Reforma territoriale/ Në 8 bashki nisin punën zyrat me një ndalesë, ofrohen 76 shërbime

Reforma territoriale/ Në 8 bashki nisin punën zyrat me një ndalesë, ofrohen 76 shërbime

16:26, 25/03/2019
A+ Aa A-

Rreth 8 bashki të vendit kanë nisur ofrimin e 76 shërbimeve në Zyrat me një Ndalesë, falë projektit të UNDP që ka nisur të zbatohet prej fillimit të vitit 2018.

Në kuadër të reformës territoriale, projekti ‘STAR2, ‘Konsolidimi i Reformës Administrative dhe Territoriale’ po zbatohet në partneritet me Ministrinë e Brendshme dhe Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe bashkitë përfituese.

Janë 61 bashki të Shqipërisë për të cilat synohet forcimi i kapaciteteve institucionale dhe administrative të; rritja e efikasitetit të tyre në ofrimin e shërbimeve vendore dhe rritjen e demokracisë vendore.

Zyrat me një Ndalesë, tashmë u ofrojnë qytetarëve marrjen e 76 shërbimeve në kohë rekord, pa procedura burokratike nga njëra zyrë në tjetrën, pa radhë të gjata pritje dhe pa formalizma të tjera.

Bashkitë Elbasan, Pogradec dhe Maliq janë tri nga tetë bashkitë e vendit ku sistemi Informatik i Zyrës me një Ndalesë (SIZN), është tashmë plotësisht funksional.

Ndërkohë 14 bashki të tjera janë duke u përgatitur për vënien në funksionim të këtij sistemi. Brenda muajit dhjetor 2019 është parashikuar që sistemi të jetë funksional në 49 bashkitë e planifikuara.

Bashkia Elbasan është bashkia e parë që ka mundësuar ofrimin e shërbimeve nëpërmjet SIZN, dhe aktualisht sistemi është funksional në trembëdhjetë njësitë administrative të saj.

Në bashkinë Maliq, përveç bërjes funksional të sistemit informatik për shërbimet vendore, bashkia ka vënë në dispozion një ambient modern zyrash shërbimi me një ndalesë, ku janë vendosur edhe sportelet e shërbimeve që ofrohen nga qeveria qendrore (ADISA) duke e bërë më të thjeshtë aksesin nga qytetarët.

Bashkia Pogradec ka filluar ofrimin e shërbimeve nëpërmjet sistemit informatik të zyrës me një ndalesë në dhjetor 2018, dhe është duke rritur hap pas hapi numrin e shërbimeve të ofruara për qytetarët nëpërmjet këtij sistemi.

Veçoritë specifike të SIZN mundësojnë përmirësimin e mënyrës së ofrimit të shërbimeve administrative nga qeveritë vendore, duke reduktuar ndjeshëm kohën, distancat dhe burokracitë me të cilat duhet të përballen qytetarët. Gjithashtu, ato do të pajisin vendimmarrësit me evidencë mbi performancën, duke kontribuar në rritjen e efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies.

STAR 2 mbështetet nga shumë partnerë ndërkombëtarë të zhvillimit përmes një mekanizmi të përbashkët financimi, ku përfshihen: Bashkimin Europian, qeveritë e Suedisë, Italisë e Zvicrës, si dhe USAID, UNDP dhe Qeveria shqiptare. Projekti zbatohet nga UNDP në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme.

Brenda muajit Dhjetor 2019 është parashikuar që sistemi të jetë funksional në 49 bashkitë target.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco