Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Rama arreston drejtorët e Veliajt

VIDEO/ Kafja e fundit në Kamenicë, 'Po iki për kafshatën e gojës, jo për...'

VIDEO/ Kafja e fundit në Kamenicë, 'Po iki për kafshatën e gojës, jo për...'

20:54, 13/04/2019
A+ Aa A-

Hazir Maliqi nga fshati Busavatë, deri dje ka jetuar në Kamenicë, mirëpo nga sot ai vendbanim ka Rijekën e Kroacisë.

Duke përzier kafenë e fundit në qytetin ku lindi dhe krijoi familje, ai tregon se me shumë vështirësi ka zgjedhur që të lë më shumë se gjysmën e familjes, shkruan Reporteri.net.

Mirëpo, ndonëse është bërë normale të dëgjohet se ata që po ikin po kërkojnë një jetë më të mirë, Haziri e ka të qartë se kjo gjë nuk do të ndodhë. Ai madje thotë që nuk po niset për jetë më të mirë, por për kafshatën e gojës, së bashku me një djalë 25 vjeçar.

“Nuk po shkoj për një jetë ma të mirë, por po shkoj për një kafshatë të gojës. Situata aktuale e cila po mbretëron në vendin tonë, ndoshta unë jam gabim, po situata të cilën unë po e shoh, më detyron që në moshën 50 vjeçare të largohem nga vendi im. Mua gjendja ekonomike familjare më detyron që ta lë vendin dhe të iki drejt një shprese për një kafshatë bukë”, thotë 50 vjeçari.

Për Hazirin, rruga që po e merr, nuk është fare e sigurt. Ai thotë se nuk e di as ku do ta bëjë gjumin. Sipas tij, ai po detyrohet që “të largohem nga vendi me një adresë të cilën e kam veç në letër, por destinacionin nuk e di”.

Për këtë gjendje, 50 vjeçari ka gjetur dy fajtorë kryesorë. Beson se populli dhe të gjitha qeveritë e pasluftës kanë ndihmuar në krijimin e kësaj atmosfere.

Por, Haziri ka kritika për politikanët që, sipas tij, po mundohen të ikin nga përgjegjësia, duke thënë se ikjet janë agjende ruso-serbe.

“Unë nuk kam hasur në asnjë ambasadë dhe asnjë grupacion të njerëzve që po duan ta lëshojnë Kosovën, që dikush ka folur rusisht apo serbisht”, ka ilustruar ai.

Haziri ndër të tjera tregon se edhe ikjen nga Kosova e kishte të vështirë, ani pse mori vizë. Atij iu deshën 10 ditë pritje për të gjetur biletë të lirë në autobusin që do të dërgojë në Zagreb.

Sidoqoftë, megjithë dëshpërimin, Haziri dëshiron të kthehet në Kosovë, por thotë se “ne po largohemi me shpresën se do të kthehemi në Kosovë, por në një Kosovë tjetër”.Ndryshe, mendohet se nga Kamenicë për pak muaj janë larguar mbi 4 mijë qytetarë, ndërsa në pritje për të marrë vizë janë mbi 2 mijë sosh.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco