Rruga per te kisha e vitit 1402, ‘San Alexandri di Collematia’ dhe premtimet e pambajtura të Ramës

Rruga per te kisha e vitit 1402, ‘San Alexandri di Collematia’ dhe premtimet e pambajtura të Ramës

10:29, 19/03/2019
A+ Aa A-

Zona e Lezhës është e mbushur me histori të lashtë. Çdo fshat në ato treva ka një kulturë të vjetër, të lidhur me Perëndimin. Lissus (Lezha) ishte nën influencën e Venedikut, para pushtimit osman. Edhe gjatë pushtimit turk i ruajti lidhjet shpirtërore me Venedikun.

Tashmë është bërë një punë e mirë nga qeveritë e këtyre 28 viteve për njohjen e zonave që kanë prodhuar histori, kulturë dhe traditë. Natyrisht një nga kushtet për t’i njohur dhe vizituar mbetet infrastruktura për t’i parë nga afër.

Një nga kishat me të vjetra në Ballkan, sipas Aleksandër Meksit, ish-kryeministër dhe studiues i shkëlqyer në fushën e arkelogjisë dhe historisë, është Kisha e Shën Aleksandrit të Bokianit, mbi fshatin Spiten, i njohur ndër dokumente me emrin “San Alexandri di Collematia”, që ishte në vartësi të peshkopatës së Lezhës. Ajo ndodhet mbi një kodër të bukur në fshatin Prull, rrugës kur shkon nga autostrada Milot-Lezhë dhe duhet të kalosh nëpër fshatin Spiten për t’u ngjitur në një aventurë të bukur drejt kishës, e cila është vitit 1402, nga më të vjetrat kisha katolike në Ballkan.

Kishën e kanë rindërtuar pas rrëzimit të komunizmit vetë banorët katolikë të zonës Prull-Spiten. Një pjesë të udhës malore që të çon te kjo kishë legjendare e kanë shtruar me lekët e tyre, ata që kanë lindur aty.

Por kaq është takati i banorëve. Më tej rruga nga autostrada Milot-Lezhë, ku do të kalosh për në drejtim të kësaj kishe historike e të lashtë, diku nja 800-1000 metra është një sketerrë rrugë. Duhet vinç të kalosh këtë segment udhe, e cila jo vetëm të çon te kisha e Bokjanit në Prull, por edhe shërben për afro 4200 banorë.

Kryeministri Rama që në vitin 2013 premtoi se do ta rinovonte këtë segment rruge, por asgjë nuk ka bërë, pavarësisht ankesave dhe peticionëve të banorëve. E premtoi edhe kryebashkiaku lezhjan Fran Frrokaj, por nuk ka fonde thotë. Iu dërgua projekti i rrugës Fondit të Zhvillimit Shqiptar, ku ishte Benet Beci, porse e palosën nga karrigia para disa javësh, para se të fillonte riparimin e udhës. Tani po e premton deputeti Pjerin Ndreu i PS-së, por kërkon votat për kryetar bashkie.

Të gjithë e premtojnë para zgjedhjeve!

Edhe Edi Rama vuri dorën në gjoks në vitin 2013, por jemi në vitin 2019 dhe rruga po shkon më keq e për dreq.

Kisha “San Alexandri di Collematia” në fshatin Prull sa nuk bërtet me shpirtin e vitit 1402, kur u ndërtua e nga ku shikohet deri në Ulqin dhe në Kepin e Rodonit dhe që “fjaloset” përditë me avionët që i kalojnë sipër para se të ulen në Rinas.

Kisha e vitit 1402 dhe rruga e vitit 2019 po presin! /S.P./

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco