'Çfarë është Omikroni, varianti i ri i koronavirusit' -  Nga Prof. Lul Raka

'Çfarë është Omikroni, varianti i ri i koronavirusit' - Nga Prof. Lul Raka

10:33, 30/11/2021
A+ Aa A-

Varianti i ri i koronavirusit - Nga  Prof. Asoc. Dr. Lul Raka, profesor në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina".

1. ÇFARË ËSHTË OMIKRONI?

Ndryshimet gjenetike janë dukuri normale në biologjinë e viruseve. Viruset, sa më shumë që kanë mundësinë të shumëzohen, aq më të mëdha do t’i kenë gjasat për të pësuar mutacione dhe për të krijuar variante të reja të tyre.

Në mesin e këtij muaji, në Bocuanë dhe Afrikën e Jugut u zbulua një variant i ri i koronavirusit, të cilin OBSH e emërtoi Omicron (ose varianti B.1.1.529). Ky variant u bë dominues në Afrikën e Jugut për një periudhë të shkurtër kohore.

2. PSE KA KRIJUAR SHQETËSIM ?

Varianti Omicron ka një numër jashtëzakonisht të lartë të mutacioneve krahasuar me variantet e mëparme - mbi 30 mutacione vetëm në proteinën xhembore. Këto proteina janë çelës i virusit për të hyrë në qelizat e trupit tonë dhe njëkohësisht janë shënjestra kryesore e përgatitjes së vaksinave kundër COVID-19.

Ndryshimet e tilla masive të virusit kanë ngritur shqetësime se sa mund të ndikojnë ato në përhapje, pasqyrën klinike dhe uljen e efikasitetit të vaksinave përmes mbrojtjes nga antitrupat. Megjithatë, në mbrojtjen ndaj virusit ndikim të rëndësishëm ka edhe imuniteti qelizor.

Varianti i ri ka nxjerrë në pah tri pyetje që kërkojnë përgjigje shumë të shpejtë:

Sa është i transmetueshëm varianti i ri? A përhapet më shpejt sesa varianti delta?

A ka pasqyrë më të rëndë klinike?

A janë antitrupat pas vaksinimit efikas dhe sa është rreziku i reinfektimit?

Aktualisht, nuk kemi përgjigje të sakta për këto pyetje dhe ato kërkojnë të presim së paku edhe 2-3 javë.

3. ÇFARË DUHET TË BËJMË?

Vaksinohu! - Kushdo që nuk është vaksinuar ende, duhet të vaksinohet menjëherë. Duke u vaksinuar do të merrni linjën e parë të mbrojtjes kritike ndaj virusit dhe do të rritet imuniteti në popullatë. Rritja e sasive të përgjithshme të antitrupave (pas dozave të dyta dhe të treta përforcuese) mund të kompensojë mospërputhjen eventuale ndërmjet vaksinës dhe virusit.

Dozat përforcuese të vaksinave! - Të fillohet sa më shpejt me dhënien e dozave përforcuese në Kosovë, duke filluar prej grupeve më të rrezikuara.

Zbatoni masat pa panik!- Reagimi në panikë do ta përkeqësojë gjendjen edhe tek popullata edhe tek vendimmarrësit.

Populli duhet t’i zbatojë masat parandaluese (distancimi social, mbajtja e maskave në ambiente të mbyllura, shmangia e qëndrimit në ambiente të mbipopulluara, ajrosja e mjediseve të qendrimit ditor dhe larja e duarve).

Kurse vendimmarrësit duhet të fuqizojnë inspektimet e zbatimit të masave parandaluese dhe vendimeve në terren (përfshirë hyrjet në kufi), sidomos gjatë këtij muaji me festat e fundvitit.

NË NIVELIN GLOBAL, duhet t’u dërgohen vaksina atyre shteteve që kanë më së shumti nevojë.

Kompanitë që kanë prodhuar ARN-vaksina, brenda 2-3 muajsh mund të kenë variante të reja të vaksinave të drejtuara specifikisht kundër varianit të ri Omikron.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco