë rritje mbi 3% gjatë periudhës 2019-2023, sipas raportit të fundit të kompanisë së kërkimit të tregut Technavio. Disa shitës me pakicë ofrojnë fletore, stilolapsa, lapsa, mbulesa librash, etiketa dhe shkrime të tjera shkollore të përfshira me një shkallë të lartë personalizimi për t’u lidhur më mirë me konsumatorët.

Zhvillimi i shpejtë në teknologjinë dhe softuerin e shtypjes u ka mundësuar shitësve, të ofrojnë dizajne të personalizueshme, duke u lidhur kështu dhe duke ngjallur një ndjenjë autenciteti midis nxënësve. Për më tepër, shitësit ofrojnë personalizim të produktit për të ngulitur një dimension emocional për produktin e tyre, në të vërtetë pa ndonjë kosto shtesë për konsumatorin. Në përgjithësi, rritja e personalizimit të produkteve pritet të vazhdojë të nxisë rritjen e tregut global të furnizimeve të zyrave dhe mjeteve shkollore gjatë periudhës së parashikimit.

Sipas Technavio, risitë në produkte të tilla si fletoret do të kenë ndikim pozitiv në treg dhe do të kontribuojnë në rritjen e tij në mënyrë të konsiderueshme gjatë periudhës së parashikimit. Ky raport studimi global i furnizimit të mjeteve të shkollave 2019-2023 analizon edhe tendencat e tjera të rëndësishme dhe nxitësit e tregut që do të ndikojnë në rritjen e tregut gjatë 2019-2023.

Për shkak të natyrës së fragmentuar të tregut dhe konkurrencës së fortë të bazuar në çmime, raporti tregon se shitësit në tregun global të furnizimit me mjete shkollore po theksojnë gjithnjë e më shumë në ofertat e produkteve inovative për të fituar një avantazh konkurrues. Shitësit janë duke përfshirë inovacionin jo vetëm në shkrim dhe furnizime mjetesh të bazuara në kompjuter, por edhe në produkte letre. Për shkak të përdorimit në rritje të pajisjeve mobile të mundësuar nga interneti si mjete mësimore në arsimin në klasë, studentët inkurajohen të sjellin pajisjet e tyre, siç janë tabletët dhe smartphone në klasa për të ndihmuar procesin e të mësuarit.

Në janar të vitit 2018, ITC njoftoi se ata po zhvillojnë teknikë të realitetit të shtuar (AR) për markën e tyre të notebook-t Classmate. Studentët mund të skanojnë imazhin e kopertinës përmes një aplikacioni AP të palëve të treta, duke e shndërruar atë në një enigmë ose lojë tërheqëse. Prandaj, inovacioni në furnizimet e zyrave shkollore pritet të vazhdojë si një mjet thelbësor i marketingut dhe i diferencimit të produkteve në tregun global të furnizimeve me mjete shkollore gjatë periudhës së parashikimit.

“Ekziston një konkurrencë e fortë midis shitësve në tregun global të furnizimit me shkrime shkollore për shkak të natyrës së fragmentuar të tregut dhe natyrës kryesisht të padiferencuar të produkteve. Kjo ka rritur inovacionin e produkteve në furnizimet shkollore gjatë viteve të fundit. Shitësit ndërkombëtarë dhe rajonalë të prodhimit përfshijnë inovacione të produkteve lidhur me funksionalitetin, veçoritë e produktit dhe paketimin për të nxitur rritjen”, thotë një analist i vjetër në Technavio./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco