Covid-19 mund të shkaktojë humbje të papritur dhe të përhershme të dëgjimit

Covid-19 mund të shkaktojë humbje të papritur dhe të përhershme të dëgjimit

11:50, 14/10/2020
A+ Aa A-

Covid-19 mund të shkaktojë humbje të papritur dhe të përhershme të dëgjimit, kanë zbuluar ekspertët, duke shtuar se probleme të tilla kanë nevojë për zbulim të hershëm dhe trajtim urgjent. Koronavirusi është zbuluar se ndikon në trup në mënyra të ndryshme, nga humbja e shijes dhe nuhatjes deri tek dëmtimi i organeve.

E ndërsa tani, mjekët kanë raportuar prova të reja që Covid mund të ndikojë edhe në dëgjim. Duke shkruar në revistën BMJ Case Reports, raporton Scan, ekspertët në University College London raportojnë rastin e një 45-vjeçari me astmë i cili u trajtua në kujdes intensiv me Covid, i ventiluar dhe nën kurimin medicinal duke përfshirë remdesivirin antiviral dhe steroidet intravenoze. Një javë pasi u largua nga kujdesi intensiv, ai pësoi një tingull kumbues dhe pastaj humbje të dëgjimit në veshin e tij të majtë.

Ekipi thotë se asnjë nga ilaçet që iu dha pacientit nuk pritej të dëmtonte dëgjimin e tij, ndërsa ai nuk kishte probleme me kanalet e veshit ose daullet e veshit. Studimi i mëtejshëm nuk tregoi asnjë shenjë të problemeve autoimune, ndërsa ai nuk kishte grip ose HIV – kushte të lidhura më parë me humbjen e dëgjimit dhe mbi të gjith 45 vjeçari, kurrë më parë nuk kishte pasur probleme me dëgjimin.

Testet e mëvonshme zbuluan se burri kishte humbje të dëgjimit sensorineural në veshin e tij të majtë – një situatë kur veshi i brendshëm ose nervi përgjegjës për tingullin është i dëmtuar. Kjo u trajtua me steroid me sukses të pjesshëm. Rasti është incidenti i parë i tillë që raportohet në Mbretërinë e Bashkuar, megjithëse një numër i vogël i raporteve të ngjashme kanë dalë nga vendet e tjera. Dr Stefania Koumpa, një bashkëautore e studimit, tha se nuk dihet ende se si Covid mund të shkaktojë humbje të dëgjimit, por ka shpjegime të mundshme.

“Virusi Sars-Cov-2 ka probabilitet që të hyjë në qelizat e veshit të brendshëm dhe të shkaktojë vdekjen e qelizave, dhe / ose të shkaktojë që trupi të lëshojë kimikate inflamatore të quajtura citokina që mund të jenë toksike për veshin e brendshëm”, tha ajo. “Steroidet me siguri ndihmojnë duke zvogëluar inflamacionin dhe për këtë arsye prodhimin e citokinave.”

Ekipi thotë se pacientët me covid në kujdes intensiv duhet të pyeten për humbjen e dëgjimit dhe të referohen për trajtim urgjent.

“Edhe humbja e dëgjimit në një anë ka pasoja të mëdha në cilësinë e jetës, nëse nuk trajtohet menjëherë”, tha Koumpa.

Kevin Munro, profesor i audiologjisë në Universitetin e Mançesterit, i cili nuk ishte i përfshirë në këtë studim, ka raportuar se viruse të tjerë, përfshirë fruthin dhe shytat, mund të ndikojnë në dëgjim, ndërsa ai është kontaktuar nga një numër i madh i të mbijetuarve nga Covid që raportojnë një ndryshim në dëgjimin ose tringëllimë në veshët e tyre. Puna nga ekipi i tij më parë zbuloi se 16 nga 121 pacientë me Covid-19, të pranuar në spital, raportuan probleme me dëgjimin rreth dy muaj pas daljes.

Munro tha se ekipi i tij tani po heton prevalencën dhe shkaqet e problemeve të tilla, duke theksuar se është e paqartë nëse ato preken nga vetë virusi, reagimi i sistemit imunitar, stresi, apo edhe trajtimet për Covid – apo nëse mund të jetë thjesht që problemet e dëgjimit bëhen të dukshme në një spital të zhurmshëm ku individët mbajnë maska.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco