Lajmi i fundit

LIVE/ 15 vjet, Shqipëria në NATO - Flet Kryetari i PD, Sali Berisha

Pse po më vonohet nënshtetësia amerikane? Flet avokati i Emigracionit

Pse po më vonohet nënshtetësia amerikane? Flet avokati i Emigracionit

08:34, 15/06/2019
A+ Aa A-

Vonesat në shqyrtimin e çështjeve nga Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë Amerikane (USCIS) kanë arritur tashmë nivele krize. Për çështje të emigracionit, flet avokati Kieran Both:

Image

Pse nuk është marrë ende vendim për çështjen tuaj?

Në shkallë vendi, ashtu si ju, edhe miliona familje, biznese dhe persona që kanë bërë kërkesë për ndihmë humanitare, po presin më gjatë se zakonisht që Shërbimi i Emigracionit (USCIS) të shqyrtojë dhe të marrë vendim për aplikimet apo peticionet që keni dërguar. Pesë vjet më parë, shqyrtimi i një çështjeje nga më tipiket kërkonte rreth pesë muaj kohë.

Pa filluar mirë viti fiskal (vf) 2018, për të njëjtin aplikim, koha e pritjes ishte rreth 10 muaj. Këto muaj shtesë pritjeje kanë lënë në vendnumëro aktivitete biznesi, kanë mbajtur të ndara familjet dhe kanë vënë në rrezik jetë njerëzish.

Ashtu si ju, edhe njerëz të tjerë që kanë bërë kërkesë për përfitime me bazë familjen, përfitime me bazë punësimin, kërkesë për natyralizim, dokument udhëtimi dhe leje për të punuar, po përjetojnë vonesa. Në vf 2018, koha për shqyrtimin e një mase shokuese prej 94 përqind të të gjithë kërkesave dhe llojeve të formularëve të aplikimeve të emigracionit ka qenë më e gjatë krahasuar kjo me vf 2014.

Po përse çështjet po marrin kaq shumë kohë?

Ka shumë faktorë që ndikojnë në ngadalësimin e çështjes suaj. Politikat e reja të Shërbimit të Emigracionit (USCIS) po e shtrëngojnë emigracionin e ligjshëm. Për shembull një nga këto politika kërkon që nëpunësit e USCIS-it të rishqyrtojnë për së dyti vendime të marra në të kaluarën, duke i shtuar kështu çdo çështjeje punë shtesë të panevojshme.

Politika të tilla të paefektshme na ndihmojnë të shpjegojmë se pse janë rritur kohët e shqyrtimit të çështjeve, ndonëse numri i aplikimeve të bëra pranë USCIS-it ka pësuar ulje. Të dhënat e fundit nga USCIS tregojnë që koha mesatare e shqyrtimit të çështjeve nga USCIS është rritur me 19% nga vf 2017 në vf 2018, megjithëse numri i përgjithshëm i çështjeve të pranuara për shqyrtim gjatë së njëjtës periudhë ka pësuar një rënie prej 13%. Ideja e Kongresit Amerikan ishte që USCIS-i të funksiononte në emër të popullit amerikan si një agjensi kryesisht shërbimesh. Por kjo agjensi nuk po e përmbush si duhet misionin e saj me këtë ngadalësim në rritje dhe të papranueshëm të kohës së shqyrtimit të çështjeve të emigracionit.

Më 10 maj, 2019, anëtarët e Kongresit Amerikan i bënë kërkesë me shkrim Agjensisë Llogaridhënëse të Qeverisë (GAO), që të paraqesë një raport mbi kapicën aktuale të krijuar të çështjeve të emigracionit që janë nën administrimin e USCIS-it. Letra në fjalë vë në dukje që vonesat në shqyrtimin e aplikimeve kanë arritur nivele krize dhe që këto vonesa po i sjellin dëme familjeve dhe bizneseve që varen nga fakti nëse gjykimi i çështjeve të tyre kryhet në kohë.

Letra e paraqitur nga Kongresi vë në dukje që zgjatja e kohës së shqyrtimit të formularëve të kërkesës për nënshtetësi (Form N-400) po ndodh anembanë vendit, dhe ka raste kur koha e shqyrtimit ka arritur deri në 33 muaj. Vonesa mesatare në rastin e aplikimeve për qytetari është gati dyfishuar që prej vitit 2015.

Akumulimi aktual i çështjeve ende të pashqyrtuara nga ana e USCIS-it e ka kufizuar ndjeshëm mundësinë për të marrë nënshtetësinë, viza studentore, viza pune, viza familjare, viza për arsye humanitare si dhe forma të tjera ndihme për të cilat bëjnë kërkesë me miliona njerëz në përputhje me rregullat dhe rregulloret e reja dhe të vjetra.

USCIS-i ka cituar një numër problemesh që janë bërë pengesë për kohën e shqyrtimit të çështjeve si p.sh. rritja e numrit të aplikimeve të marra për shqyrtim, zgjedhjet presidenciale, burimet, strukturat, programet dhe politikat e reja, teknologjia e re, nismat për rritjen e cilësisë së vendit të punës. Për fat të keq, USCIS-i bëri ndryshime të linjës së veprimit dhe rizhvendosje të burimeve në një mënyrë që solli përkeqësimin e problemit të akumulimit të çështjeve të prapambetura. Koha për shqyrtimin e një çështjeje emigracioni u rrit ndjeshëm gjatë vitit fiskal 2018 megjithëse numri i aplikimeve pranë USCIS-it gjatë së njëjtës periudhë shënoi rënie.

USCIS -i vuri në dukje që gjatë vf 2019 ka autorizuar një shtesë prej 726 punonjësish që do të merren me gjykimin e formularëve të emigracionit. Gjithashtu,  me qëllim që të kryhen më shumë intervista ballë për ballë dhe që të gjykohen më shumë çështje, kohët e fundit janë hapur disa filiale shtesë në Greer, SC; Montgomery, AL; Ft. Myers, FL; Nashville, TN; dhe Brooklyn, NY.

USCIS ka deklaruar që po bëhen dhe përpjekje të tjera për të zgjidhur problemin e vonesave. Më konkretisht deri në fund të vitit 2020 do të krijohen më shumë forma të shqyrtimit elektronik të aplikimeve. USCIS ka deklaruar se pritet një ndikim i ndjeshëm pozitiv prej përpjekjeve për tu dhënë përgjigje sa më shumë kërkesave për informacion qoftë nëpërmjet Zyrës së Kontaktit të USCIS-it në numrin 1-800-375-5283 ose nëpërmjet internetit në adresën https://www.uscis.gov/.

Kjo politikë e re ka çuar thuajse në eliminimin e sistemit InfoPass, i cili u lejonte njerëzve që nëpërmjet internetit të caktonin takim për të folur me një nëpunës të Emigracionit. Megjithëse USCIS-i ofron shërbimin “Case Status Online”, i cili u lejon aplikantëve të kontrollojnë statusin e çështjeve të tyre të emigracionit duke futur në portalin përkatës në internet numrin “case receipt number” – i cili gjendet në letrën që Emigracioni dërgon për të konfirmuar marrjen e kërkesës suaj – informacionit që gjendet aty shpeshherë ose i ka kaluar data ose është i pasaktë.

Prandaj, me kufizimet e reja të Infopass-it dhe eliminimin e komunikimit të drejtpërdrejtë me qendrat e shërbimit të USCIS-it, publiku jo vetëm që po përballet me vonesa të jashtëzakonshme në shqyrtimin e çështjeve, por ka mbetur me një numër të kufizuar mjetesh që do t’i mundësonin marrjen e  informaciot dhe të rejave lidhur me statusin e çështjes së tyre. USCIS nuk ka ofruar asnjë shpjegim të kënaqshëm për arsyen se pse i ka tërhequr mbrapsht këto kanale komunikimi.

Shoqata e Avokatëve Amerikanë të Emigracionit – The American Immigration Lawyers Association (AILA) – ka propozuar marrjen e hapave të menjëhershëm për t’i dhënë përgjigje qoftë akumulimit të çështjeve ende të pashqyrtuara, qoftë vonesave të ndjeshme në shqyrtimin e tyre. Duhet forcuar mbikqyrja e USCIS-it nga ana e Kongresit. Kongresi ka qenë ai që ka kaluar legjislacionin që mundësoi krijimin e USCIS-it; tani ai duhet ta vërë përpara përgjegjësisë këtë agjensi që nuk po arrin të përmbushë objektivin e parashikuar në statut.

Duke përdorur të gjithë gamën e mjeteve për mbikqyrje, Kongresi duhet të hedhë dritë mbi masën e akumulimit të çështjeve ende të pashqyrtuara si dhe deri ku ka arritur kriza e vonesave në shqyrtimin e çështjeve; duhet të nxjerrë në pah se si politikat e ndjekura nga USCIS po i thellojnë këto probleme; si dhe duhet të gjejë mënyra se si qeveria vetë të mund të zvogëlojë deri në eliminim të plotë grumbullin e prapambetur të çështjeve për t’u shqyrtuar si dhe vonesat që lidhen me to në mënyrë që familjet, pjesa më e cënueshme popullsisë si dhe bizneset amerikane të marrin në kohë, siç e meritojnë, vendimet lidhur me çështjet që kanë paraqitur dhe për të cilat janë në pritje.

Nevoja për këto dhe masa të tjera korrigjuese është urgjente, sepse ndërkohë që vonesat vazhdojnë, familjet vuajnë, ata që i kanë mbijetuar dhunës dhe torturave përballen me rrezikun dhe bizneset mbeten prapa.

Çfarë mund të bëj ndërkohë?  

Sigurohuni që avokati juaj ka informacionin tuaj personal më të fundit në rast se do t’i duhet t’ju kontaktojë.

Flisni me avokatin tuaj lidhur me pritshmërinë që keni lidhur me shqyrtimin e çështjes suaj. Avokati mund t’ju drejtojë dhe t’ju ndihmojë për çdo lloj vonese./Gazeta Illyria

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco