Simbolet fetare të Pashkëve: vezët, qengji, perpeqi

Simbolet fetare të Pashkëve: vezët, qengji, perpeqi

08:31, 22/04/2019

Kur i referohemi traditave në lidhje me Pashkën në mendje na vjen veza e kuqe. Ajo është një veçori karakteristike e kësaj feste. Veza simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën dhe në rastin konkret, sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës.

R.SH. - Vatikan

Vezë prej çokollate, që i tërheqin aq shumë fëmijët (por edhe të rriturit), të cilët i thyejnë sapo t’i marrin në dorë, për të gjetur brenda dhuratën, ose për t’i ngrënë, duke ndotur duar e fytyrë, janë dhuratë tipike, që shkëmbehet këto ditë të Festës së madhe të Pashkëve.
Tradita e vezëve ka zanafillë pagane. Natyrisht, nuk bëhej fjalë për vezë prej çokollate, por për vezë pule, sa më të freskëta, të mbledhura nga furriqet.

Traditë, që vijon edhe sot e kësaj dite në Shqipëri e ndër shqiptarë.

Veza simbolizonte, e simbolizon ende, rilindjen e natyrës në stinën e pranverës. Nisi të përdorej që ndër persianët e lashtë, ndjekur nga egjiptianët, grekët e kinezët. Në Mesjetë u bë traditë që, në fillim të pranverës, t’u dhuroheshin vezë shërbëtorëve të dyerve të mëdha. Erdhi, pastaj, krishterimi, që i dha edhe vezës kuptim të ri; veza e ngjyrosur, zakonisht me ngjyrë të kuqe, ngjyrë e gjakut, domethënë e jetës, ose e vizatuar primitivisht, gjithnjë me ngjyra të gjalla, u bë simbol i një ringjalljeje tjetër, shumë më të rëndësishme për jetën e botës: Ngjalljes së Krishtit.

Përhapja e traditës së shkëmbimit të vezëve, që ndër shqiptarë janë kryesisht të kuqe, por edhe të gjelbra, simbol i gjethimit, të pikturuara me shumë ngjyra e madje edhe të zeza, ku ka vdekje, nisi nga trojet gjermane.

Por veza e pikturuar u bë mit i vërtetë falë argjendarit rus, Peter Karl Fabergé i cili, në vitin 1883, u ngarkua nga cari me detyrën të përgatiste një dhuratë të jashtëzakonshme për carinën Maria. Argjendari realizoi, me këtë rast, vezën e parë “Fabergé”, prej platini të smaltuar me të bardhë, që përmbante një vezë tjetër, ari, brenda së cilës ishin dy dhurata të tjera: një riprodhim i kurorës perandorake dhe një zog i artë pule. Prej këndej, dhurata e fshehur brenda vezës.

Ndërsa për të kaluar nga veza e pulës, tek ajo prej çokollate, u desh të zbulohej Amerika, prej nga erdhi në Evropë fara e kakaos, pa të cilën nuk mund të bëhet fjalë për çokollatë. Atëherë nisi, një herë me ndrojtje, duke filluar nga Holanda, për të kaluar, në vitet ‘800 edhe në Zvicerr, prodhimi i vezëve prej çokollate, edhe me qumësht, vepër artizanati e mjeshtrave të mëdhenj. Ndërsa sot vezët prej çokollate prodhohen nga ndërmarrjet e mëdha të ëmbëlsirave dhe ekspozohen në vitrina një muaj para Pashkëve.

Në Shqipëri sot për sot vezë të tilla janë traditë e mall importi. Prodhueset kryesore shqiptare të vezëve, vijojnë të mbeten pulat. E artistët, që i shndërrojnë në objekte arti, prindërit e fëmijët e tyre, që dëfrehen shumë duke përgatitur vezët e Pashkëve ngjyra-ngjyra, për t’i shkëmbyer pastaj, si dhuratë, ose për të bërë ‘pik-vezë’, duke u mburrur për vezën më të fortë e cila, sipas traditës, sjell edhe fat, deri në Pashkët e reja. Dhurimi i vezëve shoqërohet me urime për miqësi, dashuri, mbarësi. Shumë shpesh të krishterët shqiptarë u dhurojnë shporta me vezë dashamirëve të tyre myslimanë, në shenjë miqësie.

Qengji

Sipas traditës, në të gjitha sofrat e familjeve të krishtera, në ditën e Pashkës shtrohet mishi i pjekur i një qengji motak. Është simbol, nga i cili nuk hiqet dorë prej shekujsh. Vjen nga Shkrimi Shenjt e ritet hebraike. Të kujton pikërisht Pashkët hebraike, daljen e popullit izraelit nga Egjipti, kur Hyji i ndëshkoi egjiptianët për prapësitë e tyre kundër Popullit të zgjedhur, duke dërguar një Engjëll, që t’i shfaroste gjithë bijtë e tyre të parë. Ndërsa hebrenjtë vinin mbi portat e tyre, për t’u dalluar nga egjiptianët, shenjën e gjakut të qengjit, flijuar sipas porosisë së vetë Hyjit, duke shpëtuar bijtë e duke nisur udhën 40-vjeçare drejt Tokës së Premtuar.

Qengji i Pashkëve flijohej nga kryefamiljari e pastaj piqej e vendosej mbi dy copa druri në formë kryqi, pa ia thyer kockat. Kështu, në Besëlidhjen e Vjetër.

Ndërsa në të Renë, qengji bëhet simbol i vetë Krishtit të pafajshëm, që flijohet për shpëtimin e gjithë fajtorëve. Simboli është i pranishëm vetëm në Ungjillin sipas Gjonit, në të cilin Gjon Pagëzuesi e tregon me gisht Krishtin, duke e quajtur “Qengji i Hyjit, që shlyen mëkatin e botës”. E gjejmë, më pas, edhe në Librin e Zbulesës, ku përmendet 28 herë.

Por Kisha e shikon pikërisht në fjalët e Gjon Pagëzuesit lidhjen e ngushtë ndërmjet qengjit të pashkëve të Besëlidhjes së Vjetër e të Besëlidhjes së Re: qengji, në traditën hebraike, flijohej natën e Pashkëve hebraike; e Jezu Krishti u kryqëzua pikërisht atë ditë!

Traditë tejet e lashtë, kjo, e shumë simbolike, për njerëz modernë, që shtegtojnë kah trupa te tjerë qiellorë, pa e humbur kurrë rrugën, në sa gjithnjë më shpesh e humbasin udhën e jetës së tyre. I nevojshëm, gjaku i qengjit mbi dyert e botës së sotme, për të shpëtuar nga një mori skllavërish. Sepse qengji mbetet në shekuj simbol çlirimi e shprese,.

Përpeqi

Ndërsa ëmbëlsira me emrin tingëllues ‘Pëllumbeshë’, që mbush përplot këto ditë vitrinat e botës së krishterë, në Shqipëri nuk njihet, sepse për Pashkë gatuhet perpeqi, një lloj qumështori. Duhet të ketë një zanafillë jo aq mitike, e edhe të paqartë. Me sa duket, zanafillë thjesht tregtare. Ndërsa perpeqi, që bekohet në Kishë, është tipik pranveror, sepse i gatuar me vezë e i shoqëruar me hudhra të njoma.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco