Nuk ka ilaçe për hepatitin C, burokracitë rrezikojnë jetën e të sëmurëve

Nuk ka ilaçe për hepatitin C, burokracitë rrezikojnë jetën e të sëmurëve

21:30, 19/04/2018
A+ Aa A-

Pacientët me hepatit C kanë ndërprerë mjekimin pasi nuk është miratuar fondi për të blerë atë medikament që është përcaktuar në protokollin mjekësor, suksesi i të cilit është i garantuar.

Besarti nga Durrësi është vetëm 22 vjeç dhe përveçse me hemofili, është prekur edhe nga hepatiti C. Ai thotë se ka humbur shpresat për ilaçin, pasi është shumë i kushtueshëm.

“Hepatitin C e kam marrë gjatë transfuzionit të gjakut. Nuk e marr mjekimin sepse shteti nuk ka buxhet mjaftueshëm. Jemi në pritje prej kohësh”, tregon Besarti.

Sipas mjekëve, nëse pacienti ndërpret mjekimin, rrezikon që infeksioni të avancojë dhe të kalojë deri në cerozë apo kancer të mëlçisë, fundi i të cilit dihet. Ndërkohë që trajtimi me Harvon, sipas mjekëve, është një ndër protokollet më të fundit që përdoret në vendet e zhviluara dhe çon në shërimin e pacientit.

Por, këtë vit nuk ka përfituar askush, pasi nuk është mbledhur këshillli administrativ, i cili drejtohet nga ministri i Shëndetësisë, për miratimin e fondit për të blerë medikamentin.

Besarti vuan edhe nga hemofilia, por edhe për këtë nuk trajtohet sipas protokollit: “Ka mungesa edhe këtu, që mund të çojnë në invalidizim të plotë ose të pjesshëm. Na duhen 3000 unitete në javë, por marrim 1000 unitete në muaj”.

Numri i të prekurve me hepatit C në vendin tonë është i lartë, por jo të gjithë mund të trajtohen me këtë medikament, pasi për një pacient mjekimi kushton 30 mijë deri në 40 mijë euro. Mesatarisht, në një vit ka buxhet për t’u trajtuar 30 pacientë, të cilët marrin prioritet sipas gjendjes së tyre shëndetësore.

Burime të Top Channel thonë se Kontroli i Lartë i Shtetit ka konstatuar shkelje gjatë viteve të mëparshme për trajtimin me këtë medikament, ndaj kërkon që për të të merret vendim qeverie.

/Top Channel/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco