Fadil Kepi: Emigrantët, pension edhe në Shqipëri

Fadil Kepi: Emigrantët, pension edhe në Shqipëri

07:39, 22/04/2018
A+ Aa A-

Eksperti për çështjet e pensioneve Fadil Kepi ka sqaruar qytetarët mbi problematikat e pensioneve. Eksperti ka sqaruar qytetarët që kanë dalë në pension, por vazhdojnë të punojnë në sektorin privat për detyrimet por edhe privilegjet e tyre. Po kështu profesor Kepi ka sqaruar qytetarët që kanë problem shëndetësore për procedurën e pensionit të invadilitetit.Në Report TV, , Fadil Kepi u është përgjigjur pyetjeve të ndryshme të qytetarëve. 

Me anë të një letre na pyesin: “Si trajtohen nga ana financiare nënat, të cilat lindin trinjakë?”.

Urojmë që fëmijët e lindur të kenë jetë të gjatë. Në vendin tonë, sipas të dhënave të INSTAT-it, janë 125 nëna që kanë lindur nga tre fëmijë. Janë 6 nëna që kanë lindur nga katër fëmijë dhe një nënë që ka lindur 5 fëmijë. Sqaroj se nënat që kanë lindur binjakë ose trinjakë etj., me radhë, e gëzojnë lejen e lindjes me pagesë, e cila është 390 ditë kalendarike, ku nëna para se të fillojë lejen e paralindjes, e cila caktohet si datë nga mamia apo mjeku që e ka ndjekur nënën gjatë shtatzënisë 390 ditë kalendarike, të cilat ndahen: 60 ditë leje paralindje, dhe tjetra, 330 ditë leje paslindje. Cili është kushti? Duhet të që nëna të ketë 12 muaj punë gjithsej të siguruara, para se të fillojë lejen e paralindjes. Mund të jetë e vetëpunësuar në bujqësi, ka marrë tokë sipas ligjit, mund të ketë punuar në sektor privat ose në sektor shtetëror. Nuk quhet për efekt të përfitimit të lejes së lindjes periudhat që nënat kanë marrë ndihmë ekonomike dhe periudha që ka vazhduar shkollën e kartë ditën sepse periudha e shkollës së lartë ditën njihet, sipas ligjit të sigurimeve shoqërore, vetëm si vjetërsi për efekt të pensionit të pleqërisë. Tani, si paguhet leja e lindjes kur i plotëson kushtet? 60 ditë para lindje dhe 150 ditë pas lindje, që bëjnë gjithsej 210 ditë, paguhet me 80% të pagës mesatare neto, që ka marrë vitin e fundit, para se të fillonte lejen e paralindjes. Dhe pastaj, nga dita e 151-të deri në fund, paguhet me 50% të pagës. Përveç kësaj, nënat të cilat kanë lindur trinjakë, kur regjistrojnë fëmijët e tyre në bashki, përfitojnë 5 mijë lekë të reja për çdo fëmijë të lindur, pra për trinjakët 15 mijë lekë të reja. Ndërsa në Sigurimet Shoqërore, përveç lejes së lindjes që e shpjegova se si paguhet, merr 12 mijë lekë të reja për çdo fëmijë të lindur, pra për trinjakë 36 mijë lekë të reja. Atëherë, nënat që lindin trinjakë, derisa fëmijët të bëhen 18 vjeç, marrin 3 mijë lekë të reja në muaj për çdo fëmijë, pra 9 mijë lekë në muaj. Ato që lindin katërnjakë, marrin 4 mijë lekë të reja për çdo fëmijë deri në moshën 18 vjeç. Për pesënjakë merren 5 mijë lekë të reja në muaj deri në 18 vjeç. Periudha që nëna merr lejen e lindjes quhet vjetërsi pune për pension dhe në rast se është lindja e parë me trinjakë, midis lindjes së parë dhe asaj të dytë, duhet të ketë përsëri 1 vit punë të siguruar, për të përfituar lejen e lindjes. Ndërsa kur lind një fëmijë është pothuajse e njëjta procedurë. Në këtë rast leja e lindjes nuk është 390 ditë kalendarike, por është 365 ditë dhe ndahet në 35 ditë leje paralindje dhe 330 ditë paslindje. Leja e paralindjes dhe 150 ditë paslindjes paguhen me 80% të pagës mesatare neto, si më lart. Kur lind një fëmijë, leja e detyrueshme është nga dita kur nëna merr lejen e paralindjes dhe 63 ditë pas lindjes. Në ditën e 64-t, në qoftë se dëshiron, nëna ka të drejtë të paraqitet në punë. Kush lind fëmijë binjakë ose trinjakë, barnat mjekësore derisa fëmijët të bëhen 12 muajsh, i merr falas. Përveç barnave mjekësore, derisa fëmijët të bëhen 7 vjeç, nëna ka të drejtë të marrë raport mjekësor të paguar, 14 ditë në vit, për çdo fëmijë. Të gjitha këto raporte mjekësore paguhen nga Sigurimet Shoqërore. Ndodh që nëna nuk i ka 12 muaj të siguruar përpara se të fillojë lejen e paralindjes. Si veprohet? Në këtë rast, në qoftë se burri ka 12 muaj punë të siguruar, deri në ditën që lind fëmija, nga dita e 64-t e merr burri lejen derisa fëmija të bëhet 330 ditësh. Edhe shpërblimin nga fondet e Sigurimeve Shoqërore e merr burri në punën e tij. Tani, ka një veçori, p.sh. një nënë ka lindur një fëmijë dhe e mori lejen e lindjes. Mbetet përsëri shtatzënë. Midis fëmijës së parë dhe të dytë duhet të ketë përsëri 12 muaj punë të siguruar, me përjashtim të rastit kur ka qenë me lejen e paslindjes të fëmijës së parë, ka mbetur shtatzënë me fëmijën e dytë ose kur ka qenë me lejen e paslindjes së fëmijës së dytë ka mbetur shtatzënë me fëmijën e tretë. Por kjo përcaktohet vetëm nga mjeku që ndjek shtatzëninë. Në këto raste nuk kërkohet një vit punë të siguruar për çdo fëmijë të lindur. Ja pra që kemi një ligj human dhe shumë favorizues.

Telefonoj nga Kukësi. Kam dalë në pension në vitin 2015. Kam gjithsej 40 vjet punë e 6 muaj dhe më ka dalë pensioni 180 mijë lekë të vjetra. A mund të më sqaroni?

Zonjë e nderuar, unë mendoj që duke filluar nga dita e hënë, bashkë me librezën e pensionit, ju duhet të paraqiteni te drejtori i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Kukës. Libreza e pensionit ka një numër me të cilin hapet dosja juaj. Është e vërtetë që ju keni shumë vite pune. Në vitin 2015, për të marrë pension të plotë, duheshin 35 vjet e 4 muaj punë. Ju keni shumë. Por, sasia e pensionit nuk varet vetëm nga vitet e punës, por varet edhe nga paga mesatare e 35 viteve. Unë jam i bindur se do të sqaroheni.

Flas nga Italia. Unë jam larguar nga Shqipëria në vitin 1990. Kam filluar punë si nxënës që në vitin 1974. Sa vite pune më duhen që të përfitoj një gjysmë pensioni?

Burrat dalin në pension, aktualisht 65 vjeç në vendin tonë. Do të vazhdojë kjo moshë pa u ndryshuar fare deri në vitin 2032. Për të marrë pension në Shqipëri duhet të paktën të kesh 15 vjet punë i siguruar në vendin tonë, nga mosha 16 vjeç e lart, përfshirë këtu edhe periudha si nxënës në ekonomi, sepse këta nxënës janë paguar. Por mbi moshën 16 vjeç. Në rast se ke shkuar jashtë shtetit, në Itali, ju i keni 15 vjet punë, përfshirë edhe periudhën që keni qenë ushtar, përfshirë edhe periudhën që mund të keni marrë asistencë në vendin tonë, periudhën kur mund të keni marrë lejen e zakonshme ose raporte mjekësore, të gjitha këto përfshihen në vjetërsinë e punës. Në rast se personi nuk i ka këto, atëherë çfarë bëhet? Para se burrat të plotësojnë moshën 65 vjeç sivjet dhe gratë moshën 60 vjeçe e 8 muaj, duhet të bëjnë sigurime vullnetare. Janë të leverdishme. Në qoftë se ke 14 vjet punë, nuk merr pension fare në vendin tonë, le ta kesh plotësuar moshën e pensionit. Si i bëhet? Para se të plotësosh moshën për pension, shkoni në Sigurimet Shoqërore dhe i mblidhni edhe një herë vitet bashkë me specialistët e Sigurimeve Shoqërore. Nëse keni 14 vjet apo 13 vjet, bëni 1 apo 2 vjet sigurime vullnetare dhe merrni pension. Nëse e keni plotësuar moshën për pension, nuk mund t’i bëni më sigurimet vullnetare. Meqenëse zotëria është në Itali, për vitet e punës që punon në Itali, aktualisht atje minimumi i viteve të punës për të marrë pension është 20 vite. Në qoftë se atje ka 19 vjet punë, nuk ka për të marrë pension. Të interesohet për t’i plotësuar këto 20 vite që të marrë pension atje. Po të ketë edhe 15 vjet punë të siguruar në Shqipëri, merr edhe këtu pension dhe i bëhen dy pensione paralelisht. E përshëndes zotërinë se, nëpërmjet tij, sqaruam edhe emigrantë të tjerë.

Flas nga Elbasani. Jam 75 vjeçe. Kam dalë në pension në vitin 2000. Kam qenë e sëmurë me sëmundje profesionale. Nuk ma dhanë KEMP-in, por më thanë që të dilja në pension. Kam 40 vjet punë në kooperativë dhe punë shteti. Pensioni më doli 51 mijë lekë të vjetra, 1.500 lekë ushqim, 3.500 lekë drita. Tani marr 160 mijë lekë të vjetra. 120 mijë lekë marr ilaçe. A mund të më shpjegoni si qëndron puna?

Zonjë e nderuar, është e vërtetë që ilaçet nuk rimbursohen të gjitha. Rreth 600 barna mjekësore, pensionistët i marrin me rimbursim të plotë, ata të cilët janë në invaliditet të plotë dhe ata të cilët marrin pension të plotë. Edhe ju kushtet i keni për të marrë pension të plotë. Zonjë e nderuar, ju për pensionin tuaj, duhet të shkoni të hënën ose të martën bashkë me librezën e pensionit, dhe të takoni Drejtorin e Sigurimeve Shoqërore në Elbasan. Ai ka një orar pritjeje. Parashtrojini pretendimet tuaja dhe dëgjoje sqarimin e tij me kujdes. Unë të dëgjova dhe çuditem që të kesh 40 vjet punë e të marrësh pension 51 mijë lekë. Ose e ke gabim ti ose ka ndonjë gabim nga Sigurimet Shoqërore. Merre përgjigjen prej tij dhe nëse nuk e zgjidh problemin, më telefono ose më shkruaj përsëri dhe të më tregosh arsyen se përse nuk u zgjidh problemi. Të uroj shëndet dhe jetë të gjatë.

Telefonoj nga Tropoja. Jam 66 vjeç. Kam 33 vjet punë dhe kam edhe 15 vjet invaliditet. Unë e kam marrë pensionin, atë KEMP-in që kam pasur, por nuk jam i kënaqur me llogaritjen e shumës. Edhe shtesën nga bashkia, 3.300 lekë e marr. Pensionin e kam 19.500 lekë.

Pra ju merrni 22.800 lekë. Duhet patjetër, që nga dita e hënë të shkosh në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Tropojë dhe të kërkoni, që sipas nenit 86 të Ligjit për Sigurimet Shoqërore, të bëni një ankesë me shkrim Komisionit të Ankimit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Kukës, sepse agjencia në Tropojë nuk llogarit pensione, por vetëm pranon dokumentet. Komisioni i Ankimit përbëhet nga specialistë me arsim të lartë, si financierë, juristë dhe ekonomistë. Ata do t’ju kthejnë përgjigje. Përgjigjen do ta marrësh po në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Tropojë, aty ku do të besh ankesën. Përgjigjja si rregull duhet të vijë brenda 30 ditëve. Shpresoj të bindesh. Nuk përjashtohet mundësia që të kenë bërë gabime, pa dashje sepse nuk kanë interes që t’i bëjnë me dashje. Nëse përsëri nuk do të bindesh, ke të drejtë t’i bësh një ankesë tjetër me shkrim Komisionit Qendror të Ankimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, por herën e dytë ankesën do ta dërgosh me postë-rekomande, te Posta e Tropojës. Uroj ta gëzosh gjatë pensionin dhe me shëndet të mirë./shqiptarja.com

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco