FOTO/ Ambasada e Katarit në Tiranë organizon pritje me rastin e Festës Kombëtare

FOTO/ Ambasada e Katarit në Tiranë organizon pritje me rastin e Festës Kombëtare

19:24, 12/12/2018
A+ Aa A-

Ambasada e Katarit në Republikën e Shqipërisë organizoi sonte në ambientet e Hotel "Mac Albania" në Tiranë, një pritje me rastin e Ditës Kombëtare të Shtetit të Katarit.

Në këtë event ishin të pranishëm personalitete të larta të vendit, kryetari i Parlamentit, zyrtarë të qeverisë, deputetë, trupi diplomatik, si dhe përfaqësues nga fusha e biznesit, medias dhe kulturës.

Ceremonia u hap me himnet kombëtare të Katarit Shqipërisë. Më pas, Ambasadori i Katarit z. Ali Bin Hamad Al Marri iu drejtua të pranishmëve me një fjalim përshëndetës, gjatë së cilit përmendi shkurtimisht historinë e Shtetit të Katarit, themelet e politikës së tij të jashtme, si dhe progresin e madh që ka arritur vendi dhe shoqëria katariane në të gjitha fushat, nën lidershipin e Lartësisë së Tij Emirit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani dhe Emirit Baba Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani, sipas Vizionit Kombëtar të Katarit 2030.

Image

Ambasadori foli edhe për krizën aktuale të Gjirit dhe bllokadën e padrejtë të imponuar nga disa vende fqinje ndaj shtetit dhe popullit të Katarit, duke theksuar se vendi i tij ka shprehur në vijimësi gatishmërinë për zgjidhjen e krizës përmes dialogut dhe respektimit të sovranitetit të shteteve, në përputhje me konventat dhe traktatet rajonale dhe ndërkombëtare.

Ai vuri në dukje se masat e marra nga vendet e bllokadës nuk kanë patur asnjë impakt ekonomik dhe politik mbi Shtetin e Katarit, dhe theksoi se vendi ka bërë gjatë kësaj periudhe shumë përparim dhe arritje, dhe se zhvillimi ekonomik i vendit ka ruajtur ritmin e tij me normën  e rritjes më të madhe në rajonin e Gjirit.

Image

Ai gjithashtu siguroi se të gjitha projektet dhe përgatitjet e ndërmarra nga Katari për organizimin e Kupës së Botës në 2022, po implementohen me ritme të shpejta dhe se ato do të përfundojnë plotësisht përpara nisjes së Botërorit.

Gjatë fjalës së tij, Ambasadori theksoi thellësinë dhe forcën e marrëdhënieve miqësore mes Shtetit të Katarit dhe Republikës së Shqipërisë, dhe shprehu bindjen se bashkëpunimi dypalësh do të njohë në një të ardhme të afërt progres dhe zhvillim të mëtejshëm në të gjitha fushat, pasi të dy vendet kanë një vullnet të përbashkët në këtë drejtim.

Ambasada e Katarit në Tiranë është hapur në Janar 2012. Që prej asaj kohe marrëdhëniet mes dy vendeve kanë patur zhvillime të dukshme. Katari është i angazhuar për të rritur bashkëpunimin dypalësh me Shqipërinë në të gjitha fushat me interes të përbashkët, gjë që u konfirmua nga Ambasadori Ali Bin Hamad Al Marri në fjalën e tij gjatë ceremonisë së sotme.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco