Përpjekje e re për të trajtuar epideminë e mbidozës nga drogat

Përpjekje e re për të trajtuar epideminë e mbidozës nga drogat

19:28, 26/05/2024
A+ Aa A-

Administrata e Presidentit Biden ka nisur një përpjekje të re për të trajtuar epideminë e mbidozës nga drogat në Shtetet e Bashkuara, e cila në vitin 2022 mori më shumë se 100,000 jetë sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Disa kritikë thonë se ka disa boshllëqe në strategjinë e qeverisë.

Rreth 100 mijë njerëz vdesin nga mbidoza e drogës çdo vit në Shtetet e Bashkuara, shumica nga përdorimi i opioideve.

Për të luftuar epideminë, Shtëpia e Bardhë ka nisur zbatimin e një programi të ri në të gjithë vendin me emrin “Sfida për të Shpëtuar Jetë nga Mbidoza”.

Nisma u bën thirrje sektorëve publikë dhe privatë për të lehtësuar qasjen tek ilaçet që trajtojnë mbidozën nga opioidet.

Ilaçi quhet “Nalaxone”, i njohur gjithashtu edhe me emrin “Narcan”.

“Ne do të përpiqemi ta shpërndajmë kudo ilaçin ‘Naloxone’ që kur dikush të jetë në rrezik nga mbidoza, të arrijmë ta shpëtojmë. Ne jemi krenarë që Administrata e Ushqimit dhe Barnave, gjatë administratës tonë, ka mundësuar blerjen e ilaçit pa recetë. Pra, amerikanët mund ta marrin me lehtësi”, thotë Neera Tanden, këshilltare për politikat e brendshme të Presidentit Biden.

Zonja Tanden thotë gjithashtu se administrata e Presidentit Biden investoi mbi 100 miliardë dollarë për trajtimin e krizës së mbidozës

dhe ka bashkëpunuar me vendet e tjera për të penguar shpërndarjen e drogave në Shtetet e Bashkuara.

Meksika dhe Kina janë vendet kryesore prej nga vijnë fentanili dhe substancat e lidhura me të, sipas agjencisë amerikane për luftën kundër drogave (DEA).

“Ne kemi vendosur teknologji të reja në kufi për të ndaluar fentanilin. Ne po punojmë gjithashtu me qeverinë në Meksikë për t’u siguruar që ata po veprojnë për të zvogëluar shpërndarjen e fentanilit, opioideve dhe drogave të tjera. Ne jemi gjithashtu të angazhuar drejtpërdrejt në marrëdhëniet tona dypalëshe me Kinën. Shumë përbërës të fentanilit vijnë nga Kina në Meksikë”, thotë zonja Tanden.

Disa analistë megjithatë po bëjnë thirrje që t’i kushtohet më shumë vëmendje parandalimit të mbidozës.

Michele Gazda Bipartisan Policy Center - ((Skype))

“Duhet që të gjithë të jenë të vetëdijshëm për rreziqet, madje edhe njerëzit që nuk e mendojnë veten si përdorues. Ata duhen njoftuar se ka shërbime të rikuperimit afatgjatë përmes strehimit, përmes ndihmës për punësim”, thotë Michele Gazda, eksperte e politikave në Qendrën e Politikave Dypartiake.

Victoria St. Arnold do të donte gjithashtu të shihte më shumë përpjekje për të luftuar paragjykimet.

Zëri i Amerikës e takoi për herë të parë atë kur humbi burrin në vitin 2021 si pasojë e mbidozës nga ilaçet kundër dhimbjeve, me përbërje fentanili.

“Ndjeja sikur të gjithë po e gjykonin situatën tonë dhe po gjykonin burrin tim, duke më gjykuar edhe mua që isha me të. Është shumë e vështirë të kërkosh ndihmë, kur përballesh vazhdimisht me paragjykimet e të tjerëve”, thotë zonja Arnold, e veja e një viktime të mbidozës nga drogat.

Shtëpia e Bardhë planifikon të rrisë aktivitetet për nismën “Sfida për të shpëtuar jetë nga mbidoza” gjatë verës, kur shtohen rastet e mbidozës./ VOA/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco