'Do të na mungojë Dr. Zyliha Kraja, ekuilibri dhe disiplina e grupit kirurgjikal më të jashtëzakonshëm'

'Do të na mungojë Dr. Zyliha Kraja, ekuilibri dhe disiplina e grupit kirurgjikal më të jashtëzakonshëm'

13:32, 05/09/2020
A+ Aa A-

Nga Dr. Arben Beqiri, kirurg në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza".

Zyliha Kraja, një emër, që më ka përcjellë që kur kam qënë student në mjekësi dhe shkoja pas Dr. Ali Spahisë për praktikë në spitalin “Jorgji Karamitri”!

Spitali i Shkodrës kishte mjekë të mëdhenj, shumë të aftë për nga profesioni, të jashtëzakonshëm për nga personaliteti, shpirtra të lirë e të panënshtruar edhe në diktaturë!

Mark Mirashi me një disiplinë gjermane dhe teknikë kirurgjikale të pastër, Ramiz Hafizi një erudit që mund të barazohej vetëm me një bibliotekë, Ferit Hoti me një humor dhe ironi pozitive që nuk linte asnjë ta zinte gjumi dhe për nga përgatitja fizike krahasohej edhe me një kampion të peshëngritjes.

Zamir Shazi aq i sjellshëm dhe etik gjithmonë i gatshëm të  ndihmonte dhe të ftonte në operacione.

Ali Spahia, kirurgu i jashtëzakonshëm që kishte realizuar në Dukagjin ndërhyrje që ishin jo të lehta për kolegë në qendra universitare, që burgu politik nuk e pengoi të ishte më i liri mbi të gjithë, që udhëhoqi lëvizjen demokratike të Dhjetorit në Shkodër.

Dhe në mes tyre qëndronte e vetmja femër, kirurge, drejtuese, ekuilibri dhe disiplina e një grupi kirurgjikal më vibranti, më intelektuali dhe më i jashtëzakonshmi që kam parë ndonjëherë kudo ku kam qënë e kam udhëtuar (dhe kam parë e udhëtuar jo pak), Dr. Zyliha Kraja!

Dita e punës në këtë mjedis ishte e veçante, njëri të sillte një libër të ndaluar, tjetri recitonte me qindra vargje të Dostojevskit, një tjetër këndonte opera, dikush recitonte me qindra vargje të Lahutës së Malësisë së Fishtes......kujdesi për pacientët me ato kushte dhe mjete ishte i jashtëzakonshem.

Lejla Tukiqi, një tjetër kirurge e talentuar me të drejtë shprehej “mezi pres të shkoj në punë në mëngjes”. Ishte plotësisht e vërtetë! Të gjithë prisnim me padurim.

Sot dirigjentja e kësaj orkestre virtuoze nuk është më mes nesh! Covid-19 u fut tinëzisht mes saj dhe pacientëve pasi sa ishte në këmbë, ajo nuk u nda prej tyre.

Një muaj më parë më telefonoi për të më shprehur opinionin e saj për një emision mbi mjekët e rinj.

Ishte me të drejtë krenare që në moshën e saj 80-vjeçare dilte çdo ditë në spital dhe shprehej se do të vazhdonte derisa të mos kishin nevojë për të!

Falenderonte ekipin aktual të mjekëve, trashëgimtarë të denjë të brezit të vjetër, që i krijuan një ambient të këndshëm pune. Ai ambient profesional më shoqëron gjatë gjithë karierës sime si kirurg!

Do të na mungojë Dr. Zyliha Kraja!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Komentet

Shto koment

Denonco