Busti Papa Gjon Palit II vendoset pranë Arenës Kombëtare

Busti Papa Gjon Palit II vendoset pranë Arenës Kombëtare

14:14, 12/11/2018
A+ Aa A-

Në 25 vjetorin e vizitës së tij në Shqipëri dhe në 40 vjetorin e zgjedhjes si Papa i parë jo italian, Tirana nderoi sot Shën Gjon Palin e II. Në prani të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Arqipeshkvit të Dioqezës së Tiranës dhe Durrësit, Imzot George Frendo, ambasadorit të Polonisë në vendin tonë, Karol Bachura e shumë besimtarëve dhe qytetarëve të Tiranës, u përurua busti i Papa Gjon Palit të II-të, i cili u vendos në sheshin pas Pallatit të Kongreseve.

Në fjalën e tij në ceremoni, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se busti i Papa Vojtilës ia shton edhe më shumë vlerat Tiranës, si simboli i një njeriu që la gjurmë në jetën e Kishës Katolike, larg intolerancës dhe nacionalizmave, por edhe që luajti një rol vendimtar në hapjen dhe ngritjen e kishave në gjithë vendet ish-komuniste, siç ishte edhe Shqipëria.

Ai gjithashtu dha lajmin e mirë se në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera do të organizohet një konkurs për të përzgjedhur veprën më të mirë që do të përkujtojë në Tiranë viktimat e komunizmit. “Kam biseduar me ambasadorin polak, me kryetaren e komisionit tonë për hapjen e dosjeve, për organizimin e një konkursi për të patur monumente për të përkujtuar të gjithë viktimat e komunizmit. Kemi marrë propozime nga disa shoqata, për t’i dhënë Tiranës një kujtesë të asaj periudhe që ka kaluar, e që mos të përsëritet më kurrë as në Tiranë, as në ndonjë cep tjetër të Shqipërisë”, tha Veliaj.

Ambasadori i Polonisë në vendin tonë, Karol Bachura, falenderoi Bashkinë e Tiranës dhe institucionet e tjera shqiptare që mundësuan vendosjen e këtij busti dhe theksoi se kjo përkon edhe me vitin e Skëndërbeut, për të cilin Papa Gjon Pali i II dhe kardinalët e tij flisnin shumë. Busti i Papa Gjon Palit të II-të u bë i mundur falë bashkëpunimit të Bashkisë së Tiranës, Kushës Katolike dhe ambasadës polake në vendin tonë edhe me rastin 100 vjetorit të pavarësisë së Polonisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco