Lajmi i fundit

LIVE/ PD, aktivitet për 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

Dozat shtesë të vaksinave kundër COVID 19 - Nga prof. asoc. dr. Lul Raka

Dozat shtesë të vaksinave kundër COVID 19 - Nga prof. asoc. dr. Lul Raka

09:52, 13/09/2021
A+ Aa A-

Çfarë është doza përforcuese (“booster”) dhe çfarë është doza e tretë?

*Nga Prof. Asoc. Dr. Lul Raka, Universiteti i Prishtinës.

Dozat përforcuese u jepen personave të shëndoshë, të cilët e kanë përfunduar serinë primare të vaksinimit dhe kanë zhvilluar përgjigje të mirë imunitare. Ky imunitet mund të ulet me kalimin e kohës, prandaj doza përforcuese jepet për ta “përforcuar” imunitetin.

Doza e tretë (ose doza shtesë) u jepet personave me sistem imunitar të kompromituar apo të dobësuar rëndë, pasi që ata nuk arrijnë të krijojnë nivel adekuat të mbrojtjes me vaksinimin standard. Sistemi imunitar i tyre mund të kompromitohet për shkak të sëmundjes shoqëruese ose terapisë mjekësore.

PËR DHE KUNDËR VAKSINIMIT SHTESË

• Pyetja kryesore lidhur me kohëzgjatjen e imunitetit pas vaksinimit kundër Covid ende nuk ka përgjigje përfundimtare. Por, disa të dhëna të fundit shkencore të nxjerra nga vendet që kanë programe të avancuara të vaksinimit, dëshmojnë se mbrojtja kundër infeksionit SARS-CoV-2 fillon të ulet me kalimin e kohës pas dozave fillestare të vaksinimit, veçanërisht tek personat me rrezik më të lartë ose tek ata që janë vaksinuar në fillim. Prandaj, sipas këtyre rezultateve do të nevojitet një dozë përforcuese e vaksinës për të rritur në maksimum mbrojtjen vaksinale dhe për të zgjatur qëndrueshmërinë e veprimit të saj.

• Në anën tjetër, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe disa ekspertë të tjerë, përfshirë disa nga Universiteti i Oksfordit theksojnë se sot në nivelin global, prioritet absolut është vaksinimi primar dhe mbështetja e imunizimit për vendet e pazhvilluara e jo dozat shtesë të vaksinës. Nga mesatarisht 35 milionë doza ditore të vaksinave kundër Covid-19 që jepen sot në botë, vetëm 1.5% jepen në vendet e pazhvilluara.

• Nuk ka ende një konsensus midis shkencëtarëve për nevojën e zbatimit të dozave përforcuese apo të treta të vaksinave, por me rritjen e frikës nga valët pasuese pandemike dhe nga bllokadat e tjera, të cilat janë po ashtu të kushtueshme, një numër i shteteve tashmë kanë filluar t'u japin shtetasve të tyre dozat përforcuese ose të treta të vaksinës.

Ç'THOTË ECDC (EUROPEAN CENTER FOR DISEASE CONTROL) PËR DOZAT SHTESË TË VAKSINAVE KUNDËR COVID-19

• Sigurimi i vaksinimit për të gjithë individët e përzgjedhur sipas planit të vaksinimit duhet të jetë prioritet për programet e vaksinimit COVID-19 në Bashkimin Evropian.

• Kur të vlerësohet nevoja për doza të mundshme përforcuese të vaksinës COVID-19 duhet të merret parasysh qëllimi kryesor i strategjisë së vaksinimit, i cili në fakt është parandalimi i rasteve të rënda të COVID-19. Efektiviteti i vaksinës kundër formave të rënda të sëmundjes duhet të jetë synimi kryesor për të vlerësuar nëse ka nevojë të qartë për një dozë përforcuese në grupe të veçanta të popullatës.

• Dëshmitë aktuale në këtë kohë në lidhje me efektivitetin e vaksinës 'në botën reale' dhe kohëzgjatjen e mbrojtjes, tregojnë se të gjitha vaksinat e autorizuara në BE janë aktualisht shumë efikase kundër hospitalizimit, sëmundjes së rëndë dhe vdekjes, duke sugjeruar se nuk ka nevojë urgjente për administrimin e dozave përforcuese të vaksinave për individët plotësisht të vaksinuar në popullsinë e përgjithshme.

• Duhet të merret në konsideratë mundësia e administrimit të një doze shtesë të vaksinës për njerëzit që mund të përjetojnë një përgjigje të kufizuar imunitare ndaj vaksinimit COVID-19, siç janë disa kategori të individëve me imunitet të dëmtuar (p.sh. marrës të transplantit).

• Për individët me imunitet të komprometuar, duhet gjithashtu të merret parasysh vaksinimi i plotë kundër COVID-19 i të gjithë familjarëve dhe kontakteve të ngushta, përfshirë profesionistët shëndetësorë.

• Duhet vazhduar monitorimi i ngushtë i të dhënave të efektivitetit të vaksinave dhe infeksioneve tek të vaksinuarit, veçanërisht midis grupeve të cenueshme.

• Masat kryesore për zvogëlimin e rrezikut të transmetimit të SARS-CoV-2 mbeten distancimi fizik, mbajtja e maskave (veçanërisht kur distanca fizike nuk mund të mbahet), higjiena e duarve dhe ajo respiratore. Këto masa parandaluese jofarmaceutike duhet të përplotësojnë gjithmonë vaksinimin, veçanërisht në mjedise me rrezik të lartë, siç janë shtëpitë e pleqve dhe institucionet shëndetësore.

• Për të vendosur për politikat e ardhshme mbi dozat përforcuese, nevojiten më shumë të dhëna shkencore solide.

• Përfitimet dhe rreziqet nga dozat e mundshme përforcuese duhet të përshkruhen dhe të krahasohen qartë. Përfitimet mund të përfshijnë mbrojtjen kundër trajtave mesatare dhe të rënda të sëmundjes, gjendjen pas COVID-19 ( ‘COVID i gjatë’), infeksionin me SARS-CoV-2 dhe përhapjen e virusit. Rreziqet përfshijnë shqetësimet e mundshme të sigurisë dhe implikimet në shëndetin publik (p.sh. ndikimi tek popullata për besimin dhe marrjen e vaksinave, disponueshmëria globale e vaksinave).

• Komunikimi për dozat e mundshme shtesë të vaksinës duhet të konsiderohet me kujdes dhe të bëhet në mënyrë transparente, proaktive dhe të qartë për të shmangur dëmtimin e besueshmërisë në vaksinim.

• Në kontekstin e situatës kur shumë vende jashtë BE ende po përpiqen të marrin dhe administrojnë doza të mjaftueshme vaksine për popullatat e tyre, konsideratë e veçantë duhet t'i kushtohet mungesës aktuale globale të vaksinave COVID-19, e cila mund të përkeqësohet më tej nga administrimi i dozave përforcuese të vaksinave COVID-19 për popullatën e përgjithshme në vendet e BE.
(https://www.ecdc.europa.eu/.../Interim-public-health... )

SI KANË VEPRUAR SHTETET E NDRYSHME?

GJERMANIA - duke filluar nga shtatori, planifikon ta aplikojë dozën shtesë të vaksinës Pfizer-BioNTech ose Moderna për të moshuarit, banorët e shtëpive të pleqve dhe personat me sistem imunitar të komprometuar. Po ashtu, dozë përforcuese planifikon t’i japë çdokujt që ka marrë dy doza AstraZeneca ose një dozë të vetme Johnson & Johnson.

IZRAELI- një prijës i hershëm në vaksinimin, por që sot ka mbetur prapa shumë vendeve të BE-së, tashmë ka dhënë mbi 1 milionë doza përforcuese për personat mbi 50 vjeç.

TURQIA- ka filluar dhënien e dozave përforcuese në korrik për stafin shëndetësor dhe të moshuarit. Doza përforcuese iu ka dhënë edhe të gjithë qytetarëve për qëllime udhëtimi, në vendet të cilat nuk i pranojnë vaksinat kineze apo ruse.

SHBA- nga 20 shtatori, do të ofrojë dozë përforcuese për të gjithë qytetarët amerikanë 8 muaj pas vaksinimit me dozën e dytë. FDA e ka miratuar për përdorim në grupet e pacientëve që kanë pasur transplante dhe ata me imunitet të kompromituar, por ende nuk ka dhënë rekomandim për grupet tjera të popullatës. Prej 18-31 gusht, tashmë afër 1 milionë persona të këtij grupi e kanë marrë dozën e tretë. SHBA nuk do të praktikojë përzierjen e vaksinave përforcuese, por do të japë të njejtën vaksinë sikur në 2 dozat e para.

RUSIA- një muaj më parë, vuri në dispozicion doza shtesë për këdo, gjashtë muaj pas vaksinimit.

HUNGARIA- filloi t'u ofrojë personave të vaksinuar doza përforcuese katër muaj pas vaksinimit.

FRANCA ka filluar më 1 Shtator të japë vaksinat përforcuese për personat me sistem imunitar të dobësuar, personat mbi 75 vjeç dhe ata me probleme serioze shëndetësore.

BRITANIA- planifikon ofrimin e dozave përforcuese në shtator për të gjithë personat mbi 12 vjeç me probleme imune ose sëmundje kronike. Lidhur me vendimin për dozat përforcuese për pjesën tjetër të popullatës së shëndoshë priten ende dëshmi shkencore në bazë të të cilave do të merret vendimi.

ITALIA dhe SPANJA, po ashtu kanë miratuar dhënien e dozës së tretë për grupet e rrezikuara.

URUGUAJI, KAMBOXHA, EKUADORI DHE TAJLANDA- po ashtu kanë ofruar doza përforcuese me Pfizer, pas vaksinimit primar me vaksina Sinovac e Sinopharm.

EMIRATET E BASHKUARA ARABE- e kanë bërë vaksinimin me dozë përforcuese obligativ për të gjithë personat që kanë marrë vaksina Sinovac.

Këto plane të shteteve të përmendura pritet që të rrisin në maksimum mbrojtjen tek personat e cenueshëm nga Covid-19 përpara muajve të dimrit, kur rritja e mundshme e rasteve së bashku me sëmundjet e tjera sezonale mund t’i vejë përsëri nën presion sistemet shëndetësore.

Ç'DUHET TË BËJË KOSOVA?

• Me një shkallë të vaksinimit të plotë të popullatës prej vetëm afër 20%, Kosova duhet të përqëndrohet në rritjen e shpejtë të kësaj përqindjeje me dozën e parë dhe të dytë.

• Autoritetet shëndetësore në Kosovë e botë, nuk e kanë luksin të presin për përgjigjet përfundimtare nga studimet shkencore apo arritjen e konsensusit të plotë mes shkencëtarëve për dozën përforcuese apo të tretë të vaksinës sepse atëherë mund të jetë vonë.

• Duke marrë në konsideratë sfidat dhe vonesat eventuale në sigurimin e vaksinave, të panjohurat që e kanë përcjellë vazhdimisht koronavirusin me variantet e reja, Kosova duhet fillimisht të planifikojë të japë dozat shtesë për grupet e rrezikuara të popullates dhe të mendojë për më vonë edhe për grupet e tjera të popullatës. Ato duhet t’i sigurojë tash, sepse më vonë nuk do të ketë vaksina të mjaftueshme në treg.

Në ndërkohë, duhet të përcjellim të dhënat e fundit shkencore dhe të jemi të përgatitur për ta modifikuar planin e dozave përforcuese sipas të dhënave më të reja shkencore.

Profil i z. Lul Raka:

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco