Covid-19/ Si të kujdesemi rreth shëndetit të fëmijëve? Flet nga Kanadaja Dr. Kozeta Miliku

Covid-19/ Si të kujdesemi rreth shëndetit të fëmijëve? Flet nga Kanadaja Dr. Kozeta Miliku

15:36, 13/07/2020
A+ Aa A-

Nga Blerina Ruka-Manitoba, Kanada

Pandemia e koronavirusit Covid-19 ka ndikuar në jetën tonë, por më së shumti në atë të fëmijëve, që ende nuk arrijnë të kuptojnë ndryshimet.

Për disa këshilla, SYRI.net bisedoi me Dr. Kozeta Miliku e cila është diplomuar si mjeke në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, ka përfunduar doktoraturën në fushën e epidemiologjisë në ‘Erasmus University Medical Centre’ të Hollandës dhe tashmë ajo është duke punuar si post-doctoral researcher në ‘Children’s Hospital Research Institute of Manitoba’, në Winnipeg të Kanadasë.

Ajo është njëherësh kryetare e shoqatës së komunitetit shqiptar që operon në Manitoba, dhe si një mjeke profesioniste dhe epidemiologe, duke u nisur nga e gjithë situata shqetësuese që ka përfshirë botën, ka ndjerë si detyrë që të flasë me çdo kënd e të përcjellë edhe një herë rekomandimet për të parandaluar shpërndarjen e virusit.

Duke mos dashur të jetë e bezdisshme me këshillat e larjes së duarve që i shikojmë dhe i dëgjojmë herë pas here Miliku thekson edhe dy mesazhe:

1 - Distancimi Fizik

2 - Shëndeti Mendor  

Edhe pse shumë nga ne kanë kaluar sfida edhe më të vështira në jetë si për shembull lufta e Kosovës apo viti ’97 në Shqipëri, kurrë më parë se kemi përjetuar këtë gjendje - ndaj bëni kujdes!

Ruani veten por edhe të gjithë ata që ju rrethojnë. Ky virus (COVID-19) nuk njeh gjini, moshë apo etnicitet. Edhe pse të gjithë jemi të predispozuar për t’u infektuar nëse nuk mbrohemi; jo të gjithë do i përjetojmë pasojat njësoj, sepse kjo varet nga sistemi imunitar i secilit prej nesh. Personat pa probleme të tjera shëndetësore dhe kryesisht të rinjtë dhe fëmijët, përgjithësisht e kalojnë sëmundjen pa komplikacione, madje janë raportuar edhe raste pa asnjë shenjë klinike. Megjithatë, këta persona përbëjnë rrezikshmëri më të lartë në shpërndarjen e virusit, duke infektuar njerëzit që i rrethojnë, si prindërit, gjyshërit apo edhe të tjerë të cilët mund të kenë sëmundje të tjera dhe për pasojë pasojat e infeksionit janë më të rënda por edhe vdekjeprurëse.

Ndaj JU LUTEM ruani distancimin fizik. Distancimi fizik dhe ndjekja e rregullave te vendosura nga autoritetet lokale (psh. vendosja e maskës), sot është mbrojtja më e mirë që mund të bëjmë! Mundohuni shmangni vizitat e panevojshme nëpër familjare, miq, shokë, rrallojini vizitat nëpër supermarket, qendra tregtare, apo ambiente të populluara.

Image

Pasojat e shëndeti mendor pas shfaqjes se COVID-19

Është mjaft e rëndësishme t’i kushtoni vëmendje shëndetit tuaj mendor, sepse mund ti ndjejmë pasojat më vonë. Periudha që po kalojmë po ngjall shumë ankth dhe panik, ndaj flisni me njëri-tjetrin se si ndiheni, telefononi familjarët, miqtë apo të afërmit tuaj në Shqipëri, Kosovë apo mbarë botën.

Përpiquni të qëndroni aktive, shëtisni, ecni, meditoni! Hapni lexoni një libër apo shikoni dokumentare, ndiqni live emisionet që po organizohen nga kopshte zoologjike nëpër botë - fatmirësisht e kemi teknologjinë. Kthejuni kujtimeve nëpërmjet fotografive të kohëve të kaluara.

Shumë shtete, duke përfshirë Kanadanë dhe Shqipërinë, kanë vënë në dispozicion numra telefoni specifikisht për të folur rreth shëndetit mendor. Mundohuni të shmangni ndjenjën e frikës dhe ankthit sepse na alterojnë sistemin imunitar.

COVID- 19 dhe fëmijët

COVID-19 i prek edhe fëmijët ashtu si edhe të rriturit, madje duhet treguar shumë kujdes sepse jo të gjithë fëmijët reagojnë njëlloj. Tek fëmijët e diagnostikuar me COVID-19 janë parë disa forma të sindromës inflamatore multisistemike (MIS-C), e cila është një situatë ku pjesë të ndryshme të trupit (psh. zemra, mushkërite, veshkat, truri, lëkura, sytë apo organet e traktit tretës) mund të inflamohen. MIS-C mund të jetë serioze, madje edhe vdekjeprurëse, por deri tani shumica e fëmijëve të diagnostikuar me këtë sindromë, janë përmirësuar me mjekimin e duhur.

Edhe pse fëmijët nuk kanë tendenca të infektohen në të njëjtat ritme si të rriturit, ata mund të luajnë një rol kritik në kalimin e virusit tek të tjerët. Ndaj, prindër komunikoni dhe edukoni vazhdimisht fëmijët, shpjegojuni situatën që po kalojmë, gjithmonë duke u theksuar se ata janë të mbrojtur dhe të sigurt nëse respektojnë të gjitha masat dhe këshillat që ju apo mesuesit u japin.

Simptomat e COVID- 19 tek fëmijët

Shenjat kryesore te fëmijët janë: temperatura e lartë; kolle e re (pra që fëmija nuk e ka pasur me parë dhe që vazhdon, kollitje për më shumë se një orë; apo 3 ose më shume episode kolle brenda 24 orëve); vështirësi në frymëmarrje; humbje apo ndryshime në ndjesisë e nuhatjes apo shijes. Gjithashtu fëmijët mund të shfaqin shenja në lëkurë (psh njolla të kuqe në trup), mund të jenë shumë të axhituar (nuk ndalojnë së qari), mund t’u ndryshojë ngjyra e lëkurës – shpeshherë zbehen, nuk përgjigjen apo reagojnë si zakonisht; nuk kanë uri etj. Prindi e kupton më mirë se kushdo ndryshimet në fëmija i vet ndaj duhet t’i besojë intuitës së vet.

Hapat që duhen ndjekur ne rast dyshimi se fëmija është infektuar me COVID- 19

Prindi duhet të veprojë sipas situatës dhe gjendjes së fëmijës dhe të ndjekë rregullat e autoriteteve lokale të shëndetit publik. Nëse prindi shikon që fëmija paraqet simptomat e lartpërmenduara, duhet të izolojë veten, fëmijën dhe anëtarët e familjes dhe të mos pranojë vizitorë në shtëpi; të telefonojë në numrat e telefonit e dhena nga autoritet lokale dhe të ndjekë këshillat e tyre; të njoftojë mjekun e përgjithshëm dhe t’i tregojë rreth shenjave që fëmija paraqet; në raste urgjence të telefonojë urgjencën dhe ti paralajmerojë rreth shenjave të mundshme të COVID-19 që fëmija ka.

Rekomandimet specifike për fëmijët gjatë periudhës së COVID-19

Rekomandimet janë të njëjta për fëmijët ashtu si për të rriturit. Është e rëndësishme të ndiqen rekomandimet e autoriteteve federale dhe lokale.

Ajo çka duhet të bëjmë kujdes me fëmijët është se ata nuk e kuptojnë plotësisht riskun, ndaj prindi duhet të gjejë mënyrën më të mirë të shpjegimit të situatës me informacion të saktë dhe sipas kapacitetit dhe moshës së fëmijës.

Fëmija merr shembull prindin, ndaj prindi duhet të jetë i pari të ndjekë rregullat, të inkurajojë fëmijën si dhe ti tregojë se sa e rëndësishme është që të gjithë të tregojmë kujdes për të ndihmuar në uljen e shpërndarjes së virusit. Prindi duhet të jetë i qetë kur i flet fëmijës rreth situatës së rrezikut të COVID-19, të bindë fëmijët që ata janë të sigurt dhe se është normale qe te ndihen te mërzitur. Prindi mund të ndihmojnë fëmijën duke gjetur mënyra të ndryshme për të kaluar mërzitjen se bashku.

Prindi gjithashtu duhet t’i kushtojë vëmendje se çfarë fëmija shikon apo dëgjon në televizor apo radio-ndonjëherë shumë informacion, apo informacion i ekzagjeruar mund të shkaktoje ankth të panevojshëm te fëmijët.

Prindi duhet të gjejë gjithmonë kohë të flasë me fëmijën dhe të mos fajësojë të tjerë për situatën e krijuar. Çdo ditë, prindi duhet t’i rikujtojë fëmijës veprimet që duhet të ndjekë për të ulur shpërndarjen e virusit. Nëse shkolla është hapur duhet t’i rikujtojë fëmijës masat e tjera që duhen marrë që fëmija të ndihmojë në mbrojtjen e fëmijëve të tjerë në shkolle apo stafin e shkollës. Prindi mund të bejë eksperimente «shkencore» të ndryshme me femijën si psh: eksperimenti me detergjentin e enëve dhe piperin e zi, i cili është shembull mjaft i mirë për t’u treguar fëmijëve rëndësinë e larjes së duarve për t’u mbrojtur nga virusi.

Këshilla të tjera që u duhen dhënë fëmijëve janë:

- të shmangin frekuentimin e hapësirave me shumë njerëz dhe të ruajnë distancimin fizik;

- të shmangin kontaktet me njerezit e sëmurë;

- të qëndrojnë në shtëpi kur nuk ndihen mire;

- të mbulojnë gojën me shami ose me brryl kur teshtijnë apo kolliten;

- të lajnë duart me sapun për të paktën 20 sekonda;

- të përdorin dizifektantë për duart (prindërit duhet të zgjedhin me kujdes dizifektantët, ato duhet te jene më të paktën 60% alkool dhe te mos përmbajnë kimikate që dëmtojnë fëmijën);

- t’i thajnë duart mirë;

- të mos prekin gojën, hundën apo sytë me duar të palara.

- Tek fëmijët mbi 2 vjeç rekomandohet mbajtja e maskave prej rrobe.

Shpesh lind pyetja : kur do të kthehemi te normalja ? Mendoj se duhet ta riformulojmë atë pyetje. Duke qenë se jemi një shoqëri në lëvizje të vazhdueshme, më shumë shanse do të marrë kohë të kthehemi te jeta apo rutina e mëparshme, ndaj duhet të përshtatemi me ‘normalen’ e re. 

Forca! Edhe pse është periudhë e vështirë, me pozitivitet do ia kalojmë!

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Komentet

Shto koment

Denonco