Lajmi i fundit

EMRA/ Arrestime në Bashkinë e Tiranës, Këlliçi: Për dosjen ...

Zbuluesi i vaksinës së ‘BioNTech’ shpjegon rezultatet dhe jep një parashikim optimist

Zbuluesi i vaksinës së ‘BioNTech’ shpjegon rezultatet dhe jep një parashikim optimist

13:44, 19/11/2020
A+ Aa A-

Ugur Sahin, zbulues i vaksinës së kompanive “BioNTech” dhe “Pfizer”, ka folur për televizionin amerikan “ABC News” rreth rezultateve të testimit dhe pritjet që ai ka nga ky ilaç.

“Këto janë rezultate jashtëzakonisht pozitive. 95 për qind efikasitet nënkupton, në gjuhën e rëndomtë, që nëse vaksinoheni, atëherë rreziku për COVID-19 është 20 herë më i vogël se te dikush që nuk është vaksinuar dhe ky është zvogëlim dramatik i rrezikut nga sëmundjet ngjitëse”, tha ai.

Në fazën e tretë të testimit që u krye nga kompanitë partnere u përfshinë mbi 43.000 vullnetarë. Sipas një deklarate për shtyp, efikasiteti i vaksinës është vërtetuar te të gjitha racat dhe grupet etnike, ndërsa ilaçi ka qenë efektiv mbi 94 për qind te personat mbi moshën 65-vjeçare, transmeton Gazeta Express.

Sahin tha se ky aspekt i rezultateve është më mahnitëse, sepse, sipas tij, zakonisht dihet që vaksinat te të moshuarit nuk funksionojnë aq mirë sa te të rinjtë dhe rezultatet tregojnë që kjo teknologji e re duket se funksionon njësoj edhe te të moshuarit.

Shkencëtari gjerman me prejardhje turke shtoi se kjo teknologji ka qenë duke u zhvilluar për shumë vite dhe se ata kanë bashkëpunuar me kompani farmaceutike që ta përdorin atë për vaksina të tjera nga viti 2023, siç është vaksina kundër gripit. Megjithatë, sipas tij, urgjenca e pandemisë COVID-19 i përshpejtoi këto plane.

“Duke e marrë parasysh situatën me pandeminë, vendosëm që ta përdorim këtë teknologji, sepse premtonte të jetë e shpejtë dhe të mundësonte zhvillim të shpejtë të vaksinave”, tha ai.

Kompania “Pfizer” ka thënë se planifikon që deri në fund të këtij viti t’i prodhojë 50 milionë doza të kësaj vaksine. Gjysma e tyre do të shpërndahen në Shtetet e Bashkuara dhe gjysma tjetër në Evropë. Sidoqoftë, ato mjaftojnë për vaksinimin e vetëm 25 milionë personave në të dyja kontinentet, sepse secili person duhet të marrë nga dy doza.

 Gjatë testimit, vaksina pati efekte të lehta anësore. Efektet anësore më të shpeshta ishin lodhja, dhimbja e kokës dhe temperatura. Sahin tha se këto simptoma janë normale, sepse janë pjesë e reagimit të sistemit imunitar dhe se ato i ngjajnë profilit të sigurisë së vaksinave tjera që tolerohen mirë nga organizmi.

Sahin tha se pret që periudha më e vështirë të jetë gjatë këtij dimri deri në pranverë. “Pres që koha më e vështirë të jetë ky dimër deri në mars, ndoshta deri në prill, dhe pastaj furnizimi me vaksina do të ndihmojë që të merret kontrolli fillestar i situatës dhe kontrolli i plotë mund të vijë nga fundi i verës së vitit të ardhshëm, prandaj mund të kemi vjeshtë normale dhe dimër normalë më 2021”, tha ai./Gazeta Express/

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco