Të ngjisësh shkallët e karrierës progresivisht, ja si i promovon kompania shqiptare talentet

Të ngjisësh shkallët e karrierës progresivisht, ja si i promovon kompania shqiptare talentet

14:12, 24/04/2019
A+ Aa A-

Benjamin Franklin ka thënë “Ma thuaj diçka dhe unë do ta harroj. Ma mëso diçka dhe unë do ta mbaj mend. Më përfshi në diçka dhe unë do ta mësoj”.

Kjo shprehje e famshme e tij merr më tepër vlerë në ditët e sotme për kompanitë e mëdha të biznesit, sidomos kur ato e kanë në vlerat e tyre partneritetin, çka do të thotë se punonjësit nuk i konsiderojnë thjesht si vartës që duhet të bëjnë detyrën, por si partnerë, me të cilët ndajnë përgjegjësitë dhe arritjet e përbashkëta.

Një gjë e tillë vlen padyshim në Shqipëri për Grupin Balfin, i cili ka një program të posaçëm për punonjësit më të spikatur, të cilëve u jepet mundësia që të ngrihen në detyrë dhe t’i japin një hov cilësor përpara karrierës së tyre.  

Ky program quhet “Talent Pool” dhe konsiston në identifikimin, trajnimin dhe zhvillimin profesional të talenteve dhe përgatitjen e tyre për marrjen përsipër të pozicioneve më të larta profesionale dhe drejtuese në nivel Grupi, deri tek ai i CEO-s (Drejtorit Ekzekutiv ) i çdo kompanie që Grupi Balfin ka në zotërim. Programi identifikon hapat e zhvillimit të talenteve, i realizon ato dhe bën të mundur krijimin e një ekipi të përgatitur punonjësish (të cilët punojnë në shoqëritë e ndryshme të Grupit) të cilëve u ofrohet mundësia të avancojnë në karrierën e tyre në pozicionet drejtuese dhe sfiduese që Grupi Balfin ofron.

Hapat që ndiqen për identifikimin dhe trajnimin e talenteve

Përzgjedhja bëhet sipas një procesi të mirëmenduar dhe i ndarë në disa hapa. Hapi i parë është njoftimi për çeljen e programit tek kompanitë e Grupit.

Më pas secila kompani paraqet propozimet për kandidatë të cilët duhet të plotësojnë disa kritere dhe vlerësime në formate të përcaktuara dhe specifike për këtë qëllim.

Pas selektimit në këtë fazë, të gjithë kandidatët e përzgjedhur kalojnë një numër të caktuar testesh me shkrim në fusha logjike apo fusha që kanë të bëjnë me aftësitë profesionale dhe menaxheriale.

Programi i Talent Pool është ideuar që të zhvillojë kandidatët pjesëmarrës në tre drejtime: Atë të njohurive drejtuese dhe teknike, njohuri që merren në formatin e trajnimeve në klasa. Njohuritë në punë, që janë trajnime duke ndjekur punën e përditshme të drejtuesve të Grupit (job-shadow) e kombinuar me udhëzimet e tyre (coaching), si në kompanitë e grupit pranë drejtuesve më të lartë, ashtu edhe në nivel zyrash qendrore në Balfin. Trajnimi vazhdon edhe me ndjekje të kandidatit përmes teknikës së mentorimit, ku talenteve u atashohen drejtues shumë cilësorë të Grupit Balfin, të cilët janë një pikë mbështetjeje në avancimin e tyre nëpërmjet suportit në distancë.

Menaxhimi efektiv i talenteve kryhet duke zgjedhur individët e duhur në rolet më kyçe, duke garantuar ndërhyrje të integruara që mbështesin krijimin e liderëve të rinj, duke zhvilluar shtigje të reja dhe fuqizuar brezin e ri që të jetë i suksesshëm në këto shtigje. Duke nxitur dhe shpërblyer performanca të niveleve të larta. Projekti organizohet një herë çdo dy vjet dhe udhëhiqet nga Departamenti i Burimeve Njerëzore i Grupit Balfin. Në këtë proces përfshihen 15 kandidatë.

Kandidatët e “Talent Pool” që e përfundojnë me sukses procesin e trajnimit janë kandidatët e parë që merren në konsideratë për pozicionet e reja menaxheriale që janë të lira në Grupin Balfin.

Më poshtë në kemi pyetur katër protagonistë të këtij programi të cilët janë promovuar në detyra të rëndësishme, që nga ajo e Drejtorit Ekzekutiv, e deri te Menaxher i Burimeve Njerëzore, si brenda kompanive ku punonin më parë, ashtu edhe duke u transferuar në kompani të tjera brenda Grupit Balfin.

Eva Kallavaresi ishte Drejtore e Markave pranë Fashion Group Albania, kompani të cilën ajo sot e drejton si Drejtore Ekzekutive edhe falë “Talent Pool”.

Eva rrëfen përvojën e saj: Është e vërtetë se mora maksimumin që mund te merret nga pjesëmarrja në Talent Pool 1 dhe ndihem krenare për këtë. Mu deshën vite të tëra përpjekje dhe mund për ta arritur këtë në fakt. Të mësuarit është një proces i vazhdueshëm dhe mendoj se nuk mbaron kurrë. Në tregun shqiptar fatkeqësisht ndodh që edhe kur punonjësit kanë shumë njohuri mbi punën, promovimi sërish mund të mos vijë, pasi mungojnë mekanizma të tilla si Talent Pool, ku individi mund të identifikohet, ku njohuritë e tij nëpërmjet trajnimeve cilësore të mund të kalohen në një nivel ”master” dhe më në fund të vlerësohet.

Një fushë ku mendoj se kam bërë konkretisht progres falë Talent Pool është menaxhimi strategjik. Modeli i ‘Biznesit Canvas’ më ka mbetur në mendje. Përzierja e Modelit te Biznesit Canvas me Analizen Swot mendoj që është e aplikueshme lehtësisht në biznes, ndaj kam në plan që këtë model ta ndaj edhe me grupin tim të punës dhe kam shumë besim se do t’ia dalim. Gjithashtu mendoj se jam përmiresuar në ‘design thinking’ dhe në ‘problem solving’. Gjatë trajnimit, ju dha shumë fokus kreativitetit dhe dizenjimit të proceseve. Në vitin e parë të punës si Drejtore Ekzekutive e Fashion Group Albania kam përdorur pemën e algoritmeve në vendimmarrje dhe frymëzimin për këtë e kam marrë nga trajnimet e design thinking dhe problem solving” – shprehet ajo .




 

Nertil Myrtollari përpara trajnimit në Talent Pool dhe promovimit përkatës ka qenë Menaxher i Kategorisë për telefoninë celulare në kompaninë Neptun. Tani ai është Menaxher i Kategorive të Grupit që përfshijnë TV / IT / Mobile / Dixhital / Audio dhe Video, po në Neptun.

Nertili tregon se si qe për të eksperienca në Talent Pool: “E gjithë koha në Talent Pool 1 ka qenë mjaft e frytshme, por ç’ka mbeti në thelb për mua është se kompania në të cilën punojmë është shumë më tepër se pozicioni që mbulojmë. Na mësoi ta shohim si një organizëm të plotë, ku çdo individ, çdo departament, çdo proces ka rëndësinë e vet dhe për më tepër të mbajmë më tepër përgjegjësi duke kontribuar në funksionimin sa më të mirë të këtij organizmi si një i tërë. Rëndësinë e këtij programi mendoj se mund të shohin në të dy palët pjesëmarrëse; Së pari, për kandidatin, sepse i jepet një mundësi mjaft e mirë zhvillimi me trajnerë dhe programe me cilësi shumë te mirë. Gjithashtu nxit dhe përfshirjen dhe vetëmotivimin kur gjendesh në një projekt të tillë me të tjerë kandidate ambiciozë. Për më tepër vetë pjesëmarrja në këtë program shpreh vlerësimin që kanë ndaj teje eproret e tu dhe Balfin Group. Së dyti, për kompaninë, sepse në këtë mënyrë identifikon dhe zhvillon kandidatë potencialë për pozicione të rëndësishme brenda strukturës së vet. Shpesh herë biem pre e rutinës së përditshme dhe shikojmë vetëm situatën mikro të tavolinës tonë të punës, por duhet të kuptojmë që dhe kjo është pjesë e makromjedisit të kompanisë dhe që jemi pjesë e një zinxhiri që duhet të jetë gjithnjë në lëvizje”. – shprehet ai


Ogerta Manelli, e cila më parë ishte Menaxhere e Pagave dhe Administritmit në Neptun, sot është Menaxhere e Burimeve Njerëzore pranë kompanisë Mane TCI.

Ogerta flet për punën në grup dhe progreset e bëra prej saj: “Programi ndikoi drejtëpërdrejtë në perceptimin tim profesional. Pas përfundimit të këtij programi, unë nuk e shikoja me veten si një punonjëse në një kompani e ndare nga kompanitë e tjera të grupit. Tashmë unë kisha një pasqyrim më të qartë të mundësive të mia, të cilat nuk kufizoheshin vetëm në kompaninë në të cilën unë operoja. Përtej faktit që kompania vazhdimisht mbulon nevojat e saj me më të mirët, e parë nga këndvështrimi i punonjësit ky program të krijon mundësitë, mjedisin e përshtatshëm, ndarjen e eksperiencave, sfida profesionale në kuadër të një përmirësimi të vazhdueshëm, i cili nuk ndalet vetëm në aspektin personal por edhe më gjerë, duke bërë të mundur që këto aftësi të përmirësuara tashmë të gjejnë një aplikim koherent në proceset ditore të kompanisë.

Falë njohurive të programit kanë qenë disa sfera në të cilat unë kam parë një përmirësim të theksuar, por nëse do të veçoja një, ajo ka ka qenë puna në grup. Të punosh në ndërtimin e një plani biznesi të mirëfilltë me anëtarë të rastësishëm të cilët jo gjithmonë ndanin të njëjtin vizion me ty ishte një sfidë e cila më mësoi shumë në këtë drejtim” – shprehet ajo.

 

Dorina Ferhati nga Menaxhere në Departamentin e Qiradhënieve në kompaninë Acrem, sot është menaxhere e Aseteve dhe Shërbimeve në kompaninë Green Coast.

Ajo tregon për ndikimin pozitiv që ka patur programi në aftësisë e saj profesionale.

Besoj se ndikimi me i drejtpërdrejtë që ka patur Talent Pool është rritja e njohurive të mia menaxheriale dhe vendimmarrëse. Mendoj se nga të dyja palët një program i tillë është i rëndësishëm, për pjesëmarrësit sepse është një vlerësim dhe motivim për hapa të tjerë në karrierë dhe për punëdhënësin një hapësirë ku identifikon kandidatë cilësorë që potencialisht mund t’i angazhojë në të ardhmen brenda strukturave të veta.

Një nga aspektet që ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë tek unë ka qenë ai në sferën e financës, ku nëpërmjet trajnimeve të kryera përgjatë programit kam përfituar njohuri më të thella në aspektet financiare të biznesit. Kjo në vetvete mundëson një vendimmarrje më objektive dhe të qëndrueshme. Ky program është një investim për karrierën profesionale, pasi mund të shfrytëzohet dhe të jetë i aplikueshëm në çdo fushë dhe moment të karrierës” – thotë Dorina.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco