Rritet çeku social për emigrantët në Itali, kriteret e reja për ta përfituar

Rritet çeku social për emigrantët në Itali, kriteret e reja për ta përfituar

08:07, 28/01/2019
A+ Aa A-

INPS në Itali përcakton shumën vjetore të çekut social për vitin 2019. Është 65 € më i lartë se vitin e shkuar por ngrihet me 5 muaj edhe mosha kur mund të kërkohet. Pra, këtë vit çeku social do të jetë disi më i lartë, por edhe "më i largët".

Çeku social, – vlera e të cilit është pikë referimi shumë e rëndësishme për përcaktimin e kufijve minimalë të të ardhurave për disa praktika që kanë të bëjnë me imigrantët, – për vitin 2019 është 5.954,00 euro në vit(ishte 5.889,00 euro për vitin e 2018) apo 458,00 euro (nga 453,00 që ishte) për 13 këste, siç shpjegohet nga INPS në faqen e përditësuar dedikuar kësaj ndihmese. Kjo rritje e vogël e shumës është rrjedhojë e rritjes me 1,1% të kostos së jetesës në Itali.

Por nëse kjo rritje me 6 euro në muaj, mund të konsiderohet një lajm i mirë, nuk është aspak i tillë tjeri që ka të bëjë me rritjen e moshës kur ky kërkohet: nga 1 janari 2019, mund ta kërkojnë vetëm ata që kanë mbushur 67 vjeç. Deri në fund të dhjetorit të shkuar mjaftonin 66 vjeç e 7 muaj. Kjo rritje e moshës për të drejtën e pensionit ka të bëjë me reformën Fornero që përshtat moshën e daljes në pension me rritjen e “shpresës së jetëgjatësisë”, siç shpjegon INPS në një mesazh të 6 dhjetorit 2018.

Çeku u takon shtetasve më të varfër italianë, komunitarë dhe atyre jokomunitarë me kartë qëndrimi, që jetojnë në Itali prej të paktën dhjetë vjetëve. Për të përfituar çekun, është e nevojshme që i moshuari që e kërkon – nëse nuk është i martuar – të mos ketë asnjë formë fitimi apo të ketë të ardhura vjetore më të ulëta se vetë çeku (ose dyfishi, 11.908,00 €, për personat e martuar).

Kanë të drejtën e çekut social të plotë të gjithë të moshuarit e pamartuar që nuk kanë asnjë të ardhur dhe të martuarit që kanë të ardhura familjare më të ulëta se çeku social.

Kanë të drejtën e çekut në masë të reduktuar të gjithë të pamartuarit me të ardhura nën shumën e çekut dhe të martuarit me të ardhura familjare nga shuma e një çeku deri në dyfishin e tij.

Për shembull: nëse një i moshuar i pamartuar që jeton në Itali, ka një pension në Shqipëri prej 1.000 € në vit, do të marrë si çek social vetëm 4.954,00 në vit, ose 13 këste nga 381,08 €. Por një i moshuar mbi 67 vjeç që jeton me bashkëshorten që arrin të fitojë 8.000 euro në vit do të marrë si çek social vetëm 3.908,00 në vit (11.908,00-8.000,00), ose 13 këste nga 300,62 €. Nëse bashkëshortja fiton deri në 5.954,00 euro në vit, i moshuari fiton çekun social të plotë.

Dhënia e çekut social nis nga dita e parë e muajit pasues të paraqitjes së kërkesës.

Kujdes! Çeku social ka gjithnjë karakter të përkohshëm pasi çdo vit verifikohet përmbushja e kriterit të të ardhurave nën shumën e çekut dhe i rezidencës efektive në Itali.

E drejta e çekut nuk u kalon trashëgimtarëve (si pensioni nga puna, për shembull, që me vdekjen e pensionistit, një pjesë i kalon bashkëshortes dhe bijve të mitur).

Çeku nuk është as i transferueshëm jashtë, pra nuk i takon kujt jeton jashtë Italisë. Dhënia e çekut social pezullohet nëse personi qëndron jashtë Italisë për më shumë se 30 ditë rresht. Një vit pas pezullimit e drejta e çekut humbet plotësisht.

Kërkesa për çekun social paraqitet online në INPS përmes shërbimit përkatës (e gjeni në butonin “Accedi al servizio” lart në të djathtë apo në fund të kësaj faqeje të Institutit italian të sigurimeve shoqërore). Në brendësi gjeni edhe udhëzimet e nevojshme.
Kërkesa mund të paraqitet edhe përmes numrit të gjelbër 803.164 (falas nga rrjeti i telefonisë fikse) ose 06.164.164 (nga celularët).
Mënyra e tretë dhe më e këshillueshme e paraqitjes së kërkesës është ajo përmes patronateve që gjenden gjithandej në Itali ku personel mjaft i kualifikuar dhe me eksperiencë, jo vetëm jep të gjitha informacionet rreth dokumentacionit të nevojshëm, por edhe përpilon dhe paraqet kërkesën për të interesuarit.

Edhe pse në të vërtetë janë relativisht të paktë të moshuarit e huaj që përmbushin të gjitha kriteret për të marrë çekun, ai është i rëndësishëm për milionë imigrantë që punojnë e jetojnë në Itali pasi është kriteri bazë ekonomik që më shpesh përdoret nga ligji mbi imigracionin për të përcaktuar kapacitetin ekonomik e për rrjedhojë edhe të drejtën për të jetuar në Itali apo për të bashkuar këtu familjen.

Të gjithë imigrantët që do të përtërijnë këtë vit lejeqëndrimin, apo të kërkojnë lejeqëndrimin BE për qëndruesit afatgjatë (karta e qëndrimit), për shembull, duhet të tregojnë se kanë të ardhura vjetore jo më të ulëta se çeku: 5.954,00  euro. Kush do të nisë praktikën për të sjellë në Itali bashkëshortin me bashkim familjar duhet të tregojë se ka të ardhura sa të paktën 1,5 herë çeku social, apo 8.931,00 euro.

Edhe shtetasit komunitarë, rumunë, bullgarë, grekë etj., për të qëndruar në Itali më gjatë se 3 muaj, duhet të tregojnë të ardhura vjetore të paktën sa shuma e çekut social./K.B/ShqiptariiItalise.com

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco