Dr. Ademi: Ju që po bëni avokatinë e Djallit, ejani shiheni luftën mes jetës dhe vdekjes!

Dr. Ademi: Ju që po bëni avokatinë e Djallit, ejani shiheni luftën mes jetës dhe vdekjes!

08:13, 15/07/2020
A+ Aa A-

Nga Dr. Arjan Ademi, Kosovë.

Ju dhe bash ju, që jeni duke bërë avokatinë e djallit me mosbesim e mosbindje, ejani kur të doni aty ku 24 orë në 7ditë të javës, ne “mantelbardhët” ballafaqohemi me luftën anti-COVID-19.

Ani, ju vazhdoni me tuajën e ne me tonën, ne me përkushtim, dije, profesionalizëm, mund e sakrificë vazhdojmë t'iu shërbejmë e t'iu dalim në ndihmë të gjithë të sëmurëve që për fatin e keq janë prekur nga kjo sëmundje virale.

Po ne vazhdojmë pa bukë e ujë me orë të tëra, pa pushim e pa gjumë, larg familjeve e me mall për ta, larg përqafimit të fëmijëve e pa llogaritur rrezikun për vete e për më të dashurit tanë, që na presin në shtëpi.

Ne, që me shpirt të thyer e me lot në sy, se edhe ne jemi nga mishi e gjaku, kur humbim ndonjë të sëmurë me të cilët tashmë jemi lidhur aq ngushtë si mishi me thonin, ne që çdo ditë ndajmë buzëqeshjen e gëzimin me ata të sëmurë që shërohen, ne që çdo ditë i japim informata familjarëve për gjendjen e rëndë të më të dashurëve të tyre e që me keqardhje jo rrallë detyrohemi t'iu japim lajmin e trishtë, familjarëve për humbje jete për të dashurit e tyre, ne dhe vetëm ne dimë t’ju flasim e t’ju tregojmë si është gjendja.

E ju që ende nuk po arrini ta bindni veten, ejani shiheni luftën në mes të jetës dhe vdekjes, ejani aty ku lotët e gëzimit e dhimbjes janë në një vend e do të bindeni për të heshtur e menduar me arsye të shëndoshë e për të reflektuar nëse sadopak u ka mbetur ndërgjegje.

Aman ejani e mandej dilni, shkruani e flisni, analizoni e banalizoni. Ejani se ndoshta ende jeni të verbuar nga klithmat e politikanëve, analistëve e banalistëve që s'e kanë haberin për këtë punë e të cilët i kanë pushtuar TV e rrjetet sociale, duke folur e duke mbjellë ankth, frikë, e të pavërteta.

E juve të dashur mos na shpallni heronj, se nuk është koha e as nuk po kërkojmë një gjë të tillë, ju vetëm na dëgjoni e respektoni këshillat e thirrjet tona për kujdes e maturi. Aman, ndaluni, mos bëni politikë me këtë sëmundje virale që e ka katandisur globin mbarë!
Ne nuk do të ndalemi deri në fund, me ndihmën e Zotit do t’ia dalim edhe kësaj here.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

shqiptar15/07/2020 09:44

Pajtohem thuajse plotësisht me thirrjet e këtij mjeku nga Kosova se janë të marrëzishme të gjitha teoritë konspirative që e venë në dyshim realitetin e rrezikshmërisë së kësaj pandemie. Por në të njejtën kohë ju bëj thirrje të gjithë mjekëve, që të mos mbyllen në guaskën e tyre profesionale , por edhe si intelektuale e pjesë e armatës së problemeve sociale, të japin mendimet e tyre jo thjeshtë për "politikë e politikanë", por edhe çfarë masash duhet të marin institucionet qeverisëse, çfarë është duke u bërë mirë e çfarë duhet të korigjohet nga qeveria. Një vendim i gabuar i një qeveritari që nuk ja ka idenë e mjekësisë, mund të hedhë poshtë gjithë punën e sakrificat e mjekëve e ju mjekët duhet të keni kurajon që siç kritikoni me të drejtë , njerëz të paformuar e naivë që e nënvlerësojnë rrezikun e infektimit me COVID 19, me kurajo qytetare e me kompetencat profesionale, të kundërshtoni edhe politikat e burokracisë qeveritare, kur e shihni se ato japin efekte të dëmëshme për punën tuaj.. Droja për të kritikuar qeverinë (sigurisht mbështetur në fakte e jo në paragjykime), a nuk është edhe kjo një politikë e shëmtuar ?

Shto koment

Denonco