Përurohet busti i shkencëtarit Betim Muço në shkollën e re në Kombinat

Përurohet busti i shkencëtarit Betim Muço në shkollën e re në Kombinat

13:04, 21/11/2018
A+ Aa A-

Shkrimtari, poeti, përkthyesi dhe fizikani Betim Muço është përkujtuar nga të afërm, familjarë, por edhe stafi pedagogjik dhe nxënësit e shkollës që mban emrin e tij në Njësinë Nr. 6 në Tiranë.

Shkolla e re në Kombinat, përveç emrit të Betim Muços do të mbajë në ambientet e saj edhe bustin e tij, si një shenjë mirënjohje për gjithçka ai bëri në fushën e shkencës, por edhe si shkrimtar e përkthyes.

Në ceremoninë e vendosjes së bustit, mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili vlerësoi figurën e Betim Muços dhe kontributin e tij me vlerë për shoqërinë shqiptare. Ndërsa solli në vëmendje historinë e miliarderëve botërorë të cilët zgjodhën të bëhen të pavdekshëm nëpërmjet filantropisë, Veliaj tha se Betim Muço e ka bërë këtë me dije dhe me veprën e tij.

Veliaj shprehu një mirënjohje të veçantë për bashkëshorten e Betimit Muços, Martën, e cila po çon përpara misionin e tij, por edhe duke dhënë ndihmën e saj për edukimin dhe promovimin e nxënësve më të mirë të shkollës “Betim Muço”.

Bashkëshortja e Betim Muços ndërsa falënderoi kreun e Bashkisë së Tiranës për vëmendjen që i ka kushtuar vlerësimit të figurës së Betim Muços, vlerësoi edhe punët e mira që janë bërë për ndryshimin e Tiranës.  Ajo falënderoi edhe skulptorin i cili punoi me shumë dashuri, elegancë dhe shumë talent për të na e sjellë skulpturën e Betimi Muços e cila u vendos në shkollën që mban emrin e tij.

 

 

Gjatë kësaj ceremonie u shpërndanë edhe bursa për nxënësit më të mirë të shkollës “Betim Muço” në fizikë dhe letërsi.

Bashkia e Tiranës në shenjë mirënjohje për kontributin e dhënë me anë të veprave të tij të shumta në fushën e letërsisë, në atë shkencore dhe të përkthimit i dha shkollës së re në Kombinat emrin “Betim Muço”.

Shkolla e re 9-vjeçare “Betim Muço” në Kombinat hapi dyert për nxënësit e saj për herë të parë shtatorin e kaluar në vitin 2017, me 27 klasa dhe 6 laboratorë dhe është një nga shkollat  me  infrastrukturën më moderne dhe bashkëkohore në Tiranë.

Sot shkolla  “Betim Muço” ka afërsisht 1000 nxënës. Gjithashtu, shkolla ka një palestër dhe 3 terrene sportive të jashtme, të cilat përveç shkollës, shërbejnë edhe si një hapësirë komunitare.

     

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    sela21/11/2018 17:41

    erion mavria

    Shto koment

    Denonco