Profesori i njohur: Vaksina do luftojë edhe sëmundje të tjera

Profesori i njohur: Vaksina do luftojë edhe sëmundje të tjera

09:19, 03/12/2020
A+ Aa A-

Britania e Madhe ka nisur operacionin e vaksinimit të popullsisë kundër koroanvirusit, duke u bërë i pari vend perëndimor që e bën diçka të tillë.

Profesori i njohur, Brendan Wren, në një shkrim për Daily Mail thekson se prodhimi i një vaksine kaq efektive kundër Covid-19 është arritja më e madhe shkencore që ai ka përjetuar. Sipas tij, kjo arritje është në atë nivel me zbulimin e penicilinës në vitin 1928.

Ai shton se kjo vaksinë ka potencialin për të ndaluar edhe sëmundje të tjera.

“Kjo vaksinë është vërtet kaq transformuese. Kjo edhe sepse implikimet e saj janë më të gjera se aftësia e vaksinës për të ndaluar këtë pandemi. Tani, si rezultat i këtij studimi, vaksinat e reja do të na mbrojnë nga shumë sëmundje infektive- përfshirë këtu edhe kundër baktereve që po bëhen rezistente ndaj antibiotikëve”, shkruan ai.

Rezistenca ndaj antibiotikëve shihet nga shkenca si një nga shqetësimet më kryesore në botë, por profesori thotë se falë kësaj vaksine, ky shqetësim do të vijë duke u minimizuar.

Ai thotë se është fantastike se si shkencëtarët më të mirë në botë punuan së bashku si një orkestër duke sjellë rezultate mahnitëse.

“Të arrish një imunitet prej më shumë se 90 përqind është e pabesueshme. Sa për krahasim, vaksina të tilla si ajo kundër malaries dërgohen në popullsi edhe pse kanë një efektshmëri prej 10 deri në 20 përqind,” shkruan më tej ai.

Për më tepër, kjo vaksinë është bazuar te molekulat RNA, çka bën të mos ketë efekte anësore.

“RNA nuk është një ‘trup i huaj’, por një molekulë që ndodh në mënyrë natyrale në trupin, prandaj nuk janë raportuar efekte anësore”.

Profesori shton se duhen inkurajuar njerëzit që të vaksinohen, pasi efektet afatshkurtra dhe afatgjata do jenë shumë të mëdha.

“Gjatë viteve të ardhshme, unë parashikoj që sëmundjet infektive në tërësi do të jenë shumë më pak të përhapura. Është një kthesë e pabesueshme për shëndetin e një vendi dhe për perspektivën ekonomike pasuese”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco