Për njerëzit me diabet, mbajtja nën kontroll e niveleve të sheqerit në gjak është shpesh një sfidë e përditshme.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se një zakon i thjeshtë, siç është një shëtitje dhjetë minutëshe pas mëngjesit , mund të kontribuojë ndjeshëm në uljen e niveleve të sheqerit në gjak në fillim të ditës.
Ushtrimet menjëherë pas vaktit janë aq efektive sa Kolegji Amerikan i Mjekësisë Sportive rekomandon që njerëzit me diabet të tipit 2 të planifikojnë ushtrimet pas vaktit, jo para tij. Ekspertët e diabetit konfirmojnë se edhe 10 minuta janë të mjaftueshme për të bërë një ndryshim të rëndësishëm, për sa kohë që filloni të ecni menjëherë pas ngrënies, shkruan EatingWell.
Si ndikon ecja pas mëngjesit në sheqerin në gjak
Pas një vakti, nivelet e sheqerit në gjak rriten natyrshëm. "Një shëtitje e shkurtër pas mëngjesit ndihmon në zbutjen e rritjes së sheqerit në gjak sepse glukoza përdoret menjëherë për energji në vend që të ruhet në gjak", shpjegon Rebecca Jaspan, dietologe e regjistruar dhe edukatore e çertifikuar për diabetin. Muskujt aktivë kanë nevojë për glukozë, kështu që e përdorin atë shpejt, gjë që rezulton në një rritje më të vogël të sheqerit në gjak, raporton Index.hr.
Megjithatë, koha është thelbësore. Një studim zbuloi se një ecje dhjetëminutëshe menjëherë pas konsumimit të karbohidrateve çoi në rritje më të vogla të glukozës dhe nivele mesatare më të ulëta të sheqerit në gjak sesa pritja gjysmë ore dhe ecja tre herë më gjatë.
Ndihmon trupin të përdorë insulinën në mënyrë më efikase
"Tek njerëzit me diabet, trupi ose nuk i përgjigjet mirë insulinës ose nuk prodhon mjaftueshëm insulinë", thotë Amy Kimberlen, një zëdhënëse e Akademisë së Ushqyerjes dhe Dietologjisë. "Por kur njerëzit me diabet ushtrohen rregullisht, qelizat e tyre bëhen më të ndjeshme ndaj insulinës."
Ecja pas mëngjesit për të përmirësuar ndjeshmërinë ndaj insulinës duhet të bëhet një zakon i përditshëm. "Ndjeshmëria ndaj insulinës përmirësohet gradualisht", thotë Lauren Plunkett, dietologe e regjistruar. Edhe pse ushtrimet fizike mund të përmirësojnë ndjeshmërinë ndaj insulinës deri në 24 orë, efektet zhduken pas kësaj.
"Sa më shpesh që angazhohemi në aktivitet aerobik, madje edhe për periudha të shkurtra kohore, aq më shumë ka gjasa të shohim përmirësime në ndjeshmërinë ndaj insulinës", shpjegon Plunkett.
Rrit bakteret e zorrëve që ndihmojnë në rregullimin e sheqerit në gjak
Një shëtitje e përditshme pas mëngjesit mund të ndihmojë gjithashtu në mënyrë indirekte në rregullimin e sheqerit në gjak.
"Hulumtimet e fundit sugjerojnë se ushtrimet fizike mund të ndihmojnë në rregullimin e niveleve të sheqerit në gjak tek njerëzit me diabet duke ndikuar në mikrobiotën e zorrëve", thotë Kimberlen.
Një mekanizëm është nëpërmjet aftësisë së baktereve të dobishme të zorrëve për të prodhuar komponime anti-inflamatore të quajtura acide yndyrore me zinxhir të shkurtër. Këto komponime përmirësojnë metabolizmin e energjisë, duke çuar në një përdorim më efikas të glukozës dhe ndjeshmëri më të mirë ndaj insulinës.
Zvogëlon stresin
Është e lehtë të supozohet se sheqeri i lartë në gjak lidhet vetëm me dietën, por Shoqata Amerikane e Diabetit thotë se stresi gjithashtu mund të rrisë nivelet e sheqerit në gjak.
"Stresi rrit nivelet e hormoneve të stresit, kortizolit dhe adrenalinës, duke e përgatitur trupin për 'luftë ose ikje'", thotë Jaspan. Në përgjigje, trupi i jep sinjal mëlçisë që të lirojë glukozën e ruajtur në qarkullimin e gjakut për të siguruar energji, edhe pse në të vërtetë nuk është e nevojshme.
Lajmi i mirë është se një shëtitje në mëngjes mund të ndihmojë. "Ecja me një ritëm të moderuar ndihmon në uljen e niveleve të hormoneve të stresit, veçanërisht të kortizolit", thotë Jaspan. Përveç se ndihmon në uljen e sheqerit në gjak, do ta filloni ditën tuaj në një mënyrë më të qetë dhe më të relaksuar.
© SYRI.net