FAO, sytë nga Shqipëria për humbjet e ushqimit

FAO, sytë nga Shqipëria për humbjet e ushqimit

12:02, 05/12/2018
A+ Aa A-

Në Evropë dhe Azinë Qendrore, dhe veçanërisht në vendet që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, humbjet e ushqimit dhe mbetjet kanë implikime të mëdha në vlerat ushqyese dhe sigurinë përmes mungesës së efikasitetit në zinxhirin e vlerave ushqimore. FAO është duke punuar me katër vende të Evropës Juglindore për të zhvilluar nje strategji për humbjen e ushqimeve dhe reduktimin e mbeturinave.

Qëllimi kryesor i kësaj strategjie është të ndihmojë Shqipërinë, Armeninë, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Republikën e Moldavisë për të rritur konkurrueshmërinë e sektorëve të tyre bujqësorë dhe për të përmirësuar menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike.

Nën zbatimin rajonal të programit të FAO-s, "Ruaj ushqimin" për humbjen e ushqimit dhe reduktimin e mbetjeve, kjo strategji duhet të përputhet me nevojat specifike të secilit vend dhe me strategjitë ekzistuese kombëtare për zhvillimin e bujqësisë, sigurisë ushqimore dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike. Projekti gjithashtu do të zhvillojë një fushatë rajonale ndërgjegjësimi, do të krijojë dhe koordinojë një rrjet partneriteti, dhe do të zhvillojë programe trajnimi në praktikat e pas korrjes dhe reduktimin e ushqimit dhe mbeturinave.

"Humbja e ushqimit dhe mbeturinat zvogëlojnë disponueshmërinë e ushqimeve të pasura me mikronutriente, zvogëlojnë të ardhurat e fermerëve të vegjël - të cilët janë prodhuesit më të mëdhenj të ushqimit - dhe rrisin çmimet e ushqimit për konsumatorët urbanë", tha përgjegjësi i agrobiznesit në FAO i cili po udhëheq edhe iniciativën RUAJ USHQIMIN në rajon, Robert van Otterdijk. "Duke marrë parasysh mungesën e të dhënave për humbjen e ushqimit dhe mbeturinave në këto vende, FAO do të bëjë vlerësimin e këtyre humbjeve pas korrjes në zinxhirët e vlerave të përzgjedhura sipas këtij projekti."

Si hap i parë, ekspertët e FAO vizituan katër vendet pjesëmarrëse për të identifikuar aktorët kryesorë në zinxhirin e furnizimit të ushqimeve; kuptuan kuadrin rregullator në fushat e ushqimit, bujqësisë dhe mjedisit; mësuan rreth kufizimeve ekzistuese që ndikojnë në funksionimin e zinxhirëve të vlerës; dhe identifikuan prioritetet e vendeve dhe burimet e nevojshme për zhvillimin e zinxhirit të agrikulturës dhe reduktimin e humbjeve të ushqimit dhe mbeturinave. Janë mbajtur takime me zyrtarë qeveritarë, përfaqësues të sektorëve publikë dhe privatë që punojnë me ushqimin dhe bujqësinë, akademikët dhe shoqërinë civile.

U konstatua se humbjet e ushqimit në zinxhirët e vlerave të hortikulturës kanë ndodhur kryesisht për shkak të praktikave të papërshtatshme bujqësore, infrastrukturës së dobët të rrugëve dhe objekteve jo të përshtatshme të pajisjeve të post-korrjes, si dhe organizimit dhe bashkëpunimit të dobët midis aktorëve të zinxhirit të vlerës. Paqëndrueshmëria e klimës, së bashku me planifikimin e dobët dhe qasjen e kufizuar në treg, janë një tjetër shkak i madh i rendimentit të ulët dhe humbjeve të larta gjatë korrjes. Ekspertët u përpoqën të kuptonin sfidat me të cilat ballafaqohen aktorët e zinxhirit të vlerave në përpjekjet e tyre për të reduktuar humbjet e ushqimit dhe mbeturinat në nivelet e shitjes me pakicë dhe konsumatorëve dhe mësuan më shumë rreth barrierave të politikave që pengojnë donacionet e ushqimit, organizatat bamirëse dhe bankat ushqimore.

Në tremujorin e parë të vitit 2019 do të mbahen takime shumëpalëshe me grupet e interesit dhe do të formohen grupe pune në të gjitha vendet pjesëmarrëse për të lehtësuar zhvillimin e strategjive gjithëpërfshirëse për humbjen e ushqimit dhe reduktimin e mbeturinave.

Përveç reduktimit të disponueshmërisë së ushqimit, uljes së të ardhurave dhe rritjes së çmimeve, humbja e ushqimit dhe mbetjet e panevojshme dhe të konsiderueshme kontribuojnë në emetimet e gazrave serrë dhe efektet negative të ndryshimeve klimatike. Si e tillë, humbja e ushqimit dhe mbeturinat përbëjnë një problem të madh, të vazhdueshëm dhe të ndërlikuar që lidhet drejtpërdrejt me ekonominë, sjelljen e njerëzve, kushtet sociale, burimet natyrore dhe shumë sfera të tjera.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco