Fillon Kreshma e Krishtlindjes, 15 nëntor - 24 dhjetor

Fillon Kreshma e Krishtlindjes, 15 nëntor - 24 dhjetor

10:24, 14/11/2018
A+ Aa A-

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë njoftoi besimtarët e krishterë orthodhoksë se data 15 nëntor daton me fillimin e periudhës së përgatitjes për festën e madhe dhe shumë të rëndësishme të Krishtlindjes, pra me fillimin e Kreshmës.

Kjo është një prej periudhave kreshmore që Kisha ka vendosur si kohë përgatitore për të pritur denjësisht festat e mëdha.

Kreshma e Krishtlindjes është kreshmë e gëzueshme, sepse edhe vetë ngjarja, Lindja e Krishtit, e cila kremtohet në 25 dhjetor, solli gëzim shumë të madh, citohet Mattheu 2:10.

Gjatë kësaj periudhe të përcaktuar nga Kisha, ne përgatitemi me kreshmë dhe paralelisht përjetojmë të gjithë himnologjinë e po kësaj periudhe, në mënyrë që të jetojmë ngjarjen e madhe të Ardhjes së Perëndisë në tokë.

Sipas Kishës, "Kreshma është bashkëpunim i pjesës materiale të trupit tonë në adhurimin e Perëndisë së gjallë. Duke kreshmuar me disa ushqime dhe nga ana tjetër duke kreshmuar nga mëkatet, ndihmojmë të gjithë njeriun, trup e shpirt, të afrohet e të adhurojë Perëndinë.  Në këtë mënyrë ne parapërgatitemi për ardhjen e Perëndisë në tokë me kreshmë 40-ditore.

Në këtë kreshmë ne privohemi nga prodhimet blegtorale (mish, vezë, qumësht, djathë, gjalpë etj) dhe paralelisht me këto ne përpiqemi të bëjmë edhe një reflektim mbi jetën dhe veten tonë, duke mos e shndërruar Kreshmën në një dietë dhe në “poza”, por në një shqyrtim të vërtetë e të thellë pendimi të vetës dhe të gjendjes sonë mëkatare.

Kreshma është mjet, jo qëllim! Kreshma na ndihmon dhe na krijon atmosferën për lartësimin shpirtëror. Besimtarët gjatë kësaj periudhe urojnë njëri - tjetrin: “Kreshmë të mbara dhe të gëzuara!”përfundon njoftimi.


Në Kreshmë nuk hahen mishi dhe nënproduktet e tij, as veza dhe produktet bulmetore. Lejohen peshku, frutat e detit, perimet, vaji dhe frutat.

Peshku lejohet deri ne dt. 17 dhjetor. Peshku, vaji e vera nuk lejohen të mërkurave dhe të premteve.

Nga data 17 deri më 24 Dhjetor, kreshma bëhet më e fortë, ku peshku nuk lejohet dhe vera e vaji lejohen vetëm të shtunave dhe të dielave.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco