A mund të përzjehen dozat e vaksinave COVID?

A mund të përzjehen dozat e vaksinave COVID?

13:17, 25/01/2021
A+ Aa A-

Zyrtarët shëndetësorë, thonë se të dyja dozat duhet të jenë të një vaksine. Vaksinat kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, të cilat janë duke u dhënë në Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe disa pjesë të botës, duhen të jepen në dy doza me disa javë në mes.

Në SHBA, ku janë duke u shpërndarë vaksinat e kompanive, Pfizer dhe Moderna, zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se vaksinat nuk janë të këmbyeshme.

Në Angli, ku janë të qasshme vaksinat e kompanive Pfizer dhe AstraZeneca, zyrtarët shëndetësorë, kanë thënë se dozat duhen të jenë në përputhje me njëra-tjetrën.

Mirëpo në raste të rralla kur një lloj nuk i disponueshëm, apo nuk dihet se cila vaksinë i është dhënë pacientit për herë të parë, zyrtarët kanë thënë se është në rregull të jepet cilado vaksinë që është e qasshme për herë të dytë.

Meqë vaksinat e kompanive Pfizer dhe AstraZeneca fokusohen në një proteinë që mbështjell koronavirusin, ata besojnë se një dozë e gabuar është më mirë sesa mbrojtja e pjesshme, transmeton agjencia e lajmeve AP.

Mirëpo pa bërë ndonjë studim, dozat e vaksinës nuk duhet të përzihen, ka thënë, Naor Bar-Zeev ekspert për vaksina në Universitetin Johns Hokpins.

Nëse njerëzit marrin vaksinë ndryshe për herë të dytë aksidentalisht, Bar-Zeev ka thënë se ka mundësi që ajo “të funksionojë dhe të jetë e tolerueshme”, ndonëse duhet bërë kërkime për t’u siguruar.

Dilemat për përzierje të vaksinave vijnë në kohën kur kompanitë farmaceutike janë duke hasur në vështirësi për të prodhuar sasi të nevojshme të vaksinave për vendet me të cilat kanë nënshkruar paraprakisht kontrata.

Italia ka thënë se do të marrë hapa ligjorë kundër kompanive Pfizer dhe AstraZeneca rreth vonesave në dërgesa të vaksinave kundër COVID-19, në mënyrë që të sigurojë porosinë e kërkuar dhe të mos përballet me dëme, ka thënë ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio.

“Ne jemi duke punuar ashtu që programi ynë i vaksinimit të mos ndryshojë”, ka thënë Di Maio për televizionin shtetëror RAI.

Më 22 janar, kryeministri italian, Giuseppe Conte, ka thënë se vonesat e vaksinave janë “të papranueshme” dhe përbëjnë shkelje serioze të obligimeve të parapara në kontratë, duke thënë se Italia do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë ligjore.

Një zyrtar i lartë shëndetësor ka paralajmëruar se Italia do të duhet të rimendojë tërë programin e vet të vaksinimit, nëse vazhdon të ekzistojë për periudhë më të gjatë problemi me furnizim me vaksina.

I pyetur pse beson se kompanitë farmaceutike janë detyruar të njoftojnë për këto zvogëlime të furnizimeve, Di Maio ka thënë se mendon që ato thjesht kanë kafshuar më shumë sesa që mund të përtypin.

“Ne do të aktivizojmë të gjitha kanalet ashtu që Komisioni Evropian t’i detyrojë ata zotërinj të respektojnë kontratat”, ka thënë ai, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco