Kisha katolike feston Pashkët, kremtimi që nisi në Jeruzalem: nata, zjarri, uji dhe buka

Kisha katolike feston Pashkët, kremtimi që nisi në Jeruzalem: nata, zjarri, uji dhe buka

08:33, 21/04/2019
A+ Aa A-

Kremtimi i parë i Pashkëve të Zotit nisi dje në zemër të Qytetit Shenjt, Jeruzalemit. Ritin e kremtoi imzot Pizzaballa, duke kujtuar, atje ku u themelua Eukaristia: “Korpi i Krishtit është jetë! Kemi gjithnjë nevojë për të!”, njofton Radio Vatikani.

Dje paradite, në Bazilikën e Madhe të Varrit Shenjt, në Jeruzalem, jehoi përsëri Alleluja e Pashkëve, e para, që u shqiptua për arsye të status quo - rregullores, që cakton turnet për bashkësitë e krishtera, të pranishme në këtë vendshenjt dhe i jep parinë pikërisht Kishës së Jeruzalemit, e para në botë që intonon Preconion, himnin e lashtë, këngën e fitores së Zotit mbi vdekjen e mbi mëkatin.

“Në këtë liturgji nuk kremtojmë një kujtim - theksoi gjatë homelisë imzot Pierbattista Pizzaballa, Administrator Apostolik i Patriarkatit latin të Jeruzalemit. - Edhe sot, këtu, Zoti do, krijon, çliron, prin, fal! Sot, këtu, kryen veprën e ringjalljes”.

Duke marrë shtytje, pastaj, nga  disa shenja e gjeste të liturgjisë së Pashkëve - nata, zjarri, uji e buka – imzot Pizzaballa shpjegoi  kuptimin e secilit prej tyre:

Nata

“Dritën, që ndriçoi natën tonë - nënvizoi - ta çojmë në netët e shumta të kohës. E do të kuptojmë, kështu, se nata nuk ka pushtet mbi dritën. Po të kemi dritë, do të jemi dritë”.

Zjarri

Ashtu siç thamë për dritën - vijoi imzot Pizzaballa - mund të themi edhe për zjarrin: edhe nga zjarri i bekuar vjen “Drita që davarit errësirën tonë”. Por zjarri - kujtoi - është edhe shenjë pastrimi, e atëhere “Ç’shpëtim vjen të sjellë për ne, zjarri i bekuar? Çfarë vjen të pastrojë e të gjykojë?”. “Gjykimet tona të padrejta a të ngutshme dhe paaftësinë për ta vlerësuar e për ta pranuar të mirën” - pohoi administratori apostolik, për të kujtuar, më pas,  të dënuarit sipas gjykimit njerëzor, në kundërshtim të plotë me drejtësinë:

“Mendoj për ata të cilët, për një kauzë, e cila u duket më e rëndësishme, justifikojnë gjykimin e padrejtë të njerëzve, që s’ka kush t’i mbrojë. Kjo është nata e tyre! Dënimi i tyre mori fund e drejtësia ngadhënjeu. Tani gjykohet kjo botë; tani princi i kësaj bote do të flaket në terrinat e botës së vet”.

Uji

Edhe një sfidë tjetër, e një pyetje tjetër: “Për çfarë e për kë kemi etje?”. E imzot Pizzaballa vijoi të bëjë pyetje:

 “A kemi etje për Zotin e Fjalën e Tij? Në ç’gurrë e shuajmë etjen? Nëse uji pastron, ashtu si zjarri, do të thotë se burimet tona u pastruan, uji është rishtas i pastër e i freskët. Ujë, që na i shuan njëheresh të gjitha etjet tona. Të kumtojmë - vijoi prelati - se nuk duam asnjë lloj uji tjetër, veç atij, që gurron nga kraharori i shporuar i Krishtit!”.

Buka

“Skenë përfundimtare, që i përmbyll të gjitha të tjerat, është Eukaristia. E pikërisht me vetëdijen e nevojës për ‘bukën e shpirtit, që shuan uritë tona, urinë për drejtësi, për barazi, për të drejta, për një jetë të bukur, të denjë’”. Me këto fjalë imzot Pizaballa e përfundoi homelinë e kësaj Nate Shenjte, që jetohet më thellësisht se askund, pikërisht atje ku lindën simbolet kryesore të  saj: ku buka - ishte korp i gjallë, e vera - gjak i kuq, që u derdh ndër mundime për të gjithë njerëzit, brezni pas breznie. Pashkë pas Pashke. Deri kur të arrijmë tek Ai, që na parapriu e na i hapi  portat e Parajsës së humbur! E të rifituar!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco