A rrezikojmë një pandemi të re? Dhjetë pyetje, dhjetë përgjigje

A rrezikojmë një pandemi të re? Dhjetë pyetje, dhjetë përgjigje

13:03, 24/05/2022
A+ Aa A-

Lija e majmunëve ka mbërritur në Evropë. Brenda dy javësh janë zbuluar më shumë se 130 raste në shumë vende. Para këtij shpërthimi, pak dihej për virusin. Njerëzit kanë shumë pyetje. Ja çfarë duhet të dini për virusin.

A vjen lija e majmunëve nga majmunët?

Jo, sëmundja e rrallë virale transmetohet ndoshta nga brejtës më të vegjël. “Majmunët janë të ashtuquajtur strehues të rremë, pra bartës të ndërmjetëm,” shpjegon virologu Klaus Stoehr. Kjo sëmundje e ngjashme me linë u zbulua për herë të parë te majmunët, prandaj u vendos emri. Në vitin 1958, ky nëngrup i virusit të lisë u zbulua për herë te majmunët në një laborator danez. Transmetimi i parë i njohur te njerëzit ndodhi në Republikën Demokratike të Kongos në vitin 1970. Infeksionet janë raportuar herë pas here, veçanërisht nga rajonet e Afrikës Perëndimore dhe Qendrore. Më shumë se 30 vjet më vonë, lija e majmunëve u identifikua për herë të parë jashtë kontinentit afrikan: në vitin 2003 në SHBA.

Çfarë variantesh ka?

Dy variante të virusit janë të njohura. Në Europë janë konfirmuar raste të prekura nga varianti më i butë i Afrikës Perëndimore. Varianti i virusit të Afrikës Qendrore, i cili çon shpesh në sëmundje të rënda, nuk është vërejtuar akoma në rastet e raportuara aktualisht në Europë.

Si transmetohet lija e majmunit të njerëzit?

Virusi konsiderohet të jetë më pak ngjitës. Njerëzit mund të infektohen nëpërmjet kontaktit me lëkurën, gjakun, indet apo jashtëqitjet e kafshëve të infektuara (brejtësit) ose duke trajtuar mishin e tyre. Sipas Institutit Robert Koch, transmetimi nga personi në person është i rrallë dhe i mundshëm vetëm me kontakt të ngushtë, për shembull duke prekur zonat e infektuara të lëkurës ose përmes piklave të njohura si aerosole.

Kush është veçanërisht i rrezikuar?

Mesa duket, seksi është burimi kryesor i infeksionit. Në thelb, të gjithë njerëzit që kanë shumë kontakte seksuale, janë të rrezikuar. Sipas epidemiologes Raina MacIntyre, shumica e të infektuarve në mbarë botën aktualisht janë meshkuj homoseksualë dhe biseksualë të moshës 20 deri në 50 vjeç, të cilët bëjnë seks me meshkuj. Por çdokush mund të infektohet, përfshirë fëmijët. Rasti i parë i njohur në botë ishte një foshnje 9-muajsh në Kongo. Dhe për momentin, një fëmijë 3-vjeçar po trajtohet në terapi intensive në Britaninë e Madhe.

A ka një vaksinë efikase?

Po, ekziston një vaksinë kundër lisë e miratuar nga BE, e cila të mbron gjithashtu nga lija e majmunëve. Vaksinimi po ofrohet aktualisht në Britaninë e Madhe për personat që kanë rënë në kontakt me njerëzit e infektuar nga lija e majmunëve. Nëse vaksinimi bëhet brenda katër ditësh pas infektimit, mund të modifikojë rrjedhën e sëmundjes apo edhe të parandalojë shpërthimin.

Si mund të mbroni veten?

Ashtu si me koronavirusin, një maskë e gojës dhe e hundës mund të parandalojë thithjen e piklave nga teshtima dhe kollitja. Është thelbësore të shmanget kontakti me pjesët e infektuara të trupit (ndryshimet në lëkurë të ngjashme me linë), si dhe kontakti me veshje, peshqirë e kështu me radhë të personave të infektuar.

Si zbulohet një infeksion?

Kushdo që vëren ndryshime të pazakonta të lëkurës duhet të konsultohet menjëherë me një mjek. Një test PCR duke përdorur mostra të zonave të prekura të lëkurës ose lëngjeve të flluskave mund të tregojë nëse është lija e majmunit. Në disa faza të sëmundjes, skuqja mund t’i ngjajë lisë së dhenve, herpesit ose sifilizit.

Cilat janë simptomat?

Simptomat përfshijnë ethe, ënjtje të nyjeve limfatike, dhimbje koke dhe dhimbje muskulore. Kjo pasohet nga ndryshime tipike të lëkurës (flluska të lisë). Skuqja fillon zakonisht në fytyrë dhe më vonë përhapet në pjesë të tjera të trupit. Periudha e inkubacionit është shtatë deri në 21 ditë. Njerëzit e infektuar janë ngjitës për dy deri në tre javë.

Sa i rrezikshëm është një infeksion?

Shumica e njerëzve kanë vetëm raste të lehta dhe shërohen brenda pak javësh. Shumë rrallë, megjithatë mund të çojë edhe në raste të rënda, në disa raste mundet që sëmundja të rezultojë fatale. Hulumtimet kanë treguar se fëmijët nën moshën 16, vjeç që ishin të infektuar me variantin e Afrikës Qendrore, kishin një shans deri në 11 përqind për të vdekur.

A kërcënohemi nga një pandemi e re?

Sipas infektiologëve dhe specialistëve: JO! “Situata e rrezikut është e ulët sepse virusi transmetohet vetëm përmes kontaktit të ngushtë fizik, d.m.th përmes lëngjeve trupore ose koreve dhe jo përmes të folurit,” thotë Tobias Tonenbaum nga Shoqata Gjermane e Sëmundjeve Infektive. “Nuk ka asnjë epidemi të re në rrugën tonë”. Edhe Gerald Gass i Shoqatës së Spitaleve Gjermane i bashkohet këtij mendimi. “Sipas njohurive aktuale, nuk duhet të kemi frikë nga një pandemi e lisë së majmunëve”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco