Acari/ Ministria e Shëndetësisë merr masa për përballimin e të ftohtit

Acari/ Ministria e Shëndetësisë merr masa për përballimin e të ftohtit

15:42, 03/01/2019
A+ Aa A-

Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me strukturat e shëndetësisë për përballimin e emergjencave të mundshme gjatë ditëve me mot të ftohtë.

Ekipet e përforcuara të Urgjencës Kombëtare do të jenë në gatishmëri të përforcuar, me personel shtesë edhe pas ditëve të festave, me shërbimin e urgjencës në territor dhe Njësinë e Helikopterëve 24/7.

Manastirliu tha se spitalet janë në gatishmëri për çdo situatë kritike që lidhet me motin e ftohtë që ka përfshirë vendin tonë.

“Të gjitha qendrat shëndetësore që rrezikojnë bllokimin nga moti i keq, janë pajisur me barna dhe materiale mjekësore shtesë për të përballuar të gjithë periudhën e dimrit. Janë 92 qendra shëndetësore nga veriu në jug të vendit të pajisura me medikamentet e nevojshme për sezonin e dimrit. Në Tiranë vijon shërbimi 24/7 në katër qendra shëndetësore për urgjencat pediatrike dhe përforcim me mjekë në Pediatrinë e QSUT-së”- tha ministrja e Shëndetesisë.

Ndërkohë Instituti i Shëndetit Publik vijon informimin e qytetarëve për masat për të përballuar të ftohtin. ISHP rekomandon qëndrimin në ambiente të ngrohta me temperaturë jo më të lartë se 21-23 gradë celsius, të cilat duhet të ajrohen disa herë në ditë për të siguruar lagështinë e duhur për rrugët e frymëmarrjes dhe për të ulur përqendrimin e mikrobeve në shtëpi.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët që për çdo emergjencë të telefonojnë në numrin 127 dhe të ndjekin këshillat e ekspertëve të shëndetit publik për të mbrojtur shëndetin nga i ftohti dhe ngricat.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco