Ish-ministrja Mirela Karabina: Pse arsimi është në ditët e tij më të këqija

Ish-ministrja Mirela Karabina: Pse arsimi është në ditët e tij më të këqija

12:10, 28/11/2018
A+ Aa A-

Mirela Karabina, ish-Ministre e Arsimit, ka analizuar problemet e arsimit në vend në një intervistë për gazetën Telegraf. 

"Arsimi i Lartë është në ditët më të këqija, dhe fatkeqësisht kjo po ndodh në emër të reformës. - është shprehur Karabina. - Produkt i saj është një arsim i lartë i çorientuar, i mbërthyer nga paligjshmëria, jo cilësor dhe ka humbur besueshmërinë. Ligji i Arsimit të Lartë, që do materializonte reformën, me akte nënligjore të munguara, ka çorientuar funksionimin normal të universiteteve, duke penguar përmbushjen e detyrimit institucional të tyre. Bojkoti, që studentët po i bëjnë nga vitit në vit auditorëve, është dëshmi e humbjes së besueshmërisë ndaj tyre.

Kështu, ky ka qenë një fillim viti akademik i trishtë, pasi në auditorët janë ulur 10000 studentë më pak (INSTAT) krahasuar me vitin akademik 2013-2014; 30% e maturantëve aplikuan për studime jashtë vendit në 2018-ën. Reformë nuk do të thotë centralizim i procesit nga ministria, por mbështetje, ndryshim, zhvillim në mënyrë që arsimi i lartë, si e mirë publike, t’i përgjigjet kërkesave të shoqërisë, ritmeve të zhvillimit të saj, si dhe përgatitjes së tyre për një treg të brendshëm dhe global. Por, në fakt, kjo nuk po ndodh.

– Sa i ka shërbyer cilësisë së mësimdhënies “autonomia” universitare nga politika?

-Universitetet publike janë plotësisht të varur nga Ministria e Arsimit: ajo përcakton programe mësimore dhe zhvlerëson programe, ajo përcakton shpërndarjen e studentëve në universiteteve nëpërmjet procesit të centralizuar të pranimit në to, ajo përcakton buxhetin e universiteteve dhe e kontrollon nëpërmjet Bordeve Administrues, ku ajo ka kontrollin. Liria akademike dhe autonomia financiare e munguar i ka vendosur institucionet e arsimit të lartë në shërbim të ministrisë, duke u bërë me dashje dhe pa dashje mekanizma të saj. Por, pavarësisht centralizimit të procesit, mungesës së nxjerrjes së akteve nënligjore nga ministria për zbatueshmërinë e ligjit, kjo nuk justifikon apatinë, mungesës së zërit të fortë nga rektoratet, dekanatet dhe senatet për mosfunksionimin normal dhe paligjshmërinë në institucionet e tyre. Kur ligji, që ka hyrë në fuqi në tetor 2018, në nenet e tij është shterues, duhet të zbatohet, kur shkelet dhe mbahet peng nga ministria dhe pranohet nga universitetet, atëherë paligjshmëria vazhdon zinxhir. Gjithashtu, si mund të flasim për cilësi, kur doktoraturat u pezulluan nga ministria e Arsimit, duke penguar kualifikimin e stafit akademik dhe kufizim të burimeve financiare për institucionet e arsimit të lartë? Si mund të flasim për cilësi, kur titujt akademikë u penguan për arsye te mosnxjerrjes së akteve nënligjore, që të përcaktonin procedurat? Si mund të flasim për cilësi, kur buxheti i arsimit është më i ulëti ndër vendet e hapësirës evropiane (800-1000 euro për student të krahasuar me 20 000 që është në vendet e OCDE-së)? Si mund të flasim për cilësi, kur universitetet nuk mbështeten për kërkim shkencor (fondi për to është 4 milionë $ krahasuar me 40 milionë $ në vendete e OCDE-së), por gjejnë rrugë për mbijetesë?!

– Pse ka ngarkese të orëve të mësimdhënies të pedagogëve, dhe nuk pranohen pedagogë të tjerë?

-Ky është një problem që meriton vëmendje dhe duhet të marrë rrugë. Në fakt është kthyer në fenomen, mbajtja e vendeve të pashpallura dhe mbulimi i tyre me pedagogë të jashtëm. Në universitetet tona ka më shumë pedagogë të jashtëm, se të brendshëm.

– A mund të jetë normale kjo?

– Absolutisht jo.

– A ndikon tek cilësia kjo?

– Pa diskutim po. Sipas disa dekanateve, frika e ndryshimeve të herë pas hershme nga ministria të normës mësimore, ndryshime në strukturë me udhëzime të befta dhe jo në frymë të ligjit, apo dhe nene të Ligjit të Arsimit të Lartë “i frikëson” ata për vendet e punës. Një anormalitet i madh, cilësi e dyshuar, çoroditje e organizuar. Ndërkohë, kjo ka sjellë që të ketë “pronarë” orësh mësimore në universitete, që megjithëse koha fizike ka qenë e pamundur për t’i zhvilluar, shpërblimi financiar nuk ka qenë i munguar. Në fakt, kjo duket jo në rrjedhë normale, dhe të çon në dyshime të arsyeshme që mund të kemi të bëjmë me përfitime në rrugë jo ligjore.

– A munden ta përballojnë në kohë dhe me mundësitë fizike pedagogët të japin mësim njëkohësisht edhe në universitete publike dhe private?

– Problemi nuk qëndron, nëse jep mësim në dy universitete (edhe ligji e njeh këtë të drejtë), pasi ndërveprimi universitar, ndërveprimi metodologjik, dhënia dhe marrja mes institucionesh të ndryshme sjell të mira dhe zhvillim. Por, kjo nuk është normale, nëse ngarkesa mësimore është e lartë dhe koha fizike nuk e justifikon, dhe, sigurisht, do të ketë pasoja në cilësi.

– A është i bazuar në meritokraci mekanizmi i përzgjedhjes së pedagogëve në Universitetet tona publike?

– Mendoj, ky proces paraqet problem, të cilat i shohim dhe i prekim çdo ditë në punën tonë. Fakti që kemi mësimdhënës jo në nivelin e duhur profesional tregon vendosjen herë-herë të kritereve sipas individëve, dhe jo sipas interesit institucional. Dhe, duket, që interesi herë-herë të jetë te kriteret e përzgjedhjes së pedagogëve (që është i rëndësishëm, por jo kur është selektiv) duke neglizhuar mekanizmat reale kontrollues dhe vlerësues të punës së tyre, si nga brenda institucionit ashtu dhe jashtë tij. Këto mekanizma do krijonin mundësinë e përzgjedhjes cilësore të pedagogëve, dhe jo formalisht në një pafundësi letrash që në disa raste janë të pavlera, si rezultat i mungesës së transparencës së përfitimit te tyre. Do t’i mbetemi borxhlinj studentëve tanë, të cilët nuk marrin shërbimin cilësor të kërkuar, dhe një pjesë e tyre, dhunshëm detyrohen të ikin nga sytë këmbët rrugëve të Evropës, dhe më tej.

– Ju si e shpjegoni që shpërblimet e pedagogëve në universitete janë shumë të larta, sa buxheti i universiteteve tona publike për 2019 është më i madh nga buxheti i shtetit për Bujqësinë?

– Nëse buxheti do të ishte i lartë për Arsimin, ky do të ishte lajmi më i mirë. Por, vazhdon të jetë në ulje, 2.49% e PBB (prodhimit të brendshëm bruto) nga 5% e premtuar nga qeveria aktuale. A mund të flasim për shërbim cilësor? Arsimi do vëmendjen dhe të jetë prioritet i të gjitha qeverive, sepse ai është shtylla e një kombi, është formimi dhe drejtimi i shoqërisë. Shpërblimi i pedagogëve është çështje brenda institucionit, dhe menaxhimi transparent profesional i tyre është detyrim ligjor institucional.

– A janë cilësore gradat shkencore që fitohen në universitetet tona, kur ndërkohë në sasi janë kaq të shumta, ndërkohë që universitetet tona janë të fundit në renditjen e vlerësimeve ndërkombëtarë?

– E vërtetë, nuk korrelojnë gradat dhe titujt e shumtë të marra në këto vite me cilësinë e ofruar në universitete. Qëllimi, mesa duket, nuk ka qenë cilësia, por përmbushja e disa interesave, edhe politike, të cilat kanë bërë dëmin e madh, zhvlerësimin e titujve, kthimin e tyre në rutinë dhe jo në mund, cilësi dhe profesionalizëm. Siç thotë një fjalë ë urtë “shumë e për lumë”, pra tituj dhe grada jo për aftësitë, por për interesa, dhe jo në shërbim të cilësisë.

– Specialitetet që profilizohen në universitetet tona a i paraprijnë dhe i përgjigjen progresit dhe nevojave të tregut?

– Kjo do të ishte ajo që duhet, pra programet t’i përgjigjen nevojave të tregut, kuotat e universiteteve të ishin bazuar në studimin e tij. Dhe kjo nuk ndodh kështu, pra, as programet dhe as kuotat nuk bazohen në studim tregu. Fatkeqësisht, përballë vështirësive financiare, universitetet janë duke shpikur lloje-lloje programesh për të tërhequr studentë, rrisin kuotat artificialisht dhe jashtë kapaciteteve të tyre për mbijetesë Kjo ka sjellë një çoroditje në përcaktimin e llojit të studimit,, mbivendosje diplomash, paqartësi në treg. Dhe, e gjitha në dëm të dijes, në dëm të formimit cilësor universitar. Së fundmi, universitetet janë kthyer nga qendra të zhvillimit shkencor në qendra kursesh kualifikuese, duke hapur dyert për studentë me mesatare nën 6. Pra, diplomës universitare trevjeçare “Bachelor” tregu nuk i ofron punësim, kështu që, këto diploma kursesh janë thjesht momentale, politike, zhvlerësuese dhe ulje e nivelit universitar dhe vijnë si zgjidhje e problemit financiar të universiteteve: rënia e madhe e numrit të studentëve dhe buxheti i shtetit i ulët.

– A janë të justifikueshme tarifat e larta për studentë në universitetet tona publike? (Në shumë vende të Evropës janë falas).

Fakt është që tarifat janë në rritje, dhe me këtë politikë që ndiqet do vazhdojnë të rriten, pasi buxheti i shtetit i ulët detyron universitete të rrisin tarifën për të siguruar të ardhura për rrogat e stafit akademik dhe administrativ. Nëse qeveria do ta kishte prioritet arsimin, do të planifikonte një buxhet dinjitoz që të siguronte zhvillim normal cilësor, tarifa të pranueshme për familjet shqiptare që sakrifikojnë të ardhurat e tyre fare të pakta për fëmijët, dhe pse jo, dhe të jetë falas për një popull arsimdashës si i yni. Por, ka munguar dëshira, vullneti dhe qëllimi i moralshëm:çdo gjë në të mirë të mirë-arsimimit të fëmijëve shqiptarë.

– Ju si e shpjegoni që në Shqipëri diplomohen me qindra studentë në mjekësi dhe infermieri, por niveli i tyre nuk mund të përmbushë kërkesat dhe standardet për punësim në Gjermani, Itali, ku sot ka kaq nevojë për punësim?

-Në fakt, kjo duhet të jetë reforma, t’i japë vlerë konkurruese diplomave tona me universitetet simotra të hapësirës evropiane. Por, fatkeqësisht, arsyet që renditëm më lart, i kanë lënë universitetet me programe jo të rinovuara dhe jo të barasvlershme me programet në universitete evropiane dhe përtej. Studentë tanë në mjekësi kanë fatin e tyre të punësohen dhe specializohen në një vend si Gjermania por, kjo është fatkeqësi jona, pasi po largohen studentët dhe specialistët më të mirë. Penalizimi i diplomës shqiptare në një vend si Gjermania, e cila ia ka hapur dyert mjekëve tanë, është vonesë në disa procedura profesionale në dy vite, pra, pas dy vitesh pune pajisen me licencën gjermane. Po kështu, diploma jonë në arkitekturë, diplomë e integruar 5 vjeçare, në Kanada baras-vlerësohet me nivelin “Bachelor”, pra me tri vite. Dhe, reforma e vërtetë duhet të të synojë, pikërisht, vlefshmërinë e diplomave tona, nëpërmjet një procesi të decentralizuar, të lirisë akademike dhe pavarësisë financiare të universiteteve, ashtu si ligji e kërkon, që universitetet të jenë konkurrues në treg me programe cilësore dhe diploma te vlefshme për tregun tonë dhe përtej.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco