Nuk jemi në mesjetë, por në Shqipërinë e Ramës; protesta për pak dritë, në vend të qirinjve!

Nuk jemi në mesjetë, por në Shqipërinë e Ramës; protesta për pak dritë, në vend të qirinjve!

12:33, 20/07/2019
A+ Aa A-

‘Kthema dritën’; ka qenë sllogani i një proteste të rrallë ditën e djeshme përpara zyrave të kryeministrit Edi Rama. Ishin, pakicat e komunitet Egjiptian dhe atij Romë që kanë protestuar para kryeministrisë për më shumë se dy orë dhe nuk kërkonin asgjë tjetër, përveçse pak ditë në banesat e tyre.

Me qindra qytetar të ardhur nga rrethet e Fierit, Beratit, Elbasanit, e po ashtu kryeqytetit kërkuan para godinës së kryeministrisë miratimin e VKM-së për ‘klientin në nevojë’, nga i cili do të përfitojnë ndihmë financiare për energjinë elektrike të gjitha familjet në nevojë, në bazë të Ligjit ‘Për Sektorin e Energjisë Elektrike’, të miratuar në vitin 2015. Qytetarët u shprehën për ‘Shekulli’-n se nuk mund të vazhdojnë më jetesën në kushtet të cilat ndodhen, duke kërkuar një të drejtë jetike, siç është edhe energjia elektrike. Në fjalën e tyre ata thanë se kërkojnë vetëm 210 kË falas energjie në muaj, të cilat shteti i ka për detyrë t’i mbulojë për familjet në nevojë. ‘Buka, uji, energjia elektrike, strehimi edhe pse janë nevoja bazike, neve sot na mohohen. Të nxjerrësh bukën e gojës, duke shitur misra, vjen bashkia dhe të gjobit. Ti punon 20 vite për të ndërtuar një shtëpi dhe vjen shteti e shkatërron në mes të ditës dhe të flak në mes të katër rrugëve. Sot kemi me dhjetëra të vetëvrarë dhe me dhjetëra të plagosur sepse nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë elektrike. E pse ndodh kjo? Sepse ky nuk është shtet i së drejtës, ky është shtet i të pasurve në kurriz të të varfërve, ndaj neve nuk na ka mbetur gjë tjetër përveçse të mbështesim njëri-tjetrin. Ne duhet të bëhemi bashkë, jo vetëm komuniteti egjiptian, apo rom. Ne duhet të bëhemi bashkë të gjithë të shtypurit, të nëpërkëmburit, për një shoqëri më të drejtë, sepse drita është e drejtë dhe nuk është luks’, u shpreh Viki Çipi për ‘Shekulli’-n.

10 vite pa energji

Raimonda Toska, e ardhur nga qyteti i Elbasanit tha se prej 10 vitesh jeton pa energji elektrike në banesën e saj. ‘Kam 10 vite pa energji elektrike. Jemi pa punë. Jetojmë vetëm në dritën e qirinjve. Ne po protestojmë për një të drejtë, siç është e drejta për të pasur energji në banesë. Në vitin 2015 është miratuar ligji për sektorin e energjisë elektrike. Në këtë ligj, në nenin 95 të tij specifikon klientin në nevojë, që janë familjet e varfra të cilave duhet t’u sigurohet falas nga buxheti i shtetit’, thotë ajo. Ibrahimi është një tjetër banor i komunitetit rom, i cili prej vitesh jeton pa energji elektrikë. Ai thotë se më një ndihmë ekonomike prej 30 mijë lekë të vjetra në muaj nuk mund të mbulojë shpenzimet më jetike. ‘Ne nuk kemi mundësi të paguajmë energjinë elektrike 30 mijë lekë të vjetra në muaj. Ne vuajmë për shumë gjëra, po më kryesorja është energjia. Ky ligj duhet të ishte kaluar me VKM që në 2016 dhe qeveria ka bërë gjithmonë sytë qorrë dhe veshët shurdhë. Ne po kërkojmë thjeshtë ligjin që është miratuar nga parlamenti. Shteti nuk po e zbaton këtë ligj. Unë trajtohem me ndihmë ekonomike dhe marr në ditë vetëm 50 lekë të reja. Çfarë mund të bëj unë me kaq lekë në ditë? Të paguaj dritat, të blej ushqimet, ilaçet? Ne jemi debitorë, kemi lidhur kontratë me OSHEE-në, por nuk e përballojmë dot kontratën. Për familjet në nevojë, kontrata për të paguar faturat e prapambetura, duhet të jetë vetëm 3 mijë lekë të vjetra, jo 10 apo 12 mijë, siç është aktualisht. Nuk mundemi më! ‘, përfundoi ai.

Pankarta

Në këtë protestë e cila zgjati më shumë se 2 orë, duke bllokuar bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, nën temperaturat mbi 30 gradë celsius, qytetar mbanin në duar pankarta të shumta ironizuese ndaj qeverisë. Të pranishëm ishin edhe fëmijë të këtij komuniteti dhe aktivist të shoqërisë civile të cilët u sensibilizuan me protestën duke mbështetur kërkesën e tyre. ‘Zoti na dha dritën natyrale, ndërsa qeveria na hoqi dritën e krijuar nga njerëzimi’; ‘210 kË falas për një familje në nevojë’; ‘Edhe sa kohë do të protestoj për dritat?’; ‘Energjia elektrike është një e drejtë jetike’; ‘Ndriçimi nuk është mall, por një e drejtë për të parë pjesëtarët e familjes në mbrëmje, kthema dritën!’; ‘Për VKM 3 vite prita, por tani u mbush kupa’; ‘Thjesht zbatoni ligjin, as mëshirë, as dhuratë!’;’Më shpëtoni nga mesjeta’; ‘Fëmija ime e kaloi semestrin në errësirë’; ‘Unë protestoj sepse statusi në ‘Facebook’ nuk e ndryshon botën!’, ishin disa nga pankartat me të cilat protestuan qytetarët.

Simbolika

Të organizuar dhe me thirrje të herë pas hershme ndaj kryeministrit Rama për miratimin e ligjit, nuk munguan as simbolikat në këtë protestë. Në këtë mënyrë ata ishin pajisur me qirinj, të cilët i ndiznin herë pas here. Po ashtu improvizuan edhe një kuti votimi, ku brenda saj hodhën faturat e energjisë elektrike. Pas më shumë se një orë e 30 minuta qëndrim para kryeministrisë, ata marshuan rreth e qark saj, duke shpresuar se zëri i tyre do të dëgjohej nga ky institucion në të gjitha drejtimet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco