Si do të ndryshojë mosha e daljes në pension nga janari i 2019-ës

Si do të ndryshojë mosha e daljes në pension nga janari i 2019-ës

15:10, 06/01/2019

Prej janarit të vitit 2019, do të ketë ndryshime të moshës së daljes në pension për të gjithë individët që kanë minimumi 15 vite pune me kontribute.

“Gazeta Shqiptare” zbardhi sot moshën e daljes në pension për 2019-ën si dhe 2020-ën. Aktualisht për vitin 2018-të, mosha e daljes në pension sipas nenit 43, për gratë është 60 vite e 8 muaj (rritet për çdo vit me 2 muaj deri në vitin 2056 që arrin në 67 vjeç). Ndërkohë sipas kësaj llogaritjeje, mosha e daljes në pension për gratë në 2019-ën do të jetë 60 vjeç e 10 muaj, ndërsa në 2020 do të jetë 61 vjeç.

Ndërkohë, burrat duhet të kenë mbushur moshën 65 vjeç në mënyrë që të përfitojnë pagesën e pensionit të pleqërisë (mosha fillon rritet që nga viti 2033 me nga 1 muaj në vit për të arritur në 67 vjeç në vitin 2056). Në bazë të reformës së vitit 2014-të, masa e përllogaritjes së pensionit varet nga vitet e punës dhe paga, pra pensioni është produkt i viteve të sigurimit dhe pagës mbi të cilin janë paguar kontributet.

Sa më shumë vite të ketë aplikanti dhe sa më e lartë të ketë qenë paga e tij, aq më e lartë do të jetë masa e përfitimit. Instituti i Sigurimeve Shoqërore thekson se vjetërsia e plotë kontributive për të dy gjinitë është 35 vite e 8 muaj, e cila rritet me 4 muaj në vit, për të arritur me 40 vite në vitin 2029. “Personat e siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar në nenin 92 të këtij ligji”,-theksohet në ligjin “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, për sa i përket pensionit të pleqërisë në vendin tonë.

Ndërkohë personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension të përcaktuar në nenin 92 kur kanë plotësuar vitet e sigurimit sipas nenit 92; apo nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar. Ndërkaq, nënat që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë te rritur më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurim. “Për të lindur e drejta për pension pleqërie, kërkohen dy kushte, që janë vjetërsia kontributive jo me pak se 15 vite kontributive dhe mosha, që përcaktohet sipas tabelës së paraqitur në nenin 43 të ligjit (që ndryshon nenin 92).

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco