VIDEO/ Fondacioni Fëmijët Shqiptar, mesazh nga prindërit për prindërit

VIDEO/ Fondacioni Fëmijët Shqiptar, mesazh nga prindërit për prindërit

22:10, 05/08/2019
A+ Aa A-

Për herë të parë prindërit e fëmijëve me autizëm janë organizuar nga Fondacioni Fëmijët Shqiptarë në takimin e parë të quajtur: “Dëgjesë Prindërore për Autizmin”.

Duke e konsideruar gjuhën e prindërve si gjuhën më të çmuar të kurajos njerëzore, Fondacioni Fëmijët Shqiptarë e sjell këtë format me qëllim që të përcjellë tek publiku shqiptar dhe jo vetëm, sakrificën, mundin, zhgënjimin, sukseset, harresën, kërkesa dhe nevojat që çdo prind ka ndjerë dhe ndien në rritjen e fëmijës së tij më këtë çrregullim. Blerina Lajaj Shehu nëna e Mishelit 14 vjeç autore e librit të parë të një nëne shqiptare për djalin e saj me autizëm është ndalur tek ndihma financiare që shteti jep për fëmijët me autizëm.

“Besoj, edhe ju si unë merrni nga shteti një lloj ndihme, për paaftësi dhe për kujdestari. Nuk I kalon 20 mijë lekë. Më thoni çfarë mund të bëj unë me 200 mijë lekë të vjetra. Unë kam 6 vite që paguaj mësuesen ndihmëse të djalit tim që e çoj në shkollë. Do ta paguaj sepse unë e di që fëmija im nuk mundet të qëndrojë më vete. Çfarë të bëj më parë? Dhe flas unë, që jam mësuese dhe marr një rrogë. Sa kërkon ai djalë nga unë.”

Dr. Liri Berisha , drejtuese e Fondacioni Fëmijët Shqiptar I bëri thirrje grave ligjvënëse, si nëna dhe si vendimmarrëse , të bëhen mbështetja dhe forca për të ecur përpara.

“Bëhuni bashkë, bëhuni iniciatorë të lëvizjeve të mëdha dhe kini vëmendjen e veçantë ndaj këtyre nënave, ndaj këtyre fëmijëve. Sidomos ndaj nënave, që kalojnë shumë netë pa gjumë, që çdo ditë përballen me sfida të reja. Ata nuk mirëpriten, edhe pse janë ekonomiste shumë të zonja, edhe pse janë mësuese të përkushtuara, janë kuzhiniere, juriste, sanitare të devotshme. Nuk i mirëprisni sepse nuk i njihni. Nuk e dini dhimbjen e tyre. Ju nuk njihni as rrënimin ekonomik që këto familje kanë. Përpiquni për ligje që ti mbështesni, për ligje sa më të buta që të ndihen të lehtësuara. Mbani hapur dyert e institucioneve për ti dëgjuar hallet e tyre dhe problemet që ata kanë dhe të jeni një pjesë jo vetëm e mbështetjes së tyre por të jeni një shpresë e madhe për ta", u shpreh znj.Berisha.

Edmond Tupe, njeriu “institucion” për Autizmin u përcolli nënave një mesazh shumë të fortë dhe të ndjerë.

“Qëndrimi im ndaj Autizmit të tim biri ka evoluar, që nga libri i parë, sidomos që nga libri im i dytë me realizëm. Domethënë, prindër unë ju them, mos u shkurajoni, mos u ligështoni. Misioni juaj është që sa të jeni gjallë ta bëni të lumtur këtë fëmijë. Nëse ju do ta keni mendjen gjithë kohës tek pyetja se çfarë do të bëhet pas vdekjes time gjate gjithë kohës, ju do të shkurtoni ditët tuaja, edhe kjo do ti bie në kurriz të fëmijës tuaj. Kujdesuni tha Artan Hoxha për shëndetin. Po, nga 5 cigare në ditë, nuk pi më asnjë, nga dy gota verë në ditë, tani pi vetëm në fundjavë. Kam një regjim ushqimor të caktuar. Kam shumë kujdes. Harxhoj 1 orë e gjysmë çdo ditë në mënyrë që të jetoj sa më gjatë, e ti qëndroj sa më pranë tim biri, sime shoqeje, juve”, do të shprehej profesori Tupe.

Kjo dëgjesë bëri bashkë mbi 100 prindër të fëmijëve me autizëm por edhe të fëmijëve të tjerë me aftësi të kufizuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco