E Premtja e Madhe, dita e dytë e Treditëshit të Pashkëve Venerdi Santo

E Premtja e Madhe, dita e dytë e Treditëshit të Pashkëve

10:58, 19/04/2019

Të Premten e Shenjtë e të Madhe të Pashkëve, Ditën e dytë të Treditëshit të Pashkëve, Kisha kremton Liturgjinë e mundimeve e të vdekjes së Jezu Krishtit mbi Kryq, kundron rrugën e dhimbshme të kalvarit të Krishtit deri në epilogun dramatik të vdekjes së tij mbi Kryq.

E Premtja e Madhe e Shenjtë e Pashkëve përkujton ngjarjet dramatike që shkojnë nga dënimi me vdekje e deri te kryqëzimi i Krishtit. E Premtja e Madhe është ditë pendese, agjërimi e lutjeje, ditë e pjesëmarrjes sonë në Mundimet e Krishtit Zot. 

Bashkësia e krishterë pra sot e adhuron Kryqin dhe i afrohet Eukaristisë Shenjte: dy burimeve e të mirave që na kanë çliruar nga armiqësia, errësira e mëkati dhe na kanë pajtuar me Zotin e ofruar shpëtimin e amshuar.

Kështu, e Premtja e Madhe e Pashkëve është ditë lutjeje e heshtje, ditë e Mundimeve dhe kryqëzimit të Jezu Krishtit, akti më i lartë i dashurisë, që e bën njeriun të lirë. Të Premten e Madhe të Pashkëve liturgjia e Kishës na fton të meditojmë misterin e mundimeve, të dhimbjes dhe të vdekjes së Jezu Krishtit mbi Kryq.

E Mundimet dhe Vdekja e Jezusit mbi kryq që kundrohen të Premten e Madhe të  Pashkëve lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me Darkën e Mbramë të Jezusit me Apostuj, që përkujtuam e kremtuam të Enjten e Madhe të Pashkëve. Në këtë rast e ditë, Jezusi dhuron Korpin e Gjakun e vet, domethënë, jetën e tij tokësore, vetveten, duke përshpejtuar vdekjen e tij dhe duke e shndërruar atë në një akt dashurie e shëlbimi për njerëzimin.

Gjithnjë të Premten e Pashkëve, besimtarët bëjnë pastaj edhe manifestime përshpirtërisë popullore, siç është Udha e Kryqit ose shfaqjet tjera kishtare, të cilat kanë si qëllim të lenë gjurmë sa më të thella në zemrën e besimtarëve, të ndihmojnë përforcimin e besimit në Hyjin e kthimin në Udhën e Jetës, e kjo arrihet në mënyrë të veçantë përmes  pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në flijimin shëlbimtar të Jezusit.

Kështu, nga e Premtja e Madhe e Pashkëve e deri në heshtjen e thellë të së Shtunës së Madhe, me altarët e zhveshur nga stolitë, të gjitha Kishat zhyten në soditjen e misterit më madh të shëlbimit që propozon feja e krishterë, duke i ftuar besimtarët t’ia hapin shpirtin Mëshirës Hyjnore deri në kumtimin e Ngjalljes ngadhënjimtare të Jezu Krishtit mbi vdekje.

Në këtë ditë, të Premten e Madhe të Pashkëve, ka rëndësi të madhe pjesëmarrja në Sakramentin e Rrëfimit apo të Pajtimit me Zotin e të afërmin tonë, rrugë e domosdoshme kjo për të pastruar zemrën e për t’u përgatitur për  kremtimin e Pashkëve me shpirt të përtërirë. Së paku një herë në vit, kemi nevojë dhe obligim,  për këtë përtëritje të shpirtit tonë përmes Sarkamentit të Pajtimit e të marrjes së Eukaristisë Shenjte./Radio Vatikani

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco