Të tolerosh intolerancën…!

Të tolerosh intolerancën…!

16:52, 07/03/2019
A+ Aa A-

Shkruan Emanuela Xhelilaj*

Shoqëria shqiptare e parë në optikën e tolerancës mund të shihet si një realitet i kapur jo pak nga kthetrat e intolerancës, e kultivuar kjo edhe nga rrënjët ende të thella të një kulture e mentaliteti të vjetëruar e famëkeq.

Profili i intolerantit në shoqërinë tonë karakterizohet nga arroganca, shtypja, mospranimi i mendimit dhe i tjetrit ndryshe, mungesa e respektit, dhuna, vetëgjyqësia…etj.

Këto tipare të theksuara intolerance shfaqen kudo, duke filluar nga marrëdhëniet familjare, shoqërore e deri tek ato institucionale.

Kjo tolerance shpesh imponon dhe jo në pak raste sundon.

Të gjendur përballë një atmosfere aspak të këndshme, madje do të thoja shokuese që na është servirur muajt e fundit përmes ngjarjeve makabre të vrasjeve të vajzave, grave, dhunimeve e përdhunimeve;  

panoramë kjo tejet trishtuese për shoqërinë, e cila së paku duhet të shërbejë si nxitës i reflektimit për individin me ndërgjegje qytetare e mbi të gjitha njerëzore. K. POPPER thotë: ‘Nëse paraqesim një tolerance të palimituar edhe përballë atyre që janë intolerant, nëse nuk jemi të përgatitur për të mbrojtur një shoqëri tolerante kundër sulmit të intolerantëve, atëherë tolerantët do të shkatërroheshin dhe toleranca bashkë me ta.’

Nëse i japim intolerancës të drejtën e të qenit e toleruar, atëherë ne jemi duke e shkatërruar tolerancën.

…Por, ç’do të thotë të tolerosh intolerancën në një shoqëri pak tolerante si e jona? Pikësëpari do të thotë ta fuqizosh atë, do të thotë t’i japësh hapësira të mëdha sunduese, pasojat e së cilave bien mbi çdo hallke të shoqërisë duke përfshirë institucionet politikbërëse dhe ato të së drejtës, ‘kalbëzimi’ i të cilave shkakton së paku mosbesim në shoqëri dhe jo në pak raste i çon individët drejt vetëgjyqësisë.

Humbja e  pasionit për të vërtetën dalëngadalë demoralizon shpirtin dhe shkatërron jetën. Intoleranca mbart doza të mëdha fanatizmi që shpesh manifestohet jo nga më kokëfortët, por nga ata që pretendojnë të fshehin dyshimet e tyre duke i kyçur gojën dhe duke i vënë ‘pranga’ të tjerëve.

Siç shprehet Niçe:

‘Fanatizmi është e vetmja forcë e vullnetit tek e cila janë të aftë më të dobëtit.’

Për fat të  keq, në shumë raste kjo ‘dobësi’ gjeneron agresivitet, dhunë me pasoja fatale deri në vdekje. E pra, këta intolerant mund të tolerohen deri në pikën që mund të bëhen rrezik për shoqërinë dhe institucionet e saj. Në të vërtetë ky është limiti i tolerancës. Izoluar nga konteksti, kjo mund të çojë në bindjen se jemi kështu pro legjitimimit të përdorimit të forcës për të penguar intolerantët qoftë edhe për të shprehur idetë e tyre intolerante.

Por, në fakt nuk është kështu…

Ndryshe do të binim në një rreth vicioz që nuk përfundon kurrë. Sepse dhuna s’mund të jetë kurrë mjet i tolerantit, individit me ndërgjegje të lartë morale dhe qytetare, e si rrjedhojë s’mund të shërbejë si mekanizëm për të shpëtuar shoqërinë nga kthetrat e intolerancës.

Të jesh tolerant nuk do të thotë të jesh i dobët, por të jesh mjaftueshëm i fortë dhe i sigurt ndaj zgjedhjeve të tua duke e ndarë atë me të ndryshmen, pa provuar skandale apo tejkalime morale, gjithmonë pa shkelur ligjin. Vetëm forca e ‘tolerancës’ nëpërmjet përdorimit të metodave demokratike mund të jetë shpëtimi i shoqërisë nga pasojat e intolerancës.

…Duhet të mbartësh forcën e pranimit të imperfeksionit njerëzor, për të hedhur një hap drejt progresit shoqëror.

…Duhet të mbartësh forcën e një mendje të hapur, për të ç’rrënjosur mentalitete.

…E mbi të gjitha, duhet të mbartësh forcën e ndershmërisë, për të reaguar fort ndaj padrejtësive.

*Autorja është sociologe

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco